Për këtë ministri Naço i referohet rasteve të kryetarëve të Gjykata në Durrës dhe Shkodër, të cilët janë të komanduar, dhe vonesat në emërimet e kryetarëve në këto gjykata, bëhen pasi krerët aktuale nuk përmbushin kriterin e viteve në detyrë.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë është ndalur tek rasti i ish-kryeprokurores Ina Rama e cila ka paditur sot KLD për mosemërim në Gjykatën e Apelit.
Ministri Naço e ka quajtur të drejtë kërkesën e ish-kryeprokurores, ndërsa thotë se “Rasti është shkelje e hapur e ligjit”.
Në reformë synohet të caktohet me ligj, vlerësimi i gjyqtarëve; ngritja e një këshilli edhe për prokurorët me të drejtë vote, etj.
Sipas një eksperti britanik KLD shqiptare është krahasuar me një korporatë krimi?
Do mbaja vetëm pjesën e parë të fjalës korporatë, por sa i përket fjalës krim, aspak. Nga mënyra si veprohet në KLD diçka e ngjashme me korporatën krijohet, por jo sa i takon krimit. Një pjesë e punës së KLD është përmirësuar por ka ende shumë për të bërë. Votimi për 4 vende vakantë në Gjykatën e Durrësit, e bën të ngjashme me korporatën. Kishte zyrtarë të shkëlqyer që nuk morën asnjë votë. Në 61 kandidatë në mënyrë të unifikuar 4 të marrin nga 11 dh e12 vota dhe të tjerët të mos marrin asnjë nuk është normale. Ishte parapërgatitur si votim. Unë besoj se dhe anëtarët e KLD e kanë lexuar progresraportin për 2013 ku flitet qartë se në muajt qershor-korrik KLD pati mundësi të tejkalonte kompetencat e veta për emërime, lirime në detyrë. Nuk mendoj se jam vetëm në KLD, si ministër i Drejtësisë kam të drejtën e një vote, por unë aty përfaqësoj mazhorancën që është votuar në 23 qershor. Qëllimi im është që të bëj përpjekjet maksimale që ky këshill të hyjë në vijën e ligjit. Nga 30 gjykata që ka vendi ynë vetëm 7 kryetarë gjykatash i gjeta të emëruar në shtator kur erdha në detyrë. Në mënyrë selektive ka vazhduar të vihen në rend dite dhe të miratohen anëtarë të tjerë jo me ritmin që unë do doja. Fakti që nuk ishin bërë më parë, tregon se ka një mungesë eficence, dhe është një mangësi e KLD. Ende nuk janë plotësuar vendet vakante për gjykatën Administrative. Unë propozova që gjykata të fillonte në datën 4 nëntor. Ligji shpreh qartë se duhet të ishin bërë emërimet para se të fillonte puna. Ka ende vende të paplotësuara. Ligji fliste qartë për një riorganizim të sistemit gjyqësor, por nuk u respektuar ky ligj. Sot kemi një ngërç që as vetë KDL nuk e zgjidh dot. KLD ka mungesë eficence për moszbatim të ligjit. Ka numër të madh gjykatësish në Lushnjë për shembull. Nuk kemi një KLD që të përcaktojë një rend ditë të qartë dhe të saktë. Janë tre apo 4 kryetarë gjykate që nuk i plotësojnë kriteret e ligjit, dhe po pritet të kalohet kohë sa ata të plotësojnë kushtet dhe të hyjnë në listë. Mund të përmend gjykatësit e Durrësit dhe Shkodrës, të gjykatës së Faktit dhe Administrative.
Si ministër drejtësie çfarë keni ndërmend të bëni?
Unë besoj se në çdo rast kam kërkuar që KLD të jetë në rrugën e ligjit. Mazhoranca është e vendosur t’i kryejë reformat e nisura. Do reformojmë Gjykatën e Lartë, KLD dhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Në emër të qeverisë shqiptare i kam kërkuar Komisionit të Venecias të asistojë në këto reforma.
Sa i takon mbledhjes së KLD ku pati përplasje për mbledhjet me dyer të hapura apo të mbyllura, cili është qëndrimi juaj?
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kohë që mbledhjet i bën të mbyllura dhe është kthyer në një bunker. Me këtë gjuhë foli Gjin Gjoni, u kërkua të bëheshin mbledhje të hapura por s’u pranuar nga pjesa tjetër. KLD është organ kolegjial. Ata që e drejtojnë folën në media se ministri i Drejtësisë po shantazhon gjyqësorin. Ministri s’mund të ndikojë tek gjyqtarët. Parë në këtë prizëm i kam drejtuar një shkresë KLD dhe i kam thënë që të fillojë procedurat e duhura inspektorati i KLD dhe unë të qëndroj jashtë kësaj. Ligji ka krijuar mundësinë që të ketë dy inspektorate një në ministrinë e Drejtësisë dhe një në KLD.
Inspektorati i KLD do merret me akuzat e zotit Malaj?
Unë i kam kërkuar inspektoratit të veprojë. Do ndiqen procedurat. Duke qenë se debati është publik, inspektorati pranë KLD duhet të tregojë se ka integritet dhe zbaton ligjin. Pati një procedim të zotit Gjin Gjoni që do ndjek procedurën ligjore ne këtë drejtim. Edhe pse inspektorati ka kohë që ka marrë letrën, nuk reagon në këtë drejtim.
Inspektorati në Ministrinë e Drejtësisë sa raste ka hetuar, ka çuar për shkarkim apo masë disiplinore gjyqtarët?
Në mbledhjen e parë të KLD presidenti ka dalë hapur se duhet të hiqet inspektorati pranë ministrisë së Drejtësisë, dhe unë këtë e kam marrë si këshillë dashamirëse. Janë bërë më shumë kontrolle tematike, në gjykatën e Tiranës apo Apel. Me shumë për pjesën tjetër ka qenë i angazhuar inspektorati pranë KLD në mënyrë që unë si ministër të mos shantazhoj asnjë nga gjyqtarët. Inspektorati pranë KLD është më aktiv krahasuar me atë pranë ministrisë së Drejtësisë. Nëse për 4 vjet janë dërguar për procedim gjyqësor 14 gjyqtar dhe vetëm 2 janë proceduar për t’u shkarkuar, unë i kam çuar të gjitha rastet që ka në ardhur, 12 procedime gjyqësore deri më tani, ku 7 deri në 9 janë për shkarkim. Këto materiale i kam kaluar KLD që t’i futë në shqyrtim.
Publiku ka votuar këtë shumicë qeverisë për të bërë presion mbi drejtësinë. Pse nuk është bërë kjo?
Është bërë. Kam pastruar sirtarët e ministrisë së Drejtësisë dhe ia kam dërguar për shqyrtim KLD dhe pres dhe inkurajoj KLD të futen në shqyrtim në rend dite.
Procedimet disiplinore u morën në konsideratë?
Ishin në rend dite dhe janë shtyrë për një ditë tjetër.
Kryetari dhe nënkryetari i KLD thotë se po bëni presion mbi drejtësisë. I bazojnë në ndonjë rast apo janë deklarata politike?
Ata e quajnë drejtësinë ishull të tyre, dhe nuk presin ndërhyrje të tjera për të përmirësuar sistemin. Ndërhyrjet i quajnë marrje kompetencash.
Kjo çështje ka suport politik apo korrupsioni?
Unë i di mjetet e mia ligjore dhe nëse do kem raste do bëj kallëzim. KLD në disa raste bën qokat të deklaruara. Katër kryetarët e gjykatës së Apelit që janë zgjedhur muajt e fundit, kandidatët kanë marrë nga 11 apo 12 vota dhe tjetri nuk ka marrë asnjë, edhe pse kanë qenë dy kandidatë.
Ministri Tahiri është përfshirë në debatin me KLD. Ka çuar letër për rastin e gjykatësit të Kavajës. Është parashtruar në KLD nga presidenti ky rast?
Unë jam njohur që në momentin e parë me përmbajtjen e letrës së ministrit Tahiri. Kemi vënë në punë inspektoratin e ministrisë së Drejtësisë që të kontrollohej ky gjyqtar. Materiale për 2 ditë është verifikuar dhe do ketë një konkluzion lidhur me këtë rast. Nga gjyqtari ka shkelje. Konkluzionet do t’i bëjmë publike dhe do t’i dërgohen KLD në përputhje të plotë me ligjin.
Një tjetër ngjarje që bëri bujë ishte për vonesën e dosjes së Arben Isufit. Ju çfarë informacioni morët?
Në ministrinë e Drejtësisë një nga zyrat që punon shumë është ajo e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, në kohën e duhur, përputhje të plotë me ligjin. Edhe për këtë rast është respektuar ligji. Dosja ka qenë voluminoze dhe më pas është vënë në dispozicion të Gjykatës.
Sot është ërë publik lajmi se ish-kryeprokurorja Ina Rama ka paditur KLD pasi nuk e ka emëruar si gjyqtarë. Mendoni se ka të drejtë?
Zonja në fjalë pasi mbaroi mandatin e vet, kishte të drejtë në përputhje të plotë me ligjin që të punonte në Prokurorinë e Përgjithshme, në atë vend që kishte qenë, apo një vend të barasvlershëm me të. Këtë e thotë ligji. Ajo ka bërë kërkesë, por KLD nuk e ka futur në rend dite. Ajo do zgjidhte një nga këto vende, dhe KLD duhet të vendoste. Prej një viti kërkesa e saj nuk është vendosur në rend dite. Kam kërkuar që kërkesa e saj të futej në rendin e ditës. Momentin e parë më është refuzuar kërkesa. Rasti është për mendimin tim shkelë e hapur e ligjit. Mund të kem arsye për të mos votuar zonjën Rama, por në këtë rast është shkelur ligji.
Ditët e fundit u publikua një rast gjyqësor ku përmendej gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe një rast i mundshëm lirimi. Si e gjykoni?
Unë kam kërkuar që këtë rast, Inspektoriati i Drejtësisë ta shohë me integritet dhe jo me zvarritje dhe të japë një konkluzion, qoftë edhe negativ. U kam thënë se, meqënëse ju, duke e quajtur ndërhyrjen si shantazh, keni Inspektoriatin tuaj për t’i verifikuar këto çështje dhe ka ardhur një shkresë nga ata që thonë se ka vend për verifikim. Zonja në fjalë nuk ka pse të rrijë në presionin e askujt por të verifikohet dhe të jepet përgjigja nëse e ka shkelur apojo ligjin. Mjafton që të kihet dëshirë që ne ta përmirësojmë sistemin.
Këto raste që ju thoni, a mendoni se do t’i marrë në shqyrtim Inspektopriati i Drejtësisë?
Po, ata janë të vendosur.
Si do të reformohet sistemi gjyqësor? Si do vlerësohen gjyqtarët? Se dimë që të fundit vlerësime janë të vititi 2006.
Ky vlerësim është një arritje, është një sukses që është bërë vlerësim, por kur na pyesin të huajt se për cilin vit bëhet fjalë, të huajt qeshin dhe sot këta gjyqtarë ngrihen e ulen në detyrë pa ditur vlerësimin. Ndaj KLD-ja ka marrë masë për t’i vlerësuar gjyqtarët dhe kjo duhet të bëhet me ligj. Drafti i është shpërndarë të gjitha institucioneve përkatëse, aktorëve dhe partnerëve tanë për të marrë vendim dhe ne shpresojmë që misioni “Euralius 4” të jetë pranë nesh për mbështetje.
A jeni i kënaqur nga puna e KLD-së apo Prokurorisë?
Unë nuk jam i kënaqur nga KLD-ja apo nga Zyra e Prokurorit, për shkak të situatës ku ndodhemi. Në rastin e korrupsionit ne nuk kemi pasur raste konkrete. Është shumë pak ç’ka është bërë. Ju jeni njohur me raportin e “Transparence International”, ku na krahasonin me vende si Laosi dhe Kamboxhia. Pra, kam shumë arsye që të mos jem i kënaqur.
Po si do t’i bëni ndryshimet në sistemin e drejtësisë? Ku?
Ne duam që Këshilli i Prokurorisë të jetë me të drejtë vote. Pra, siç ka një këshill për gjyqtarët, të jetë edhe një për prokurorët. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë ne kemi identifikuar problemet dhe duam të bëjmë reformën, të identifikojmë gjyqtarët më të mirë, prokurorët më të mirë, policët më të mirë; t’i trajnojmë që të krijojmë një elitë në kuptimin e mirë të fjalës.
Në Gjykatën Kushtetuese çfarë do të ndryshojë?
Vetë Gjykata Kushtetuese ka bërë një draft me ndryshime, por ne kemi disa probleme që duhet t’i zgjidhim me ligj me Gjykatën Kushtetuese; këto reforma duhen bërë.
Në Gjykatën e Lartë, çfarë pritet të ndryshojë?
Ditën e krijimit të Gjykatës Administrative unë kam thënë se ky është një revolucion. Në Kolegjin Administrativ, çështjet duhet të shqyrtohen brenda 90 ditëve dhe ky është detyrim ligjor që duhet të respektohet. Pra, në njërën anë kemi një revolucion dhe në anën tjetër qindra dosje që presin dhe vonesat identfikohen me korrupsion dhe kur ato nuk janë.Ne nuk duam të heqim kompetenca, por jo çdo lloj çështje mund të gjykohet edhe në atë të Shkallës së parë dhe në Apel; në të kundërt, duhet të shtojmë numrin e gjyqtarëve pra të ndryshojmë Kushtetutën në një kohë kur nuk shkon që një vend i vogël të ketë kaq shumë gjyqtarë.
Vitet e fundit u krijua një precedent kur President ishte z.Topi dhe Kryeministër Berisha. Topi i thërriste krerët e grupemeve parlamentare për konsultim lidhur me gjykatat. Po z.Nishani e bën këtë?
Nuk e kuptoj këtë konsultim, sepse është një ligj. Ndryshimi është i madh, sepse dekretet e z.Topi nuk kalonin as në Komisionin e Ligjeve e jo të vinin në Parlament. Pra, kjo do të thotë se konsultimi nuk ishte rruga e duhur.
Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)