Nanon nuk e rrëzuan 'Tëvërat', por zullumqarët rreth tij!

Nanon nuk e rrëzuan 'Tëvërat', por zullumqarët rreth tij!

Fatos Nano

Vite më parë, pas 1997-ës zezonë kombëtare, kur Partia Socialiste kish fituar votat masive të elektoratit të majtë e përtej tij, e po drejtonte pushtetin legjislativ e ekzekutiv në Shqipërinë e katrahurës, botova shkrimin “Kam frikë nga hijet rreth Nanos !”.

Titull që ma përmendin sot e kësaj dite mjaft shokë e miq dhe sidomos ish emigrantët bashkëvuajtës të detyruar në Greqi. Të them të drejtën, për mua ishte një shkrim i zakonshëm dhe intrigues kryesisht nga rrëfimet shqetësuese të mjaft militantëve të thekur të asaj force politike, por edhe nga simpatizantët e saj jo të paktë.

Fatos Nano kishte dalë nga burgu politik i pashembullt në Ballkan e Europë ! Burgosje që tronditi rëndë besimin te Demokracia e vërtetë e Lirisë së trumpetuar me megafonë të vegjël e të mëdhenj, por edhe me daulle e me gërnetë ekstazë në ato kohëra të krisura. Hipokrizia e fjalimeve euforike për Pluralizmin e vërtetë politik, po digjej shpejt si flakë kashte.

Ndërsa mitingu i papërsëritshëm i qindra emigrantëve shqiptarë nga tërë Greqia në sheshin “Omonia” për tu takuar e biseduar ballë për ballë me Fatosin pa pranga në duar, do të mbahet mend gjatë. Kam parë nga afër gra e burra nga Labëria dhe Jugu që manifestonin të përlotur, të gëzuar, po edhe të revoltuar në kulm për bëmat e gjëmat që ranë nga pushteti çmendurak e kulpërak i së Djathtës.

Kam parë nëna e motra të veshura  si korbat për dhjetëra e dhjetëra burra, djem, vëllezër e fëmijë të ikur në atë botë nga plumbat e shtetit që ra si kuti kartoni sidomos pas rrokullimës së Piramidave financiare. Piramida që i hodhën pa mëshirë në mes të katër rrugëve dhe i zhveshën lakuriq shumë familje nga qyteti e fshati.

Kam parë e takuar bashkatdhetarë të arratisur nga sytë këmbët nëpër male e mbi telat me gjemba, që mallkonin me shpirt politikanët e çakërdisur e të hazdisur dhe rënkonin e vajtonin fatin e tyre dhe lënien e baballarëve e të nënave kërcure në pragjet e shtëpive të mbuluara nga zia e vetmia krejt e pamerituar. Madje, u shtuan si në një heshtje mortore, shtëpitë me oxhaqet pa tym dhe me drynat e ndryshkur mbi porta !

Një dramë e tragjedi e prekshme dhe e thekshme gjer në kockë. Atdheu ishte plagosur rëndë e brinjë më brinjë nga Polit(h)ika qorre e atij “regjimi gangster”. O njerëz, disa mbeturina e karrakatina të atij regjimi të mallkuar që na rrëmbeu deri shtëpi e katandi dhe na vërviti udhëve helm të kurbetit, që na shau e na vrau, që na ndau e na përçau, që gjakosi e varrosi lulen e vendit nga Tropoja në Sarandë, sot në perëndim e sipër kërkojnë me çdo çmim pushtet për t’ua lënë si pajë pinjollëve familjarë e politikë(?!).

Por nuk mund të harrohet as “turpi i namusqarëve patriotë” që gjoja u qante shpirti për “dinjitetin” kombëtar dhe dilnin nëpër ekranin e TVSH-së Policor të pacipë, bashkë me gjymat me ujë të qelbur për të fikur zjarrin e revoltës së vërtetë popullore(më saktë: revolucionin demokratik!) në emër të “imazhit” e të “krenarisë” shqiptare (?). Mirëpo, historia nuk harron. Ajo mban shënim edhe ëndrrat e shpresat sadopak xixëlluese…

-Dëgjomë pak, miku im i vjetër ! Ato “hijet rreth Nanos” para 25 viteve, shumica e tyre vërtiten, rrojnë e mbretërojnë ende në këtë botë jallane. Kujtoj një ish- ministër kokëplotë e dinjitoz nga Bregu i Detit, atëherë na tha se e kish parë mbi tavolinën e Kryeministrit gazetën e hapur te shkrimi yt,-më tregonte këto ditë një miku im i vjetër, gjirokastrit 24 karat, që banon këtu te Brryli.-Troç muhabeti, ato hije nate e mandate do ia hanin kokën pak më vonë, jo vetëm në Qeveri po edhe në Parti.

Nuk e them dot se Doktori po bënte gjumin e shejtanit apo ca “kolloqife me rigon”! Por kam bindje të palëkundur, se më të poshtër e më faqezinj ishin ata titullarë që këtej i lëpiheshin Fatosit, e matanë ndërtonin pallate me maska e pa maska, merreshin me kontrabandë skuthash e me kapobanda financiare tepër të pista nën ombrellën e pushtetit . U bënë aq të fuqishëm prapa krahëve, sa filluan të mos pyesnin as për shefin e Ekzekutivit e as për Sekretarin e Përgjithshëm “autoritar” të PS-së(?). Qoftë edhe për një pushim krejt arbitrar e arrogant nga puna…Çudira të krokolepsura që nuk janë ç’krokolepsur plotësisht sot e gjithë ditën ! Sinqerisht, nuk dua të besoj vetëm thashethemnajat popullore që qarkullojnë pa hesap.

Ti i provove vetë në kurriz, megjithëse kishe qenë pjesëmarrës me mandat në mbledhjen Themeluese të asaj force politike ku fale kontributin tënd. Ç’të të them unë më shumë ! Për shembull, viti 2005 i kërceu mjaft të palara mbi ujë, por sa para bën, atëherë “harro mushkë Valarenë”…Nuk ishin vetëm ekranet e Tëvërave. Jo ore, jo, për mua dhe shumë e shumë të majtë, atë e rrëzuan Pëgërat(jashtëqitjet) rreth tij, që sot pëlcasin nga pasuria e llogaritë bankare. Disa nga këta burrecër, të pabesë e karrieristë të tërbuar që shesin edhe babë e nënë, vazhduan  çuditërisht deri tani vonë nëpër kolltukë të larta qeveritare.

Dhe qyrkun e fajit ia hidhnin tinëzisht e djallëzisht Kryeministrit Nano ! Mirëpo mjerisht, koha po vërteton plotësisht mjaft fytyra të ndyra nga e majta, që dikur Fatos “liberali demokrat” e pa asnjë kompleks primitiv e militantesk i pranoi në vatër te oxhaku, u mësoi abc-në e liderit dhe të politikës moderne. Por siç thoshin dikur në mëhallën tonë të Dunavatit, ata kërthinj një ditë “u rritën e u manitën!” Mbi 30 vite me prapanicën mbi benza luksozë, me shoferë e bodiguardë, me vila në kryeqytet, në mal e në det. Dhe janë po këta sojsëzë të pandreqshëm që sot vjellin vrer fshehurazi edhe kundër Edi Ramës, pasi ia volën pushtetin pacipërisht ! Nuk e ndërrojnë kollaj qimen, e as zakonin e ujkut a të dhelprës plakë. Neve mbase e kullotëm livadhin e jetës dhe po na mblidhet lëmshi ngadalë e me faqe të bardhë, por kjo është e vërteta e hidhur, e thartë apo e ëmbël qoftë…

Fatos Nano nuk ka hiç nevojë për prokuror, gjyqtar, avokat a gazetar si unë që po na troket muzgu i jetës. Por të thuash publikisht se atë e rrëzuan Tëvërat, veç të tjerave, minimalisht synohet të shiten xhaba çerek e gjysmë të vërteta. Sikur i drejtohen një tufe me budallenj e naivë të vjetruar që çakërrisin sytë përballë tyre. Fjala vjen, a mund ta krahasosh standartin e tij perëndimor të dorëheqjes me ndonjë lider djathtas e majtas që ka 17 vjet(pas largimit të Fatosit) dhe mbajnë ende me thonj e me dhëmbë kolltukë e poste partiake e shtetërore ?...Dhe kanë nisur të qajnë me lotë krokodili fatin e rinisë shqiptare !

Dhe harrojnë që “popullin mund ta mashtrosh për një kohë, po jo për tërë jetën”. Nuk është thënë kot  nga të mençurit: Ruhuni nga gjysmë të vërtetat ! Dhe mos na hidhni tra më tra ! Ose më thoni: Kush sakrifikoi dhe e pagoi më shtrenjtë e më shumë nga e majta (në daçi edhe djathtas) nëpër qelirat me pranga mesjete të Pluralizmit të çartallosur ? Dhe namusqarët “patriotë” vazhdojnë t’i lakojnë e zgjedhojnë rrufisjet e gotës së uiskit ! Ndërsa sot duartrokasin ata që u hapën udhë Gërdeceve e qameteve me njerëz të djegur e të pjekur; hakmarrjes e gjakmarrjes në zemër të Tiranës(se për Azemin e lëpinë paturpësisht emrin e Fatosit, duke shkelur gjuhën!); vrasjeve të njerëzve me duar në xhepa te shkallët dhe trotuaret e selisë së Qeverisë ose ato vrasje 100 metra larg Ministrisë së Brendshme etj. etj. hatara që nesër do tromaksen brezat e rinj. Thoshte mirë një tregimtar i talentuar: O Zot, mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu !....

Neverinë deri në urrejtje ndaj Polit(h)ikës mashtruese e fare të pacipë e gënjështare që bubullin nga vilat e pasuritë marramendëse, në fund të fundit , e ushqejnë realisht Pëgërat brenda e rreth saj, majtas e djathtas. Politikani qytetar e i mençuri Nano, pas daljes nga burgu i padrejtë politik, nuk demonstroi asnjë thërrime hakmarrjeje ndaj atyre që i vunë prangat në sytë e prindërve antifashistë të betuar e të moshuar dhe tepër të respektuar në opinion !

Por ama, toleranca, liberalizmi progresiv, kultura e konsoliduar dhe qytetaria e tij e njohur edhe nëpërmjet humorit e sarkazmës së rrallë, arritën që ta bënin pas krahëve bishtin më të madh se sqepari !...Nuk hezitoj ta them se ai është një nga studentët e shkëlqyer të brezit tim dhe që botonte shkrime jo dosido në gazetën “Studenti” ku unë punoja e drejtoja pa asnjë lloj shpërblimi financiar. Dritëroi ynë, miku im i pazëvendësueshëm, një nga patriarkët e së majtës moderne dhe vëzhgues i hollë e kritik i veprimtarisë së Fatosit, foli prerë e publikisht kur të tjerë mërmërinin frikshëm ose heshtnin : “Fatos Nanoja është një personalitet i shquar shoqëror dhe politik, me një kulturë të admirueshme kombëtare dhe europiane…Kuadro si ai nuk dalin në horizont cdo vit !”…

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • velo: 07/11/2022 12:20

    Kane emera ata mosmirenjohesit e Nanos, apo ashtu kot....ne pergjithesi....

    Përgjigju
  • Dante: 07/11/2022 05:19

    Ka filluar mire pumen sektori i partise per te rehabilituar figurat me sinjifikative te korrupsionit te kuq si puna e Nanos! E di edhe bufi (perfshi Yllin) qe Rama se bashku me Meten i vune minat Nanos. Por nga ajo pune u zbyth Meta dhe perfitoi Berisha v.2 ose njohur me emrin e artit Rame Byroisti! Ah po. Ishte ajo kohe kur nuk porotestonte as Berisha askush per be, vecse krijeses Ramisto-Sorrosiane te quajtur "Mjaft" me ne krye pionerin e "lirive civile" mistrec Veliaj! Te cilin e testuan me sukses ne levizjet Nano-Ik, per ta finalizuar me tej me "rekrutimin" ne gjirin e mafies se kuqe sapo u certifikua si zero me bisht ne zgjedhjet nen G-99 (Gomari 99???). Po nejse. Beni punen tuaj sipas vijes se sjelljes nga "lart".

    Përgjigju
  • Ed R: 07/11/2022 05:13

    Shkrim servilesh , me nuhatje hijenash !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore