TIRANE- Ankesat e qytetarëve duket se nuk janë trajtuar siç duhet në vitin 2013. Në raportin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të përgatitur për vitin e shkuar, mësohet se janë marrë gjithsesj 255 ankesa nga qytetarët, por shumë pak prej tyre janë ndjekur nga ana e oficerëve të këtij shërbimi. Sipas SHKB-së, këto ankesa janë marrë në mënyra të ndryshme, që nga numri i telefoni që është falas deri edhe tek letrat që janë dërguar nga qytetarët të cilët kanë pasur probleme dhe janë ankuar për punën e uniformave blu.
 
ANKESAT E QYTETARËVE
Gjatë vitit 2013, nga ana e SHKB-së janë administruar dhe trajtuar 255 ankesa të qytetarëve, ardhur pranë strukturave të shërbimit nëpërmjet portave kryesore të komunikimit që shërbimi ka vënë në dispozicion të publikut; me postë zyrtare; plotësimit të formularit të ankesës në zyrën e informacionit dhe ankesave të shërbimit, linjës jeshile 0800 90 90 etj. Në raport thuhet se, gjatë proçesit të trajtimit dhe shqyrtimit të ankesave të shtetasve: “Veçanërisht në periudhën e 4-mujorit të fundit të vitit, i është kushtuar rëndësi e veçantë marrjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarin, duke i telefonuar, duke i mirëpritur në zyrat e shërbimit apo edhe në ambjentet e tyre private, si banesa apo edhe vende pune”. “Gjithashtu brenda afatit ligjore prej 30 ditësh të përcaktuar në rregulloret e shërbimit, i është kthyer përgjigje ankuesit mbi përfundimit e arritura pas procesit të verifikimit të ankesës/denoncimit të tij/të saj”, shkruhet në raportin e përgatitur nga SHKB-ja.
 
SHKELJET NË HETIM
Nga totali i ankesave të shqyrtuar prej strukturave të hetimit të SHKB-së, rreth 15 për qind e tyre, është konstatuar me shkelje të procedurave nga punonjësit e policisë dhe është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore prej strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit, ndaj personave përgjegjës.
 
ANKESAT TEK INSPEKTIMI
Sipas drejtuesve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm: “Ka qenë e gabuar vendosja e strukturës së marrjes dhe përpunimit të ankesave të publikut në strukturën e shërbimeve mbështetëse”. Pikërisht për këtë qëllim do të bëhet edhe ndryshimi i saj. “Do të propozojmë atë si pjesë përbërëse të strukturës së drejtorisë së inspektimit duke i dhënë vendin kryesor dhe të ngrihet në nivel sektori”, shkruhet në raportin vjetor të SHKB-së. “Hetimi administrativ i ankesave do të jetë pjesë përbërëse dhe prioritet i kësaj strukture”, thuhet në raportin e përgatitur nga ekspertët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
 
ANKESAT E HETUARA
Sipas raportit të SHKB-së, Drejtorisë së Inspektimit, i janë deleguar për të shqyrtuar dhe verifikuar 12 ankesa të dërguara nga qytetaret, shifër kjo mjaft e ulët. Në përfundim të të cilave rezultoi se: në 6 prej tyre ka patur shkelje të procedurave nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore për personat përgjegjës, në 4 raste për pretendimet nuk u konstatua shkelje e procedurave dhe në 2 raste materialet i janë dërguar Drejtorisë së Hetimit për ndjekje penale. Për këto 2 raste nga strukturat e hetimit të shërbimit është bërë kallëzimi në prokurori dhe ka filluar procedimi penal për 5 punonjës policie.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)