Myslimanët kujdesen për Kishën e  
Shën Mërisë, ku lutej Skënderbeu

Myslimanët kujdesen për Kishën e  <br />Shën Mërisë, ku lutej Skënderbeu
Ndodhet në Kurbin, në fshatin Shëmri dhe është një kishë abaciale me rëndësi e Arbërisë mesjetare. Sipas të dhënave gojore aty kryenin shërbesat fetare Gjergj Kastrioti së bashku me bashkëshorten e tij Donikën.
 
Të gjithë banorët e fshatit Shënmëri janë të besimit islam por kjo nuk i ka penguar ata të përkujdesen për objektin dhe njëkohësisht të nderojnë Shën Mërinë, pajtoren e fshatit me të njëjtin emër, e cila kremtohet me 15 gusht. Kisha e Shën Mërisë është i vetmi monument kishtar në krahinën e Kurbinit që gjatë periudhës se regjimit komunist tërhoqi vëmendjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ajo është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I-rë…
 
Mungesa e ekspeditave arkeologjike në rrënojat kishtare të Fushës së Arbërit, kësaj pjese vitale të harruar të Shqipërisë mesjetare, ka shmangur dhe ka lënë jashtë vëmendjes dy ipeshkvitë mesjetare shqiptare: atë të Arbërit dhe atë të Krujës, (në mos kryeherit të dyja në një të vetme, të cilat më pas u shuan dhe iu bashkangjitën Arqipeshkvisë Metropolitane të Durrësit), të cilat marrin jetë pikërisht mes Durrësit dhe Krujës, pranë Zgërdheshit (Albanopolit). Përveç kishës së Shën Venerandës/Prenës në Gallatë, kisha më e rëndësishme në krahinën e Kurbinit përgjatë periudhës së mesjetës është kisha bazilikë e Shën Mërisë në fshatin Shëmri, edhe kjo motit manastir benediktin. Kisha e Shën Mërisë në Shëmri del në dokumenacionit historik si kishë në fshatin Brret (Beretti, Bereti, Biretti), dhe jo sikur është thënë nga shumë studiues se nuk del si e tillë. Mungesa e njohurive toponimike e topografike në terren i ka çuar ata në përfundime të gabuara. Të dhënat për të i kemi nga relacionet e vizitave baritore të viteve 1640, 1641, 1650, 1662, 1670/1671, 1672, 1703, të cilat u shtohen më pas edhe përshkrimet e Degrand, revista Elçija e Zemers t’ Jezu Krishtit, dhe Theodor Ippen e më pas Fulvio Cordignano që na japin të dhëna të tjera. Aleksandër Meksi në studimet na ka dhënë përshkrimin më të plotë dhe më të saktë rreth arkitekturës së saj.
Dioqeza e Arbënit, njihet si e tillë që prej shekullit XII dhe vijoi veprimtarinë e saj të pashkëputur, mbase herë më vete e herë bashkuar me dioqezën e Krujës deri sa më në fund në vitin 1640 iu bashkangjit Arkidioqezës së Durrësit. Përkundrejt dyshimit të studiuesit kroat Milan Šufflay, i cili duke folur për manastirin benidiktin të Shën Prendes në Kurbin e të Kishës së Shën Mërisë në Krahinën e Krujës, thotë se këto dy dioqeza kanë qenë të bashkuara e për rrjedhojë të njëjta, mendim të cilin e kritikon me të drejtë P. Fulvio Cordignano, për më tepër që dokumentacioni historik na tregon qartë se ato kanë qenë të ndara dhe secila kishte kishën katedrale në krye të të cilave qëndronin ipeshkvinjtë përkatës. Në fakt Shufflay-n Rrënojat e këtyre dy kuvendeve janë krejt të ndryshme qoftë për nga emri, qoftë nga vendosja gjeografike e tyre, pasi ato janë gati 4-5 orë larg nga njëra-tjetra. Legjenda popullore rrëfen se muri rrethues i kuvendit të Shën Mërisë kishte 72 dyer. Kambanorja gjendej brenda këtij rrethimi. Giuseppe Praga në një artikull të tij, ka sjellë 14 dokumente në gjuhën latine nxjerrë nga Arkivi i Zarës e që bëjnë fjalë për Ipeshkvin e Arbënit Giovanni Corona. Dioqeza/Ipeshkvia e Arbënit, deri në kohën e pushtimit osman të Durrësit dhe rrethinave të tij ku gjendeshin dioqezat sufragane në varësi të Arkidioqezës së këtij qyteti e kishte selinë e saj në kishën katedrale të Shën Mërisë e quajtur “Shën Mëria në kështjellë” “…locum eçlesia Sancte Maria de Castello Cathedralis Albanensis diocesis…” “…episcopatum, dignitatem, titulum, auctoritatem et locum sancte Marie de Castello cathedralis Arbanensis diocesis…”. Të bëhet fjalë për këtë kishë? Imzot Mark Skura na e dinte se nën cilin pajtor kishte qene katadralla e qytetit të Krujës, megjithatë At Marin Sirdani na thotë se: “Në kështiell të Krues jânë kênë kater kishë: e Shen Gjergjit, së cilës nuk i ka mbetë mâ as shênji; e Shen Mërìs, tash xhamì, e Shen Ndreut, qi i ka mbete në kambë pak kumbonare, e Shen Lheshdrit qi tash quhet Sallsatik.” Në fakt kisha e shën Mërisë në qytet na del edhe tek Marin Barleti.

Studiuesi Giusepe Praga na ka siguruar një dokumentacion mjaft interesant lidhur me këtë argument. Sipas një akti që mban datën 9 shkurt 1513, dioqeza e Arbënit ishte ndër dioqezat e para në trojet shqiptare që u sulmua nga turqit menjëherë pas marrjes së Durrësit, prej edhe nga varej dioqeza sufragane e Arbënit. (…. episcopatus est in manibus infidelium, fidelibus adversantium…). Me sa na kumtohet zyra arqipeshkvore e dioqezës së Arbnit kryesohej prej njëfarë Engjëlli nga Macerata (Angelo da Macerata) dhe nga njëfarë Pali, të cilët sigurisht nuk kishin qëndruar në selinë e sipërpërmendur për arsye të pushtimit të saj prej turqve. Papa Guglio II me bulën e 24 prillit të vitit 1506 emëroi domenikanin nga Zara Giovanni Corona ipeshkëv titullar të dioqezës së zaptuar të Arbnit, i cili në këtë kohë ishte po ashtu provincial i urdhërit domenikan në Dalmaci. Corona-sikurse thekson Daniel Farlati, në ato kushte, nuk mundi të shkonte në selinë e caktuar nga Papa, mirëpo sipas Giuseppe Praga-s, ai megjithëse larg saj, i kushtoi të gjithë kujdesin e duhur zyrës baritore, për aq sa ishte e mundur në ato kushte të vështira. Praga për ta ilustruar këtë na ofron disa fakte dokumentare përmes të cilave Corona emëronte me 21 korrik 1513 Martin Lelesën për të kryer shërbimet baritore në Muzhël (afër Kepit të Rodonit), asokohe në juridiksionin e dioqezës së Arbnit; emëronte vikar të përgjithshëm priftin Antonio Mida, asokohe Rektor i kishës së Shën Demetrit në Muzhël si dhe më 19 maj 1510 emëron si sufragan përfaqësues të tij Ipeshkvin e Lisit (Shtjefnit) Giorgio de Nigris.

Kisha e Shën Mërisë është i vetmi monument kishtar në krahinën e Kurbinit që gjatë periudhës se regjimit komunist tërhoqi vëmendjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, institucion i cili realizoi në të gërmime në mënyrë të posaçme. Si rezultat i rëndësisë që kishte ajo është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I-rë me vendimin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili asokohe kishte kompetencat përkatëse të këtij vlerësimi, vendim i cili mban nr. 6 të datës 15. 01. 1963. Në këtë Kishë sipas të dhënave gojore kryenin shërbesat fetare Heroi ynë Kombëtar; Gjergj Kastrioti së bashku me bashkëshorten e tij Donikën. Të gjithë banorët e fshatit Shënmëri janë të besimit islam por kjo nuk i ka penguar ata të përkujdesen për objektin dhe njëkohësisht të nderojnë Shën Mërinë, pajtoren e fshatit me të njëjtin emër, e cila kremtohet me 15 gusht. Nga pikëvështrimi historik dokumentar, kisha më e rëndësishme në krahinën e Kurbinit është Kisha e Shën Prenës në fshatin Gallatë e cila tani është në gjendje tërësisht rrënojë, ndërsa nga pikëpamja e teknikës ndërtimore arkitekturore dhe nga pikëvështrimi artistik i afreskeve të vendosura në absidën qendrore Kisha e Shën Mërisë përbën pa dyshim monumentin më të rëndësishëm. Kësaj i duhet shtuar edhe mjedisi rrethues i gjithi prej selvish disashekullore që qarkojnë të gjithë monumentin në një mënyrë të pazakontë që e dallon atë si monument unik në të gjithë vendin.

Fshati i Shën Mërisë pozicionohet rreth shtatë km në juglindje të Mamurrasit ndër disa kodra të veshura me ullinj ku sikurse e thamë rrënojat e kësaj kishe gjenden në mes të pyllit shumë të bukur me selvi në anën jugore të fshatit me të njëjtin emër, emër të cilin, me sa duket e ka marrë nga kisha.
Mark Skura në vitin 1641 shkruan:

"Ka Shën Mërinë e Bretit krejtë e plotë, në gur të gjallë, e cila ka qenë argëtim i ipeshkvit të Krujës; motit [ishte] me rentë të madhe tashti ka pak që me vështirësi arrin në 25 skudë vjetorë me të cilët mbahet një prift që i shërben asaj. Të nënshtruemit e saj, pjesa ma e madhe [janë] turq; frymë të krishtena, në tri katunde që shërbehen në te, ka –240“.

Tre vjet më pas i njëjti relator do të shkruajë:
“Ka Shën Mërinë e fshatit të Bretit krejt të plotë, në gur të gjallë dhe të mbulueme me tjegulla, e cila ka qenë për argëtim t’ipeshkvit të Krujës; ka ara për të mbjellë dhe disa rranjë ullij që qesin 20 skudë vjetorë, me të cilët mbahet një prift. Një pjesë turq dhe frymë të krishtena –231”.
Shtjefën Gaspari më 1672, na thotë se kjo abaci e murgjëve benediktinë mund të zërë brenda rreth 2000 persona, ku shërbejnë D. Nikollë Mesiku dhe D. Prend Lumsa, është duke rënë dhe se pronat i kanë grabitur turqit.

Vinçenc Zmajeviç më 1702 shkruan se Bereti është:
“Fshat i vendosur në një pozitë të dukshme përmbi kodër sipër fushës që u tha më lart. Ka kishën me pajtore Shën Mërinë, ish abaci dhe katedrale e ipeshkvinjve të Krujës pasi qe humbur ky qytet. Është kishë e madhe dhe me ndërtim (strukturë) të madhërishme, e gjatë 25 hapa me gjërësi të përpjestuar, e bërë në tri navata dhe pjesët anësore shërbejnë për varreza që, në njërën anë, janë të zbuluara sepse janë rrëzuar muret: [për meremetim duhet] një shpenzim prej 100 skudësh. Është e gjitha e pikturuar në afresk me disa mbishkrime latine, të shlyera prej kohës. Nuk ka të mira të patundshme (toka) sepse janë marrë me dhunë prej turqve, me përjashtim të një kopshti dhe të shtëpisë famullitare që e ka shpaguar (e ka blerë rishtas) famullitari i tanishëm dhe është sjellë në gjendje të banueshme. Ka dy kambana, njëra 60 libresh dhe tjetra 100; janë të thyera. Ka një kelshejt pa prarim, patenën prej bakri, mesharin të vjetër dhe pjanetën prej raso (kumashi) të bardhë të leckosur. Është furnizuar me të tjerat. Në atë [kishë] mbaheshin vera dhe gruri me sendet e tjera të shtëpisë, por vizitatori urdhëroi të hiqeshin për shkak të nderimit që i detyrohet tempullit të shenjtë”.

Një përshkrim interesant të kësaj kishe na e ka dhënë Teodor Ippen.
“Kisha e She Mrisë ka qenë një nga kishat më të mëdha e më të bukura të Shqipërisë mesjetare. Ajo kishte tri nefe 25 hapa gjatësi dhe 18 hapa gjërësi, prej të cilave 4 hapa u takojnë nefeve anësore dhe 10 hapa nefit qendror. Nefi qendror ndahet nga katër nefet anësore nga tri arkada, që mbështeten mbi pilastra – mure. Nga kisha janë ruajtur krejtësishti muri i   majtë anësor, katër pilastra të murit të brendshëm midis nefit qendror dhe nefit anësor të djathtë si dhe pjesa e ngushtë fundore me tri apsidat. E gjithë kisha ka qenë e pikturuar. Në apsidën e nefit qendror ruhen ende disa piktura. Apsida ka qenë e ndarë në  4 fusha. Në fushën e poshtme janë 8 figura ipeshkvijsh. Shenjtorët janë të veshur me “kasula” dhe alba, mbajnë paljumin mbi supe, dorën e djathtë e kanë ngritur për bekim dhe me dorën e majtë mbajnë Ungjillin të mbështetur pas kraharorit. Anash nimbuseve kanë qenë shkruar emrat e Shenjtorëve, prej të cilëve sot mund të lexohen vetëm si më poshtë:
 
SCS    SIVS
Ivhe   Rei
S  Ambrosivs
Figurat 1, 2, 3, 4 dhe 6 djathtas janë ruajtur relativisht mirë, ndërsa figurat 5, 7 dhe 8 janë gërvishtur krejtësisht. Në fushën e dytë janë paraqitur shtatë medalione bustesh shenjtorësh (profetë?) vetëm tek numri 3 lexohen nga një tabelë me mbishkrim fjalët e mëposhtme, të cilat i përkasin një psallmi.
 
Dne audi (vi) auditu (m) tuum,
DNE
AVDI
AVDITV
TVVM
 
Pikturat e fushës së tretë dhe të kubesë së apsidës janë krejt të dallueshme.
Disa hapa para portës së kishës ngrihet një shkëmb, mbi të cilin ka qenë ndërtuar me muraturë tulle kulla e kambanës. Si është  mundur që në një lokalitet të mënjanuar nga çdo lloj komunikimi të rëndësishëm dhe larg qendrave të mëdha të banimit, të ngrihet një kishë kaq e madhe dhe kaq e bukur për kushtet shqiptare? Për një qytet të vjetër të zhdukur këtu nuk mund të bëhet fjalë. Mendimi i katolikëve të zonës, që kjo kishë ka qenë katedralja e dikurshme e Krujës, ka pak gjasa të jetë e vërtetë, pasi ipeshkvi gjithsesi e kishte rezidencën në qytetin e Krujës. Mbetet vetëm hipoteza që këtu të ketë ekzistuar një manastir„.
     Kisha e Shën Mërisë ka afreske të fragmentuara, të cilat kanë vlera të mëvetësishme rreth cilësisë së realizimit të tyre. Këto afreske, duket sikur i ka realizuar e njëjta dorë që ka pikturuar ato të Shëlbuemit në Rubik. Piktura murale e kësaj kishe ka veçantinë e saj sepse, sipas Theofan Popës:
     “përveç figurës së Inocentit në Rubik nga fragmente të pikturave të kishave të Shqipërisë së Veriut, që kanë shpëtuar deri në ditët tona, nuk kemi hasur pikturë tjetër të stilit të ritit perëndimor në vendit tonë, përveç disa figurave të fragmentuara në apsidën e kishës së rrënuar të Shën Mërisë pranë Krujës, si dhe dy figurave, njëra e Shën Jakovit dhe tjetra e Shën Ekaterinës në Kishën e Shën Venerandës në fshatin Planë të Lezhës, të cilat  na duken të etapës së vonë të sundimit osman”.
Kisha, sikurse është sot ka përmasat 23 x 14.40 m, me trashësi të mureve sipas fazave ndërtimore të ndryshme sikurse do t’i përmendim shkon 60 deri në 70 cm. Ajo na paraqitet si një bazilikë trinefëshe, prej së cilës ruhet pothuajse i plotë muri i saj lindor së bashku me absidën si dhe ai verior dhe po ashtu deri diku ai jugor dhe perëndimor. Hyrja e kishës është në anën perëndimore.
     Në murin lindor që sikurse e përmendëm ruhet pothuajse i plotë së bashku me absidën ruhen edhe pjesë të afreskeve. Në mesin e saj absida ka një dritare. Gjithashtu mjaft domethënës është fakti se në murin e absidës në nivelin e tokës, vërehet një absidë e dytë. Muri verior është i ndërtuar me gurë gëlqerorë gati të zakonshëm dhe është i lidhur me llaç gëlqereje. Bazuar në vrojtimin e drejtpërdrejtë të strukturave ndërtimore të kësaj kishe duket qartë se ajo në krye të herës ka qenë një kishë e vogël njënefëshe e cila në një fazë të dytë zgjerohet për të vijuar kështu në një fazë ët tretë e cila e kthen atë në një bazilikë trenefëshe. Struktura murale dëshmon mbijetësën e kishës origjinare me shtesat e bëra më pas. Studiuesi Aleksandër Meksi bazuar në teknikën ndërtimore i dallon qartë këto tre faza ndërtimore të saj në të gjithë gjatësinë dhe gjërësinë gjeometrike që mbulon ndërtesa e cila për fat të mirë përkundrejt dëmtimeve të shumta është mjaft e ruajtur në linjat kryesore të muraturës, madje studiuesi në fjalë i përcakton sipas periudhave kohore kur janë realizuar, përktësisht faza e parë në shekujt XI-XII, faza e dytë shek.  XII-XIII dhe faza e tretë në gjysmën e dytë të shek. XIII, kur për fazë e dytë bie në sy si veçori “…përdorimi i harkut të mprehtë në apsidë dhe forma e dritares, shenjë kjo e ndikimit të arkitekturës romanik-gotike.” Zgjedhjet dekorative të ndërtimit shihen edhe tek kambanorja e kishës ndërtuar në formë katrore e cila ngrihet mbi një shkëmb gjë që bën që ti japin pamjen e një murature të realizuar sipas teknikës ndërtimore vendase që mbart edhe elementë bizantinë të integruar në tekniken e stilit romanik së cilës nuk i mungojnë edhe elementët gotikë.
     Organizimi arkitetktonik ka mundur të konservojë dëshmitë e një cikli afreskesh që dëshmojnë/konfirmojnë të qenët pjesë e kultit të krishterë të ritit latin në kontekstin kulturor të kohës duke dëshmuar praninë dhe vazhdimësinë e kulturës ikonografike me ndikimet përkatëse të stilit bizantin. Programi ikonografik me veçoritë e tij dekorative ornamentale dëshmon se duke nisur nga Shën Mëria e këtushme për të vijuar me kishat ngjitur të Shën Gjon Pagëzuesit në Derven, Shën Illisë në Gjuricaj (dikur Shporaj), e më tej në kishën e Shën Barbullës në Pllanë, Kishën e Shën Nikollës  në Zejmen, Kishën e Shëlbuemit në Rubik, Kishën e Shën Prenës në Balldren e deri në Kishën e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, fondi ikonografik i këtij territori tregon elementë të qartë të udhëtimit shpirtëror të besimit të krishterë drejt pereëndimit si dhe njëkohësisht integrimin e elementëve bizantinë në afresket përkatëse që bëhët i dallueshmë qoftë në dinjitetin e veshjeve ipeshkvnore të personazheve të pikturuar qoftë në veprimet e bekimit, në shkopin baritor si dhe mitrat ipeshkvore. Mendojmë se jo vetëm se kanë elementë ngjashmërie, por një përqasje paralele e pikturave murale, ndonëse të ruajtura në mënyrë fragmentare të kishës së Shën Mërisë me tre programet ikonografike të kishës së Shën Prendës (Balldren), të kishës së Shëlbuemit (Rubik), dhe kishës së Shën Barbarës (Pllanë), realizuar nga P. Flavio Cavalini O.F.M., si dhe kishë së Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës, do të merrte një rëndësi specifike sepse janë të pakta kishat e Veriut të Shqipërisë të afreskuara që kanë mundur t’i rezistojnë dëmtimeve të kohës që sjellin elementë të përtëritjes romanike të lidhur me pikturën pasbizantine të kishave ortodokse të Shqipërisë së Jugut. Këtë ngjashmëri stilistikore e pat vënë re Ipeshkvi i Sapës Imzot Frang Bardhi që në vitin 1641 në një relacion për dioqezën e vet dërguar Propagandës Fide teksa përshkruan kishat e Zadrimës shkruan se: “Të gjitha janë të pikturueme me piktura greke; por ma të shumtën Virgjina me fëmijën në prehën, apostujt dhe etënt grekë, Bazili, Athanazi, Krizostomi e të tjerë. N’asnjenën nuk shihet vjeti, as nuk dihet me siguri për ato të moçmet, nga kush kanë qenë ndërtue.” Pamja madhështore e kishës, qarkuar me pyllin e mrekullueshëm të selvive, e bën këtë monument unikal në llojin e tij në Shqipëri, një mundësi reale për t’u bërë pjesë e guidave turistike në vend, për më tepër që rruga prej 4-5 kilometrash kërkon vetëm asfaltimin e pritshëm i cili urojmë që një ditë të bëhe realitet.

kisha e shen merise
kisha e shen merise
(Kisha e Shën Mërisë, Kurbin) 

 Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë