Teksa Këshilli i Mandateve është në pritje të shqyrtimit të heqjes ose jo të mandatit të deputetit të Mark Frrokut, i cili për më shumë se 6 muaj mungon në parlament pasi ndodhet në burg, Prokuroria e Përgjithshme është në dilemë nëse kjo çështje do të ndiqet penalisht në vijim nga kjo prokuroria, apo do i transferohet Prokurorisë së Tiranës.
 
Sipas burimeve të akuzës, nëse Këshilli I Mandateve vendos heqjen e mandatit për deputetin Frroku, atëherë automatikisht çështja penale kundër tij e humb kompetencën juridike për tu ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë, duke kaluar për kompetencë Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
 
Por nëse Këshilli vendos të paprekur mandatin e deputetit Mark Frroku, atëherë dosja do vijojë të hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë për sa i përket procesit gjyqësor që Mark Frroku ka në Belgjikë në datën 19 Tetor, burimet thonë se ky proces pritet të shtyhet.
 
Vetë i pandehuri Mark Frroku ka kërkuar që të shkojë fizikisht në Belgjikë dhe të ballafaqohet me faktet dhe akuzën që i është nfritur për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurtit. Vrasje kjo e kryer në vitin 1999. Ndërsa për sa i përket hetimit për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, mësohet se shumë shpejt prokuroria do e marrë të pandehur Mark Frrokun. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)