Deri në fund të gushtit qeveria shpërndau tek fermerët 390 milionë lekë apo rreth 3.9 milionë euro si pjesë e skemës së saj të mbështetjes me naftë që po aplikon tashmë prej disa vitesh.
Të dhënat e raportuara në raportin e monitorimit të buxhetit për periudhën janar-gusht tregojnë se numri i përfituesve ishte thuajse sa gjysma e kërkesave reale për të përfituar nga kjo masë.
“Përgjatë vitit 2024 janë realizuar me një kosto faktike prej 129.9 milionë lekë këto produkte që synojnë përmbushjen e qëllimit kryesor: Miratimi i bazës ligjore për masat mbështetëse, të Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 (VKM dhe Udhëzimi), si dhe urdhri për alokimin e fondeve sipas masave, bazuar në kërkesën e AZHBR-së.
Në këtë mënyrë janë krijuar kushtet për të aplikuar rreth 15,597 aplikantë në skemat kombëtare, si dhe 54,255 në mbështetjen me naftë për bujqësinë; Ka filluar disbursimi për 4,273 përfitues të skemës kombëtare me një kosto faktike prej 661.6 milionë lekë dhe 23,190 përfitues për subvencionimin e naftës me një kosto faktike prej 390 milionë lekë” thuhet në raportin e monitorimit dhe të komenteve të publikuar në Mistrinë e Financave.
I njëjti dokument vlerëson se në 8 muaj është realizuar degustimi i rreth 48 mostrave të duhanit dhe 131 puro me një kosto faktike prej 17.8 milionë lekë si dhe janë promovuar bizneset dhe produktet shqiptare në 5 aktivitete ndërkombëtare dhe 2 kombëtare me në kosto faktike prej 3.7 milionë lekë.
Në 2021 u zbatua për herë të parë skema e mbështetjes me naftë falas për fermerët që vijoi zbatimin edhe në 2022, duke përfshirë për herë të parë rimbursimin e akcizës dhe taksës të qarkullimit për fermerët që kultivojnë dru frutorë, arrorë dhe perime.
E njëjta praktikë u ndoq edhe gjatë vitit 2023 teksa në 2024 skema ndryshoi. Kjo e fundit kaloi nga tërheqja fizike e sasisë së naftës pas plotësimit të kushteve tek marrja e subvencionit në para sipas rasteve. Subvencionet për këtë vit sa i takon mbështetjes së bujqësisë janë parashikuar në një vlerë rreth 12 milionë euro dhe deri në fund të gushtit rezulton e shpërndarë më pak se 1/3 e saj./Monitor