Napoli ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur italian, Massimiliano Allegri. Livornezi vetëm përpara pak ditësh u shkarkua nga Milani, teksa do të ketë mundësi të trajnojë në Champions League.
Pas largimit të Antonio Contes në fund të sezonit, drejtuesit e Napolit kanë lëvizur shpejt për të siguruar pasuesin e tij, duke zgjedhur Allegrin për projektin e ri. Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, marrëveshja mes palëve tashmë është e përfunduar dhe trajneri italian ka pranuar të gjitha kushtet e ofruara nga Napoli.
“E kryer, Massimiliano Allegri është trajneri i ri i Napolit. Ish-trajneri i Milanit ka pranuar të gjitha kushtet e ofruara nga Napoli dhe do të nënshkruajë së shpejti”, raportoi Romano.
Allegri rikthehet kështu menjëherë në pankinë, pasi u largua nga Milani në fund të sezonit pas dështimit për të siguruar një vend në Champions League.
Me Allegrin në stol Napoli synon të vazhdojë konkurrencën në elitën e futbollit italian dhe evropian, ndërsa kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të mbetet një nga shtyllat kryesore të repartit të mbrojtjes edhe nën drejtimin e trajnerit të ri.
Në anën tjetër, Antonio Conte raportohet se është pranë një aventure të re me Kombëtaren e Italisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se ai po pret kontaktin zyrtar nga Federata Italiane për të marrë drejtimin e “të kaltërve”.
? BREAKING: Massimiliano Allegri as new Napoli head coach, here we go! ??
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) May 28, 2026
Former AC Milan manager accepts all the conditions offered by Napoli and he will sign in shortly.
Deal done. ???? pic.twitter.com/fhwxsEftT0
Për Massimiliano Allegrin, ky do të jetë një rikthim te Napoli. Aventurën e parë nën hijen e Vezuvit ai e pati si lojtar në sezonin 1997-98, kur zhvilloi shtatë ndeshje. Allegri mbërriti në dhjetor nga Padova, me Napolin në vendin e fundit të renditjes dhe tashmë të dënuar për rënie nga kategoria.
Të kaltërit e mbyllën kampionatin me vetëm 14 pikë dhe vetëm dy fitore, duke rënë në Serie B. Për mesfushorin e atëhershëm, ai ishte sezoni i fundit në Serie A (ndeshja e fundit ishte humbja 5-0 ndaj Empolit më 8 shkurt 1998).
Pas Napolit, ai kaloi te Pescara në Serie B, përpara se ta mbyllte karrierën me Pistoiese dhe Aglianese.
Allegri do të jetë kështu ish-lojtari i parë i Napolit që do të drejtojë ekipin në epokën De Laurentiis.
Komente








