NASA planifikon të krijojë një bazë të përhershme në Hënë në kuadër të programit Artemis, me synimin për të mbajtur astronautë për periudha afatgjata dhe për të përgatitur misionet e ardhshme drejt Marsit.
Projekti, i quajtur “Baza e Hënës”, parashikon ngritjen e një vendbanimi në Polin Jugor të Hënës, zonë që konsiderohet strategjike për shkak të pranisë së mundshme të ujit të ngrirë në krateret që nuk marrin dritë. Sipas NASA-s, ky ujë mund të përdoret në të ardhmen për ujë të pijshëm, oksigjen dhe madje edhe karburant për raketa.
Plani i plotë pritet të prezantohet më 26 maj në një konferencë nga selia e NASA-s në Uashington. Në fazën e parë, fokusi do të jetë te zbritja në sipërfaqen hënore dhe testimi i teknologjive për jetesë afatgjatë. Janë planifikuar 25 lëshime dhe 21 ulje, përfshirë misionin e parë me pilot të programit.
Faza e dytë përfshin ndërtimin e infrastrukturës së parë në Hënë dhe zgjerimin e operacioneve, me 27 lëshime dhe 24 ulje të planifikuara, si edhe misione të rregullta me pilot çdo gjashtë muaj. Ndërsa faza e tretë synon funksionimin e plotë të bazës me prani të vazhdueshme njerëzore. NASA planifikon 29 lëshime dhe 28 ulje, bashkë me shtimin e pajisjeve dhe sistemeve mbështetëse për astronautët.
Agjencia hapësinore amerikane pritet ta paraqesë planin në detaje më 26 maj, në një konferencë të posaçme informuese nga selia e saj në Uashington.
Komente








