Elseid Hysaj do Atletico Madrid dhe klubi madrilen duket se e ka seriozisht për të afruar mbrojtësin e djathtë shqiptar. Telenovela Hysaj-Atletico Madrid vijon dhe tashmë jemi në një kapitull të ri që mund të jetë i fundit.
Napoli ka ulur pretendimet ekonomike për shqiptarin dhe ky është një rast i mirë për skuadrën e Diego Simeones për të afruar një mbrojtës loë cost. Atletico ka një muaj që është interesuar për Hysaj por pretendimet e Napolit ishin të larta fillimisht deri në 25 mln euro.
Tashmë prestigjozja spanjolle As bën me dije se Napoli i ka ulur pretendimet financiare për Hysjan deri në 15 mln euro plus bonuset dhe kjo ka bërë që klubi spanjoll të kishte kontakte gjatë ditëve të fundit dhe mësohet se javën e ardhshme do të ketë disa takime të drejtuesve të Atleticos me menaxherin e futbollistit të Kombëtares.
Hysaj edhe pse i është bashkuar Napolit në grumbullim nuk do të qëndrojë tek të kaltërit. Fillimisht ai u lidh me një kalim tek Juvja e Sarrit por kjo nuk ndodhi. Zbulohet se ka pasur edhe një ofertë nga gjermanët e Schalke 04 por nuk e ka bindur 25 vjeçarin që dëshiron të vihet nën urdhrat e Simeones. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit të djathtë. Napoli e lë të lirë për 15 mln euro dhe Atletico është e gatshme ta paguajë këtë shifër për futbollistin shqiptar. /Përgatiti Andi Kapxhiu