Në rajon vetëm Bosnja dhe Kosova
presin statusin e kandidatit për BE

Në rajon vetëm Bosnja dhe Kosova<br />presin statusin e kandidatit për BE
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic ditë më parë në një intervistë për Anadolu Agency (AA) njoftoi se Bosnja dhe Hercegovina deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm do të paraqesë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe pritet që BeH me siguri deri në fillimin e vitit 2017 do të marrë statusin e kandidatit të BE-së.

Kjo praktikisht do të thotë se Bosnja dhe Hercegovina deri në momentin e aplikimit për anëtarësim në BE deri në marrjen e statusit të kandidatit "duhet të kalojë rrugën prej një apo më shumë se një vjet".
Ndërsa Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian dhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar muajin e kaluar tha se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që do të jetë marrëveshja e parë në mes të Kosovës dhe BE-së pritet të ndodhë para verës. Ai gjithashtu tha se "më vonë gjatë viti pritet një hap pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave".

Analiza e Anadolu Agency (AA) tregon se që nga momenti kur një vend aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vendimin e Këshillit Evropian për miratimin e statusit të vendit kandidat kalojnë mesatarisht dy vite.

Këtë periudhë prej rreth dy vitesh nga paraqitja e kërkesës për anëtarësim deri në marrjen e statusit të kandidatit nga vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë kaluar Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. 
Pikërisht Republikës së Malit të Zi i nevojiteshin saktësisht dy vjet për këtë proces sepse kërkesën e ka paraqitur më 15 dhjetor 2008, ndërsa statusin e kandidatit e ka marrë më 17 dhjetor 2010. 
Republikës së Serbisë deri në marrjen e statusit të kandidatit i duheshin dy vjet e dy muaj, sepse kërkesën për anëtarësim në BE e ka paraqitur më 22 dhjetor 2009, ndërsa statusi i kandidatit i është dhënë më 1 mars 2012. 

Njëkohësisht, së paku një vjet e nëntë muaj në këtë grup të vendeve i nevojiteshin Republikës së Maqedonisë të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ky vend statusin e ka marrë më 16 dhjetor 2005, ndërsa kërkesën për anëtarësim e ka paraqitur më 22 prill të vitit 2004. 

Statistika megjithatë tregon se statusi i kandidatit në BE mund të fitohet edhe më shpejtë, madje edhe për më pak se një vit. Shembull i kësaj është Islanda e cila në një kohë rekorde, prej vetëm njëmbëdhjetë muajve, ka kaluar rrugën nga aplikimi për anëtarësim të cilin e ka paraqitur më 16 korrik 2009, ndërsa statusin e kandidatit e ka fituar më 17 qershor 2010.
Për vetëm një muaj e dhjetë ditë Islanda pas marrjes së statusit të kandidatit ka filluar negociata për anëtarësim, por tre vjet më pas, më 13 qershor 2013 të njëjtat i ka ngrirë, ndërsa më 12 mars 2015 e tërhoqi kandidaturën e vetë për BE. 

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor statusin e kandidatit më së shumti e ka pritur Republika e Shqipërisë, pesë vjet e dy muaj. Kërkesën për anëtarësim në BE Shqipëria e ka paraqitur më 28 prill 2009, ndërsa statusi i kandidatit i është dhënë më 27 qershor 2014.

Komisioni Evropian më 10 tetor 2012 rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë me kusht miratimin e masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së Parlamentit. 

Presidenti i ri i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker pas zgjedhjes në atë post ka paralajmëruar se në pesë vitet e ardhshme, që do të thotë deri në mesin e vitit 2019, nuk do të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian, përkatësisht zgjerim i tij me 28 anëtarë të deritanishëm. 

Në atë periudhë pesëvjeçare, vuri në dukje kreu i Komisionit Evropian, do të punohet në procesin e mëtejshëm të progresit drejt anëtarësimit në BE të vendeve kandidate në aspektin e hapjes dhe mbylljes së kapitujve.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Mali i Zi, i cili ka arritur më së shumti në atë proces, dhe Serbia kanë filluar negociatat për anëtarësim në BE. Mali i Zi këtë e bëri më 29 qershor 2012, ndërsa Serbia filloi negociatat më 21 janar 2014, por akoma nuk ka hapur asnjë kapitull. Pritet që kjo të arrihet deri në fund të këtij viti. 

Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim që nga 1 tetori 2009, por deri më tani nuk është arritur ndonjë përparim i rëndësishëm në procesin e bashkimit. 

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor për fillimin e negociatave mbesin kështu Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, por vetëm pasi që marrin statusin e vendit kandidat. 

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Bosnjës dhe Hercegovinës dhe BE-së hyri në fuqi ditën e djeshme, më 1 qershor 2015, gjë e cila paraqet parakusht për bisedime mbi paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në BE.

Krahasuar me vendet tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rasti i Kosovës ndryshon në shumë aspekte. Kosova është kandidat potencial për anëtarësim në BE.

Pozita unike e Kosovës dhe rrethanat e jashtëzakonshme kanë shkaktuar vonesa të rëndësishme në procesin e përafrimit me BE-në. 

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës kanë filluar në tetor të vitit 2013 dhe përfunduan në maj të vitit 2014. Në korrik të vitit 2014, kryenegociatorët vendosën inicialet në marrëveshje. Komisioni tani është duke përgatitur propozimet për vendimin e Këshillit për nënshkrimin dhe përfundimin e saj. 

Në përgjithësi, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa MSA-në dhe me regjim të vizave me BE-në. Me fjalë tjera, Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në, dhe njëkohësisht, së bashku me BeH vendi i fundit në rajon që pret statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Tedi Blushi: Të gjithë qytetarët ishin dëshmitarë se si e gjithë administrata zbarkoi sot në Himarë! Nuk kam parë asnjë flamur të Vorio Epirit

Tedi Blushi: Të gjithë qytetarët ishin dëshmitarë se si e gjithë administrata zbarkoi sot në Himarë! Nuk kam parë asnjë flamur të Vorio Epirit