Nëpër burgje më shumë
hyjnë, se sa dalin

Nëpër burgje më shumë<br />hyjnë, se sa dalin
Ky është një fakt, që prej vitesh është bërë prezent në Shqipëri. Shtimi i kapaciteteve penitenciare me donacione nga organizma ndërkombëtare, sidomos të Evropës, si edhe të shteteve të veçanta të kontinentit tonë, nuk mund të thuhet që e ka nxitur dyndjen e ndëshkimeve ekstreme, as që të mos jetë e nevojshme të aplikohen dënimeve të llojeve të tjera.

Ajo që bie në sy gjatë kërkimeve për periudhën e fundit 10 vjeçare nëpër arkivat e gjykatave tona lidhet pikërisht me peshën specifike të ndalimeve dhe dënimeve me burgim, edhe për vepra penale jo shumë të rënda, në mos edhe të lehta. Gjatë kësaj kohe, megjithë miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë i disa akteve amnistie dhe faljeje, veçmas për mosha të shtyra dhe kohë dënimesh relativisht të vogla, situata mbetet alarmante. Alarmante deri në shkelje të parashikimeve të akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

     Tani gjendja në këtë drejtim është edhe më e rënduar. Këtë gjendje është e vështirë ta justifikojë edhe synimi i qeverisjes aktuale, për të forcuar shtetin dhe kapërcimin e situatave dramatike të varfërisë dhe sigurisë publike që u trashëguan nga qeverisja e mëparshme. Fillimisht le të kujtojmë që standardi kryesor veprues për privimin e lirisë së personit (nëpërmjet arreastimit dhe paraburgimit) është arsyeshmëria. Dhe, dispozitat e legjislacionit të brendshëm apo edhe atij ndërkombëtar presupozojnë që Shteti duhet ta bazojë arrestimin dhe paraburgimin në fazën e parë të hetimit penal mbi të paktën një nivel të caktuar faktesh ose informacioni, për të vërtetuar dyshimin që është kryer një vepër e kundërligjshme dhe se i ndaluari ka një lidhje të mjaftueshme me veprën në fjalë.

Madje, në kuptim të legjislacionit tonë procedural penal dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 5), arsyet për ndalimin duhet të jenë edhe specifike, edhe të ligjshme. Pra, në një shtet demokratik nuk mund të jetë normale ndalimi i dikujt në bazë të dyshimeve të paqarta se, personi që ndalohet mund – domethënë, vetëm mund - të jetë i përfshirë në një veprimtari të kundërligjshme, as qoftë edhe për shkaqe të pamaterializuara në vendime zyrtare të marra prej autoriteteve kompetente.

Nga jurisprudenca e Strasburgut mund të veçohen plot vendime tipike me këtë temë apo përmbajtje, gjatë cilave, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur, gjithashtu, se vërtet është thelbësore ekzistenca e një dyshimi, por ky dyshim nuk është i mjaftueshëm për të zgjatur ndalimin pas skadimit të një periudhe të caktuar. Periudhë të tillë e parashikon edhe legjislacioni ynë procedural penal, por nuk respektohet në çdo rast ky parashikim, ndoshta nga ngarkesa e madhe e organit të hetimit dhe e gjykatave tona, apo nga numri i shtuar i të ndaluarve.

     Për këtë arsyetim të fundit, mund të përmendim edhe që gjatë një vëzhgimi të kryer para pak muajsh në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës ku mbahen të ndaluar, si edhe në disa institucione të tjera të paraburgimit, shumë prej personave që u ishte privuar liria, këta nuk pyeteshin për një kohë të gjatë nga grupet e hetimit. Dhe, vetëm në një kat të Drejtorisë së Policisë gjendeshin rreth 40 të ndaluar (midis tyre edhe femra), që më së shumti flinin përtokë dhomave të ndenjies, dhe të gjithë pa përjashtim prisnin (apo jo?) rradhën për të vajtur në tualetin e vetëm që kishte ai kat.

Ndërsa në paraburgime, për shembull, një i ndaluar i ngratë 60 vjeçar vendosej të rrinte apo të flinte (nëse mund të vinte gjumë në sy) midis dy vëllezërve që kishin pranuar para prokurorit kryerjen e krimit të së paku një vrasjeje. Këto janë copëza të trishtuara,  shkëputura nga shënimet e mbajtura prej atij vëzhgimi, që në të vërtetë shoqëroheshin edhe me faktin e ekzistencës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës të ndonjë dhome të posaçme ku mbahej, për shembull, ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sidoqoftë, po t’i referohemi një thënieje latine, çdo rregull ka përjashtim, por edhe përjashtimi përforcon rregullin.

     Mirë, po nëpër burgje si shfaqet tabloja? Sigurisht jo edhe aq e ngjeshur. Megjithatë, nga burime të besueshme bëhet me dije, se vende – vende “sistemohen” deri në 10 të dënuar brenda një dhome. Se çfarë sipërfaqesh kanë ato, mbase nuk ia vlen të ndalemi.

Por, ndërkohë, nuk mund të mos theksojmë këtu një përgjegjësi të disa gjyqtarëve dhe, para tyre, të disa prokurorëve në vendimet që marrin, çka passjell një tejmbushje të burgjeve, aq sa nëpër ‘to më shumë hyjnë, se sa dalin. E kam fjalën këtu për përgjegjësinë e tyre në formën e një përmase njohëse të gjykimit, e cila ka të bëjë me kuptimin dhe vlerësimin e rrethanave specifike apo të papërsëritshme të çdo çështjeje, të ndryshme nga të tjerat, edhe pse mund të përfshihen brenda të njëjtës figurë krimi që parashikohet në ligj.

Pra, duke qenë që çdo fakt është i ndryshëm nga të tjerët, prokurori dhe pas tij gjyqtari janë ata që nuk mund t’i shmangen dot vlerësimit të tipareve të tij të veçanta, me paanshmëri dhe ekuilibër. Dhe, siç përmendet në tekstet e deontologjisë gjyqësore, e qartë është që kuptimi i kontekstit, i rrethanave konkrete dhe i arsyeve të veçanta të faktit duhet të derivojë një sjellje indulgjente, sidomos në favor të subjekteve më të dobëta, të “cironkave” që cilësohen dendurazi ato subjekte në gjuhën e përditshme të këtij populli të etur për drejtësi. Kjo indulgjencë pra, nuk mund të mos ndikojë në caktimin e masës së dënimit me burg.

Sigurisht, brenda kufijve që parashikon ligji. Apo, sikurse shprehej Gjykata e Strasburgut në një vendim të saj të para dy vjetëve, me një vetëdije që gjithmonë duhet të sugjerojë zbatimin e dënimit me burgim vetëm atëhere kur ai është i pashmangshëm dhe në masën minimale të parashikuar nga ligji.

     Gjithashtu, në shqiptimin e masës së dënimit me burg nuk mund të injorohet edhe parimi, sipas të cilit, ky lloj apo formë dënimi të mos konsistojë në trajtime antihumane. Aq më tepër që u mbushën plot vite që Republika e Shqipërisë ka nënshkruar dhe madje ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara dhe Atë Evropiane kundër trajtimit mizor, johuman dhe degradues. Cila është vija ndarëse midis këtyre trajtimeve dhe torturës?

Para afro 10 vjetësh, kjo pyetje ka tingëlluar së shumti në qëndër të debateve të shumë penalistëve, kriminologëve dhe autoriteteve të njohur të shkencave ligjore në dy brigjet e Atlantikut. Për kureshtje të lexuesit mund të përmend shkurtimisht nga këto debate një thënie të Dr. Basoglu, specialist i traumave në Kolegjin Mbretëror të Londrës: “Ndryshimi i bën njerëzit të aftë të argumentojnë që tortura është e pranueshme. Kjo nuk varet nga shkalla e vuajtjes. Kjo është çështje e kontrollit dhe e ekzistencës së stresit si një përvojë”. Ndërsa, psikiatri dhe profesori i së drejtës në Universitetin e Xhorxhtaunit (SHBA), Dr. Israel Liberzon i përgjigjej: “Ju nuk mund të dizenjoni regjime alternative të torturës!”.

    Argumentet rreth një rrreziku të tillë, në shumë shtete kanë qenë (sidomos në një dekadë të fundit) të renditura në listën e arsyeve për çlirimin e burgjeve nga mbipopullimi. Në Itali, për shembull, statistikat e vitit 2005 për vendimet gjyqësore dhe gjendjen në institucionet penitenciare tregonin se, 50 për qind e të burgosurve për vepra penale po u nënshtroheshin dënimeve alternative, që nga gjobat deri te puna në ndihmë të komunitetit. Ndërsa në Shqipëri, ndonëse prej kohësh flitet për aplikimin e këtyre lloj dënimesh, asgjë nuk është bërë deri tani.

Të kuptohemi, asgjë nuk është bërë deri tani po të mos i thërresim këtu memories për disa vite më parë, kur militantin e një partie politike (e cila atëhere bashkëqeveriste vendin në krah të Sali Berishës) i emëruar në një funksion të rëndësishëm administrativ, pasi u kap në kufi në Qafë - Morinë me një pako disa kilëshe të një prej drogave të rënda gjykata e dënoi me 6 ditë punë për pastrimin e Lanës.

Por nejse, nëse duhet ta besojmë atë thënien, sipas së cilës, edhe përvojat e hidhura janë të dobishme, në problemin e ngritur këtyre rradhëve kjo vlen për të na kujtuar se sa e domosdoshme është që shteti sa më parë të ripërcaktojë me masa konkrete dhe efiçente në të drejtat e qytetarit edhe kufizimet, por edhe garancitë. Në të kundërt, ndoshta do të jenë të shumtë ata që mund tu vijë nëpër mend ajo që u shprehte Winston Çurçilli ca lajkatarëve nga vende të tjera: “Më tregoni burgjet, t’u them çfarë shteti keni!”.      


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet