Agjencia Amerikane e Aviacionit dhe Hapësirës (NASA) bëri të ditur se niveli dimëror i akullit të detit Arktik është në shkallën më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Shkencëtarët e kësaj agjencie kanë zbuluar se niveli i akullit gjatë stinës së dimrit të vitit 2018 është i dyti më i ulët që prej kur NASA filloi matjet e akullit përmes satelitit në vitin 1979.
Niveli më i ulët u regjistrua dimrin e vitit 2017.
Çdo dimër, akulli që mbulon oqeanin Arktik dhe i cili rrethon Polin e Veriut trashet dhe zgjerohet në sipërfaqe, që më vonë në pranverë hollohet duke u tërhequr.
Në njoftimin e fundit të NASA-s thuhet se sasia e akullit të matur më 17 mars të këtij viti ka qenë afërsisht 14,5 milionë kilometra katrorë.
Kjo sasi ishte 60 000 kilometra katrorë më shumë se rekordi më i ulët i regjistruar në mars të vitit 2017.
Niveli maksimal i akullit gjatë dimrit të vitit 2018 ishte dukshëm më i ulët se niveli mesatar i regjistruar në periudhën e njëjtë midis viteve 1981 dhe 2010, më saktësisht me 1,16 milionë kilometra katrorë.
NASA vuri në dukje se kjo sasi është e barabartë me një zonë që është më e madhe se shtetet Teksas dhe Kaliforni së bashku.
“Akulli i detit Arktik vazhdon me një trend të rënies dhe kjo lidhet me ngrohjen e Arktikut”, deklaroi Claire Parkinson, shkencëtar në NASA.
Shkencëtarët thonë se faktori kryesor për uljen e nivelit të akullit në Arktik është ngrohja globale.
Sipas tyre, efektet e reduktimit të sipërfaqeve të akullta në Polin Verior do të kenë ndikim me një gamë më të madhe të veprimit, nisur nga ndryshimet e motit të cilat do të ndryshojnë klimën sezonale për bimët dhe kafshët që jetojnë afër Rrethit Arktik.