Sado me rezerva t’i marrim sondazhet për SPAK apo Reformën në Drejtësi sa i përket mbështetjes popullore, gabimi që mund të bëjmë është nëse mbështetja për ta është 90 për qind, 80 për qind apo 70 për qind. Në të gjitha rastet është mbi 70 për qind deri në 90 për qind.
Dhe normalisht, sondazhet për kundërshtarët e SPAK dhe drejtësisë së re përfshijnë pjesën që mbetet. Pra, Berisha si armiku më i madh publik i SPAK dhe drejtësisë së re mbetet të jetë nga 10 deri në 30 për qind.
Kjo është llogari aritmetike, nuk ka nevojë për shumë ekstrapolime profesionale. Në raste të tilla kur një politikan është në betejë elektorale, dhe ka një konstatim publik kaq flagrant, minimumi që mund të bëjë është të shmangë luftën publike ndaj SPAK, pasi bëhet i lexueshëm që është pakicë në vend. Nuk them që Berisha të bjerë në dashuri me SPAK, se nuk ka arsye, por mund të heshtë dhe mund të mos bëjë betejë politike. Aq më tepër pastaj të bëjë një luftë të neveritshme personale me pjesëtarë të SPAK apo familjarë të tyre, gjë që e evidenton edhe më keq si armik të SPAK.
Sa më e fortë të jetë kjo betejë mes tij dhe SPAK, aq më shumë ai zbret tek pakica që ka popullaritetin invers të SPAK. Pra, nëse SPAK ka 80 për qind mbështetje, ai ka 20; nëse SPAK ka 90 për qind, ai ka 10.
Pra, thjesht nga pikëpamja elektorale, Berisha duhet t’i druhej kësaj beteje. Por jo vetëm që nuk i druhet, por çdo ditë e më shumë e thellon atë.
Kjo është prova e vetme dhe më e fortë që Berisha në këtë betejë nuk ka objektiva elektoralë. Po të kishte objektiva elektorale, nuk do të bënte betejë me institucionin më kredibël në Shqipëri, por me ata që mund t’i konkurrojë.
Berisha në të vërtetë po zhvillon një “intifadë” familjare kundër SPAK për interesa të familjes së tij dhe në këtë luftë ka përfshirë edhe atë që quhet ende Partia Demokratike. Pra, gjithkush që ka iluzionin se beteja e Berishës është elektorale, duhet të kthjellohet: popullariteti i atij që bën betejë politike kundër SPAK është i thjeshtë për t’u llogaritur. Shikoni përqindjen e popullaritetit të SPAK dhe zbrisni atë nga 100. Kjo është vota që ka Sali Berisha.
Nuk është se Edi Rama ka ndonjë dashuri për SPAK dhe natyrisht edhe ai s’ka pse të ketë. As politikanët e tjerë. Është e qartë që SPAK tashmë është armiku i gjithkujt që ka punë me paratë publike në këtë vend apo krimin e organizuar. Por zgjedhja e Ramës për të qëndruar në anën e SPAK, përveçse është një nga reformat e ndërtuara prej tij, kushtëzohet ndër të tjera edhe nga fakti që ai bën llogari elektorale dhe kërkon të jetë ende një parti që i jep shpresë një vendi ku drejtësia ka qenë viktima e parë e politikës.
Të dënuarit nga Partia Socialiste dhe radhët e pushtetit në tërësi janë dhjetëra fish më shumë se disa kokrra hajdutësh nga opozita, por në asnjë rast nuk ka ndonjë kundërvënie politike ndaj SPAK. Pakënaqësitë ndaj SPAK shprehen në gjykatë, përmes ankimimeve dhe procedurave ligjore, dhe jo përmes mitingjeve politike.
Nëse i bën në rrugë, nëse i bën për politikë, atëherë ato nuk i shqyrton më gjykata, por elektorati. Dhe për fatin e keq të gjithë atyre që mendojnë se mund t’i bëjnë gjyq publik SPAK apo drejtësisë, tani për tani këtë verdikt e ka në dorë opinioni publik dhe ai ia ka dhënë votën SPAK dhe drejtësisë së re. Bëni kujdes, se keni zgjedhjet përpara, përveç halleve të tjera./ Tema