Prej kohësh ka një trend në opinion publik dhe në njerëz që angazhohen ose dëshirojnë të gjejnë një shteg dhe rrugë për të depërtuar në Partinë Demokratike, duke e parë si alternativë opozitare, të cilët kanë ‘guxim’ të shajnë, anatemojnë, kritikojnë dhe ‘nxjerrin sytë’ kujtdo në atë parti, përveçse Sali Berishës, të cilin kujdesen ta shfajësojnë sipas parimit ‘Enveri nuk di gjë, do ta ketë bërë Mehmeti me kokën e tij’.
Përveç kategorisë më lartë që përmenda, pra të atyre që tentojnë të futen nga dera, e njëjta gjë ndodh edhe me ata që i nxori Berisha nga dritarja, mirëpo, si rastet e ish-regjimit, edhe ata vijojnë të ‘mbajnë’ në gjoks portretin e Doktorit, sipas parimit e ka keqinformuar Muli me Albanën.
Kjo nuk është e re tashmë në një forcë politike, e cili nuk ka as forcë, as guxim, por, mbi të gjitha, as dëshirë për të ndryshuar, sepse është mësuar me gjendjen në të cilën ndodhet dhe me gënjeshtrat me të cilat vetë prodhon përditë.
Çështja nuk është për të gjetur ‘fajtorin’ në atë parti, mirëpo ka të bëjë më shumë me shqetësimin për ta vënë gishti mbi plagën reale të opozitës, e cila, pavarësisht se pushteti është gangrenizuar i gjithë, sërish nuk arrin ta ngjallë nervin popullor, për shkak të lidershipit të opozitës dhe të PD-së, që i ka kryer ‘orët e punës’ në politikë.
E thënë ndryshe, nuk mund të tentosh të hysh në atë parti për t’i zënë vendin Mulit dhe Albanës dhe të futesh ë sqetullën e Berishës. Mund të bësh një pakt për veten, mirëpo nuk përmirëson asgjë në atë parti.
Kjo gjë vlen edhe për ata që rrinë në oborrin e Berishës dhe i thonë njerëzve që nuk do jetojë Berisha jetë e mot.
Patjetër edhe ai si çdo qenie biologjike nuk është i përjetshëm, mirëpo kur t’i mbarojë atij koha biologjike, atyre që thonë kështu do t’u ketë mbaruar koha politike dhe do të jenë të padobishëm, qoftë për partinë, qoftë për shoqërinë.
Komente










