Një nga figurat kryesore opozitare në Venezuelë, Juan Pablo Guanipa u rrëmbye nga persona të armatosur, vetëm disa orë pas lirimit nga burgu, ku mbahej si i burgosur politik.

Ishte liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, e cila deklaroi se udhëheqësi i partisë “Drejtësia e Para”, u mor në lagjen Los Chorros të kryeqytetit, Karakas.

"Burra të armatosur rëndë të veshur civilë mbërritën me katër automjete dhe e morën me forcë", shkroi ajo në mediat sociale të hënën.

 

Zyra e prokurorit publik në vend konfirmoi më vonë se kishte kërkuar që Guanipa të vihej në arrest shtëpiak, duke pretenduar shkelje të kushteve të lirimit të tij.

Ndërkaq, djali i Guanipas, Ramon, deklaroi se babai i tij ishte zënë në pritë në një aktivitet natën vonë nga afërsisht 10 agjentë që nuk kishin asnjë dokument identifikimi.

"Ata i drejtuan armët, ishin të armatosur rëndë dhe morën babanë tim", theksoi Ramon.

Guanipa ishte midis disa të burgosurve politikë të profilit të lartë të liruar të dielën, në përpjekjen e fundit nga Karakasi për të përmbushur kërkesat e SHBA-së pas rrëzimit nga pushteti të udhëheqësit Nicolas Maduro nga Uashingtoni.

Ai u arrestua në maj 2025 , pas pretendimeve të ministrit të Brendshëm, Diosdado Cabello, se ai ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar “terrorist” kundër zgjedhjeve rajonale dhe legjislative. Guanipa e ka mohuar vazhdimisht akuzën.