Elitat kulturore dhe politike në Shqipëri, por edhe ato kosovare nuk kanë lënë mashtrim e ligësi pa bërë, që trysnia të jetë aq e madhe mbi qytetarët e kfjelltë, që të mos i japin dashuri dhe besim atdheut të shqiptarëve kosovarë - shtetit të Kosovës. Sepse në këtë fazë, kur qytetarët do të lidheshin me shtetin, me konstitucionin e tij kushtetues dhe ligjet, me simbolet dhe konstitucionin shpirtëror (kujtesës kolektive)
do të zbehej krejt nacionalizmi etnik dhe do të niste të forcohej patriotizmi ligjor dhe ai etatist, pra, do të niste deetnizimi i shtetit dhe solidarësia qytetare ndër kosovarët Kur në mjesin e 21 janarit 2013 xhandarët serbë e zunë n’zgabim Preshevën, të fjetur dhe pa ëndrra, duke ua “vjedhur” një gur përkujues (si një epitaf varreze), u pa ashiqare se Qeveria e Serbisë po e shfrynte dufin për fillimin e fundit të shtetit imperialist serb në veri të Kosovës!

Prandaj shumë i dëshpëruar se nuk po mundet ta ndajë tokën e Kosovës me Tiranën, kryeministri serb ua përplasi për fytyre politikanëve kryesorë të shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Luginë të Preshevës mosguximin për ta mbrojtur shtetin e Kosovës, që, sipas tij, është i rremë, sepse askush nga shqiptarët nuk po e dashka!?

Kur i ke parasysh politikanët shqiptarë që kohëve të fundit po nxjerrin flakë nga gojët si kuçedrat e përrallave të moçme shqiptare, për bashkim kombëtar, njeriut normal i vjen për të vjellë, madje për të pëlcitur nga inati që, varg e vi po bien në kurthin e "vozhdave" të nacionalizmit egalitar serb - duke ua kthyer shpinën interesave të shtetit të Kosovës! E tash çka? Nuk është jo fundi i botës, ka gjithnjë boll hapësirë midis dy ekstremeve për gjithçka, pos për gërvallje të luftënxitësve të kafehaneve të Tiranës dhe Prishtinës... Sepse, është kod biblik se ai që vringëllon shpatën - nga shpata vdes! Prandaj, politikanëve shqiptarë po u soset koha, ajo nuk punon më për ta! Ata duhet ta zbërthejnë mesazhin me kast të Daçiqit e të mos bien në kurthin e teorisë së tij të lojërave. Nga kjo shejë e keqe buron edhe apeli qytetar për këta liderë. Ata duhet të bëhen njerëz të ndershëm e politikanë të zgjuar e të përgjegjshëm, sepse mund t'i rrënojnë fatet e miliona njerëzve!?

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha dhe Thaçi, duhet t'u thonë ndër sy atyre politikanëve në Luginë të Preshevës se nuk ka bashkim kombëtar, në kuptimin e ndryshimit të kufijve, se ky opsion është mbyllur me pavarësimin e Kosovës, nuk ka ndarje të Kosovës dhe zhbërje të saj. Ata duhet t'i realizojnë të drejtat e tyre civile dhe të njeriut në Republikën e Serbisë me demokraci e jo me nderveprime nacionaliste. Kush duhet t'i thotë Berishës se fjalimet e tij që nga festa e 100-vjetorit krijuan këtë ambient të pasigurt e përplot klithje barbarësh, që sot po ulërijnë anembanë Kosovës, në Kllokot e Prizren, në Viti e Fushë-Kosovë, në Gorazhdec e Syriganë të Skënderajt!?

Nacionalizmi si paranojë kolektive dhe patologji shoqërore përhapet si murtaja - pra merr përmasat e një epidemie. Kjo murtajë po reflekton edhe në Maqedoni, atje nacionalistët e rinj kërkojnë rrënimin e muzeut të UÇK-së, ndërkaq që simptomat e kësaj epidemie u ndien edhe në Vojvodinë, ku vandalë serbë kanë dëmtuar një pllakë përkujtimore për hungarezë e gjermanë të vrarë nga partizanët serbë pas Luftës së Dytë Botërore! Atje ku secili mësyn kultet e secilit, në mungesë të shtetit ligjor, anarkia po zë rrënjë!
Natyrisht se Serbia ka vepruar me inat në Preshevë, pra me metoda ballkanike, por shqiptarët e Luginës (ata janë direkt të prekur nga ky akt) duhet të kërkojnë zgjidhje demokratike dhe evropiane dhe t'i shmangin retorikat luftënxitëse.

Kurse kosovarët duhet t'i ndalojnë forcërisht revanshizmat joracionalë, përndryshe çdo veprim me reciprocitet, siç po stëreksploatohet ky term, nuk i dallon ata nga klerofashistët e Serbisë, por i bën identikë, të njëjtë, kushëri në botëkuptime!?
Liderët e Luginës duhet me urgjencë t'i drejtohen Brukselit e përmes tij edhe Beogradit zyrtar edhe për çështjen e lapidarit, dhe të gjejnë një modus të përbashkët (një modus Strasbourgian!) për trajtimin e historisë, kujtesës dhe konfliktit atje.

Gjithmonë duke pasur parasysh kontekstin e fashizmit të Milosheviqit dhe rezistencës antifashiste në vetë Serbinë, por edhe në Luginë të Preshevës. Ai lapidar edhe mund të kthehet herët a vonë në origjinë, por kjo nuk i zgjidh problemet e qytetarëve etnikë shqiptarë në Republikën e Serbisë. Serbia hala ka probleme me defashistizimin e shoqërisë serbe, prandaj edhe me de-etnizimin e shtetit përkatësisht modernizimin dhe evropianizimin e tij. Fundja të tilla probleme me perceptimin e shtetit po ka tërë Ballkani Perëndimor, i cili shtetin ia dedikon dhe rezervon në pronësi ekskluzive kombit etnik, e jo shtetasve të lirë e të barabartë.
Tirana dhe Prishtina duhet po ashtu të reagojnë me mençuri dhe maturi diplomatike e jo të qesin kashtë në zjarr. Çdo akt hakmarrës brenda Kosovës është kundër idesë së qytetërimit perëndimor, atje ku vendet e kultit, varrezat dhe kryqet janë shenjtëri dhe të paprekshme.

Shtetarët seriozë e nxjerrin mendjen lart mbi fjalët, e pastaj flasin fjalë që meritojnë vëmendjen e të tjerëve, vetërespektin dhe respektin e të tjerëve. Politikanët me etikë nuk i ulin fjalët tek pluhuri, nuk lejojnë që ato të ngrihen pastaj në qiell si ulërima. Disa politikanë shqiptarë kanë probleme serioze me makinën logjike dhe vetë gjuhën që përdorin, kur donin që të apelonin shqiptarët për kujdes: "Ruane gjakftohtësinë!" - thoshin këta shqipfolës.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 26 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)