Cilat janë mënyrat që përdoren për nxjerrjen e kapitalit jashtë? Si funksionon procesi?
Një shumëllojshmëri mënyrash. Ne mendojmë se përafërsisht 80% e të gjitha daljeve të paligjshme financiare janë të lidhura me tregtinë. Dhe këto përfshijnë lëvizjen e kapitalit nga vende me taksa të larta në vende me taksa të ulëta, si një mënyrë për të shmangur taksimin.
Sa i madh është problemi për Shqipërinë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit?
Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë gjatë dekadës së kaluar. Pra rreth 2% deri 3% e PBB-së. Shifra është dukshëm më e ulët se mesatarja e vendeve të tjera europiane në zhvillim, me rreth 5%. Shqipëria është më mirë se Serbia për shembull, ku daljet kanë qënë rreth 20 miliardë dollarë gjatë dekadës së kaluar. Kjo nuk do të thotë se problemi nuk ekziston në Shqipëri. Po ashtu Shqipëria ka të veçantat e saj dhe Serbia të vetat. Nga ana tjetër, ne e kemi bërë të qartë se studimi im nuk mund të verifikojë dot gjithë aktivitetet që kryhen me para në dorë, ose pagesat që bëhen në këtë formë. Pra, ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë saktësisht se sa ndikon ky lloj aktiviteti në Shqipëri, që mund të jetë jo i vogël.
Cilat janë aktivitetet kryesore financiare që luajnë rol në daljen e paligjshme të kapitalit në Shqipëri?
Shohim se në Shqipëri, shumica kryhet nëpëmjet një procesi të quajtur mbifaturimi i importeve. Në thelb, importuesit në Shqipëri shënojnë shifra më të larta për importet aktuale, një mënyrë për të justifikuar ligjërisht pagesat jashtë Shqipërisë. Kjo gjithashtu rrit vlerën e prodhimit. Kështu që, këto koorporata kanë një përfitim të dyanshëm: 1) munden të lëvizin kapital jashtë Shqipërisë në vende, ku nuk do të taksohet, dhe 2) rrisin çmimin e mallrave të tyre, për të cilin paguajnë konsumatorët, njerëzit e zakonshëm shqiptarë që blejnë këto importe.
Në raportin tuaj, ju e keni vërejtur një prirje në rritje të daljeve financiare të paligjshme, me ritëm më të lartë se PBB-ja, dhe vendet evropiane në zhvillim, grupi në të cilin përfshihet Shqipëria, me rritjen e tretë më të shpejtë në botë. Pse po shohim këtë prirje, dhe çfarë hapash mund të merren për ta zvogëluar atë?
Në terma reale, duke marrë parasysh inflacionin, largimet e paligjshme të kapitalit janë rritur rreth 10% në vit gjatë dekadës së kaluar. Arsyeja pse këto dalje janë rritur në mënyrë të qëndrueshme është sepse edhe vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara nuk kanë marrë vendimet politike, që janë të nevojshme për shkurtimin e tyre. Një nga zbulimet më të rëndësishme të raportit është se ky nuk është problem vetëm i botës në zhvillim. Ky është gjithashtu një problem i botës së zhvilluar, dhe patjetër, ka probleme në këto vende që shtyn largimin e kapitalit, si klima e dobët e biznesit, korrupsioni. Por vendet e zhvilluara janë po aq bashkëfajtore në marrjen e kapitalit dhe lehtësimin e situatës. Dhe kjo ka ndikim në tregun e zi.
Çfarë efektesh kanë largimet e paligjshme financiare në një ekonomi në zhvillim?
Efekti më i madh që këto kanë është humbja e kapitalit. Po të kishte qëndruar në vend, ky kapital do të ishte përdorur për të financuar aktivitetet biznesi, për të krijuar më shumë vende pune. Por në vend të kësaj, ai po largohet nga këto vende në zhvillim në vende me taksa më të ulëta. Dhe kjo i bën vendet në zhvillim më të varura në ndihma nga jashtë për t’i ndihmuar në zhvillimin e tyre. Por, nëse mund të ndalojnë këtë dalje të kapitalit, ato vetë mund të fillojnë të financojnë zhvillimin e tyre. Pra, kjo dukuri ndikon në mënyra të ndryshme. Dhe përkatësisht, këto dalje të paligjshme financiare i shtohen 1% ose 0.5% më të lartë të njerëzve në vend, gjë që inkurajon pabarazinë ekonomike, e cila është biseduar nga shumë organizata ndërkombëtare, si dukuri që ndikon në zhvillimin e një vendi.
Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)