Përshtypja juaj e parë për jogën?
Ndjesia ime e parë ishte një mrekulli. Fillova ta ushtroj në palestrën e zonjës Gorishti. Ishim një grup i vogël maksimumi 7 deri 8 veta. Nuk vazhdoi shumë gjatë, sepse palestra u mbyll dhe Polikseni po përpiqej pa sukses të gjente një tjetër mjedis ku mund të praktikonim jogën. Ndërkaq unë bëja ushtrime vetë në shtëpi duke patur si pikë referimi librin e Poliksenit. Pak më vonë më sollën nga jashtë videokaseta dhe atëherë e ndjeva veten shumë fatlume sepse përmes ekranit kisha një mësuese.
Si është joga sipas jush?
Unë mendoj se joga së pari është filozofi, pastaj praktikim i ushtrimeve, që është pazgjidhshmërisht i lidhur me mënyrën e të ushqyerit. Të gjitha këto kanë një qëllim: mirëqenien e trupit, mendjes dhe shpirtit. Prej mijëra vjetësh thuhet se trupi i njeriut ka 7 qendra kryesore të energjisë, dhe gjëja më e rëndësishme është si ta drejtojmë e shpërndajmë këtë lumë energjish. Praktikimi i jogës këtë vlerë ka. Perëndia e jogistëve është natyra, mbi të gjitha toka, dielli, ajri e uji. Me pak fjalë praktikimi i jogës të bën të ndjehesh mirë mendërisht, fizikisht dhe shpirtërisht. Unë mendoj se joga është një raport i ngrohtë, i dashur e i dhembshur dhe mbi të gjitha i vërtetë me realitetin. Kjo sipas meje është ndjesia që të përfshin ndërsa ke mbaruar ritualin 90 minutësh të praktikimit fizik të jogës. Rëndësi të veçantë gjatë praktikimit ka edhe ushqimi. Unë në fakt që prej viteve 90 kisha nisur të përdorja një menu që çuditërisht ngjasonte me atë që përdorin sot jogistët. Unë jam vegjetariane prej shumë kohësh dhe kur nisa të praktikoj jogën u lumturova që e kisha përqafuar atë vite më parë, me mënyrën se si ushqehesha. Po ashtu unë shmang sa të jetë e mundur barnat mjekësore.
Përse filluat ta praktikoni jogën?
Fillova ta praktikoj thjesht sepse ndjehesha mirë shpirtërisht. Kjo ishte nxitja e parë. Kuptohet që nuk dija asgjë tjetër për jogën e vlerat e saj. Me kalimin e kohës mësoja e ndërkohë përjetoja ndjesi të reja. Ato fatkeqësisht nuk përshkruhen, secili i përjeton sipas mënyrës së tij, sipas ndjesive e vetëdijes personale. Jeni e rregullt në seanca? Unë shquhem si njeri me vullnet. Por joga nuk është vetëm vullnet, ajo është kënaqësi sepse të mbush shpirtin me qetësi dhe mirësi...Ajo të kristalizon ekuilibrin, përqendrimin, raportin me të vërtetën. Fakti që raporti im me njerëzit kalon përmes natyrës i jep jetës time një kuptim të veçantë që më bën të ndjehem mirë.
E praktikoni jogën në shtëpi apo në grup?
2 ose 3 herë në javë e praktikoj në grup ndërsa ditët e tjera në shtëpi. Këto ditë i kam shtuar momenteve të jogës në shtëpi një element të ri: muzikën. Janë këngë të veçanta që jo çdokush i pëlqen. Në fakt nuk ka vend për të thënë këngë e bukur ose jo…është një muzikë që të hyn në shpirt e të duket sikur plotëson atmosferën në kohën e ushtrimeve.
Çfarë është meditimi për ju?
Meditimi…. shumë thjesht: është të rrish me vehten. Eshtë një lloj përqendrimi që të nxit të kërkosh e të gjesh ekuilibrin. Meditimi sipas meje të mëson të jesh i duruar, ai të mbush me qetësi, të jep vetëm gëzim. Sipas mendimit tim, meditimi është harmonia mes asaj që mendojmë, asaj që themi dhe asaj që bëjmë.
Pas kaq kohësh çfarë keni gjetur tek joga?
Kam gjetur kuptimin e të jetuarit, kuptimin e të gjykuarit kam gjetur gjithashtu atë që vlen më shumë: thjeshtësinë e të jetuarit. Unë kam bindjen se kush e praktikon siç duhet jogën është i sunduar nga mendime, fjalë, sjellje, shprehje dhe vlera pozitive .
Në këndvështrimin tuaj cili është raporti i shqiptarëve me jogën?
Shqiptarët e kanë fare të re lidhjen e tyre me jogën. Kur kam filluar unë të praktikoj jogën kishte shumë pak amatorë të saj. Ishin pak e të paorganizuar, por vë re me kënaqësi se tani numri i tyre rritet në mënyrë entuziaste. Po bëj një pikë referimi. Kur filluam të praktikonim jogën në mënyrë të organizuar (une shkova më vonë) numëroheshin deri ne 15- 20 vetë. Ndërsa sot numërohen afro 300 vetë. Kemi krijuar edhe shoqatën tonë Tirana Yoga. Misioni ynë nuk është vetëm të praktikojmë jogën tek vetvetja, por ta përhapim atë sa më shumë për të shtuar në këtë botë njerëzit që jetojnë mirë mendërisht dhe shpirtërisht. (shqiptarja.com)