Nasho Jorgaqi: E vërteta e letrave të
Gaqo Pecit, dërguar në adresën time

Nasho Jorgaqi: E vërteta e letrave të<br />Gaqo Pecit, dërguar në adresën time
Javën e kaluar në suplementin “Rilindasi” të gazetës “Shqiptarja.com” u botua artikulli “Gaqo Peci, tragjikomedia komuniste që përpiu jetën e gjuhëtarit korçar”, me autor Naum Mara, ku i bëhet homazh i merituar figurës së gjuhëtarit, studiuesit dhe mësuesit të shquar, birit të patriotit të madh Sotir Peci.

Me këtë rast evokohet gjyqi farsë që u organizua kundër tij në vitet shtatëdhjetë dhe dënimi i padrejtë që iu dha. Autori i artikullit, duke e përshkruar amatorisht kronikën e gjyqit, lakon dhe emrin tim.

Sipas tij, qenkam bërë unë një nga shkaktarët e dënimit të Gaqo Pecit, pasi i paskam dorëzuar Sigurimit të shtetit letra të tij që më kishte dërguar mua, ku fliste “me përçmim për gjendjen e letërsisë shqiptare dhe metodën e Realizmit socialist”. Zoti Mara, për fat të keq, pa u thelluar dhe pa u mbështetur në dokumente, shtrembëron të vërtetën. E vërteta, siç do ta dëshmojnë dhe tri letrat që po i botoj me këtë rast, është krejt ndryshe.

Sa për dijeni, Gaqo Peci ka qenë një nga miqtë e mi korçarë të nderuar jo vetëm si një intelektual me vlera dhe pinjoll i denjë i të jatit, por dhe si njeri i virtytshëm dhe me karakter.

Patriot dhe demokrat liberal, i mençur dhe i kulturuar, studiues serioz dhe mbrojtës i së vërtetës, i urtë dhe modest. Ishin këto cilësi që më lidhën me një miqësi të sinqertë, por qe dhe një rrethanë tjetër. Ishte  koha kur unë kisha nisur të punoja për jetëshkrimin e F. Nolit. Gaqua do të më ndihmonte jo vetëm me artikujt e tij mbi të jatin, Nolin dhe Vatrën, gazetat “Kombi” dhe “Dielli”, por dhe me arkivin e pasur të babait dhe njohuritë e gjera e të hollësishme që kish për diasporën shqiptare të Amerikës.

Altruizmi dhe gatishmëria e tij fisnike arriti kulmin  me një gjest gati të paharrueshëm. Kur doli në pension, erdhi në Tiranë dhe më takoi si ngaherë përzemërsisht. Në këtë takim më tha: “Tani që jam në pension do të merrem seriozisht e sistematikisht me hulumtime për Nolin tënd. Gjithë ç’ka arkivi i babait, që ju nevojitet juve, do t’jua kopjoj dhe do t’ua dërgoj rregullisht. Unë s’dija si ta falënderoja, veç mbaj mend që i emocionuar i thashë se “në radhë të parë ti shiko punët e tua studimore”. Por ai buzëqeshi dhe nuk foli.

Pasi u kthye në Korçë, nuk vonoi dhe më dërgoi zarfin e parë me të dhëna dokumentare për Nolin. Kjo praktikë do të vijonte për disa muaj: gati në çdo dy javë unë merrja rregullisht zarfet me vlerë të Gaqos, kryesisht me dokumente dhe me përshëndetje të përzemërta. Kujdesi dhe përkushtimi i tij aq miqësor më preku thellë e më vuri në pozitë të vështirë aq sa do t’i lutesha përsëri në telefon të mos e mundonte veten, por ai më përgjigjej se “kjo punë më jep kënaqësi”.

Megjithatë, ai prapë vazhdonte të më dërgonte zarfet e çmuara. Por erdhi një ditë që papritur ato ndalën. Mendova se Gaqua e kish marrë parasysh këshillën time dhe kjo më qetësoi. Veç kjo zgjati aq shumë sa unë fillova të shqetësohem , situatë të cilën do ta lexoni në letrën që i shkruaja në 1997, kur ai kish dalë nga burgu dhe unë  kisha marrë vesh të vërtetën nga libri i tij “Në panxhat e Sigurimit”, ku emri im shkruhej me iniciale.

Sigurisht që u trondita, sepse më kishin trazuar në një situatë absurde, kur bëhej fjalë për letra që s’i kisha marrë kurrë, ndërsa ato letra kishin qenë në dorën e Sigurimit dhe hallkave të hetuesisë, të prokurorisë e gjykatës pir të cilat unë s’kisha asnjë lloj dijenie.

Për ta bindur Gaqon, në letrën që i shkruaja pas 90-ës, i kërkova emrat e zyrtarëve që ishin marrë me të. Doja t’i takoja dhe të mësoja se si ishte thurur ky kurth. U vura në kërkim dhe mezi i takova dy nga ish-hetuesit të cilët, midis të tjerash, më thanë se letrat qenë diktuar gjatë censurimit të korrespondencës së tij dhe u përdorën si një nga akuzat nga prokuroria dhe gjykata. Për këtë e informova dhe vetë Gaqua, siç më shkruan në letër përgjigjen, thoshte se: “Më vjen shumë mirë – ju flas sinqerisht – që ato që kam shkruar për ju [tek libri i kujtimeve - N.J.]  të jenë “absolutisht të gabuara”.

Tani besoj se zoti Mara e kupton se është nxituar në gjykimet e tij dhe ta marrë vesh se ai që shkruan këto fjalë ka qenë një mik i sinqertë e besnik i Gaqos. Ndaj shpreh keqardhjen e thellë për gjithë ç’ndodhi në jetën e një njeriu të pafajshëm dhe të ndershëm si rrallë kush.
 
Tiranë, 17. 6. 97
I dashur Gaqo,
Po marr guximin të të drejtohem si njëherë, jo vetëm se ruaj të njëjtin respekt dhe konsideratë për karakterin dhe vlerat e tua njerëzore dhe intelektuale, por dhe sepse ndjehem me ndërgjegje të qetë e të pastër.
Rastësisht para disa ditëve më ra në dorë libri yt me kujtime “Në panxhat e sigurimit”. Sapo e pashë u gëzova dhe mendimi i parë që më erdhi ishte ky: të shkruaja një shënim në ndonjë gazetë. Mora ta lexoj dhe që në faqet e para ndeshem me gjënë të pabesueshme, me inicialet e emrit tim, me akuza të qarta për mua dhe fjalë zemërate nga më të rëndat. U trondita dhe rashë në mendime. Ishte një rrufe në të kthjellët. Një keqkuptim tragjik, që fatkeqësisht ka zënë rrënjë tek ty për vite të tëra. Mendova që të  nisesha menjëherë për në Berat për të të takuar e për t;i shpjeguar gjërat sy më sy, ballazi si burri burrit. Por gruaja, për kushtet e pasigurisë, nuk më la. “E vërteta s’është kurrë vonë të sqarohet, më tha, kur ndërgjegjja është e pastër”.
Atëherë vendosa të të shkruaj këtë letër, me shpresë se mund të hedhë dritë në të vërtetën e ngjarë. Dua të deklaroj me përgjegjësi morale e penale se unë nuk kam pasur asnjë lidhje me Sigurimin e shtetit dhe historinë tënde fatkeqe dhe aspak të merituar. Unë asnjëherë dhe asnjë prej letrave të tua nuk ia kam dorëzuar kurkujt. Di të them se, pas kohës që ti më shkruaje rregullisht letra, pasoi një pauzë e gjatë dhe unë të kam shkruar disa letra radhazi, duke shprehur shqetësimin se mos ti ishe gjë sëmurë. Kur heshtja i kaloi kufijtë, pyes mikun tim dhe tëndin Iljaz Gogajn se ç’mund të ketë ngjarë që ti s’përgjigjeshe. Ai, duke e njohur karakterin tënd, më tha: “Dëgjo, Gaqo ose ka vdekur ose e kanë futur në burg”. Doli kjo  fundit dhe këtë ma pohoi dhe Koço Bihiku, i cili e kish dëgjuar rastësisht.     Më erdhi  jashtëzakonisht keq dhe duke përfituar nga një rast, i thashë një mikut tim me pozitë: “Ç’bëhet kështu, futet në burg djali i Sotir Pecit, një mësues i ndershëm dhe burrë me karakter!? Miku më dha të drejtë, por s’qe në gjendje të bënte asgjë. Makina e shtetit totalitar ty tani të kish vënë poshtë në mënyrën më mizore dhe po hakmerrej padrejtësisht.
Të besosh, se më pas herë pas here jam interesuar për fatin tënd të rëndë. Më vjen jashtëzakonisht keq, që qoftë dhe një fjalë nga historia e letrave, nuk më erdhi në vesh. Nuk mund të them se do të ndryshoja fatin e ngjarjeve, por diçka do të bëja për dinjitetin tim.
Të jesh i bindur se ky ka qenë një kurth i Sigurimit për të përligjur burgosjen tënde dhe kanë shfrytëzuar korrespondencën tënde. Ka të ngjarë që duke  ditur natyrën tënde të sinqertë dhe karakterin e hapur, që ti mund ta shprehje dhe në letra, i kanë censuruar ato dhe kanë marrë atë që kanë dashur. Unë letra që citon ti për Sterjo Spassen apo mendime për letërsinë e kohës nuk kam marrë. Nuk mbaj mend të kem pasur shqetësime për ç’ka ti më shkruaje. Përkundrazi, letrat e tua aq korrekte dhe me aq informacione për Nolin dhe lëvizjen kombëtare në Amerikë, i prisja me interes e dobi të madhe për punën time. Ato i kam dhe sot e kësaj dite dhe i ruaj si gjëra të çmuara.
Kjo është e vërteta me zemër në dorë e ndërgjegje të pastër. Në qoftë se ti nuk më beson, atëherë do të lutem të më jepni emrat e hetuesve, oficerëve të sigurimit të Korçës dhe të gjykatësit e prokurorit. Megjithëse ajo kohë është e largët dhe koha e tanishme plot trazira, unë do të bëj ç’mundem për të hedhur dritë mbi të vërtetën me sa të mundem.
Të më besoni për këto që po ju shkruaj. Në rast se do të kisha qoftë dhe një hije në ndërgjegjen time, e mbyllja këtë histori në vetvete dhe heshtja, siç ka bërë dhe ndonjë burrë më i mirë se unë, që është viktimë e atij sistemi. Por, e përsëris, ajo që shkruani ju nuk është absolutisht e saktë. Jam gati të përgjigjem moralisht e penalisht. Prandaj, në pamundësi tani për tani për t’u takuar, do t’ju lutesha, brenda mundësive, të më përgjigjeni për sa ju shkrova.
Mbetem në pritje
Ju uroj shëndet
Nasho
 
Berat, 25. 6. 97
Zoti Jorgaqi
Sot më ra në dorë letra juaj. Reagimi juaj është i natyrshëm se akuza është e rëndë fort.
Më shkruani të jem i bindur se puna e letrave ka qenë një kurth i Sigurimit për të përligjur burgosjen time. E çfarë s’bënte Sigurimi!
Ka të ngjarë që punët të kenë rrjedhur si thoni ju, por fakt është se pas njëzet e katër orësh të arrestimit tim, nënkryetari i Degës së Korcës (një Bajram të cilit s’ia mësova mbiemrin) më përplasi në fytyrë disa letra të mia dërguar juve.
Kërkoni të dini emrat e hetuesit etj. Hetuesi quhej Luftar (mbiemri s’më kujtohet), shefi i hetuesisë Reshat Leskaj, prokurori Thoma Tutulani, ndërsa gjykatësja një Liri, të cilës s’ia mësova mbiemrin.
Më vjen shumë mirë – ju flas sinqerisht – që ato që kam shkruar për ju të jenë absolutisht të gabuara.
Gaqo S. Peci
 
 
Berat, me 9. 8. 97
Z. Jorgaqi,
Në letrën tuaj të datës 29.7.97 ndërmjet të tjerash përmendni Senekën se ç’ka thënë mbi shpifjen. Nuk besoj se keni dashur të hakmerreni duke më paditur për shpifarak. Te “Në vend të parathënies”  në librin tim kam shkruar – me të drejtë – se kujtesa e një të thyeri në moshë ka plot kusure, por, nga ana tjetër, s’duhet harruar se në raste jo të zakonshme kjo kujtesë mbetet e kthjellët qelibar dhe nuk shlyhet dot.
Ndofta keni të drejtë kur shkruani se duhej të ballafaqohesha me ju para se t’ju akuzoja botërisht. Por ja që (po e përsëris) sikur i kam edhe tani përpara syve disa letra të mia drejtuar juve që m’i tregonte shefi i hetuesisë Reshat Leskaj. A mund të qëndrosh gjakftohtë në të tillë rrethana?
Po përsëris edhe një herë se ish-Sigurimi kur donte, s’linte kusur pa bërë për të shkelur në gjoks “armikun” e për ta njollosur sa më shumë në sytë e botës. Pra ka shumë të ngjarë që të më kishte ngritur grackën ku rashë.
Më thoni se keni ndërmend të veni në Korçë të zbuloni të vërtetën, por nga ana tjetër dyshoni se a do t’ia arrini qëllimit, jo vetëm për ato që përmendni (askush s’e ka mendjen, aq më tepër s’ka burrërinë të thotë ose të pranojë të vërtetën) por edhe pse as kryetari i degës Marash Kola, as nënkryetari Bajram ..., as hetuesi Luftar..., as shefi i hetuesisë Reshat Leskaj, as prokurori Thoma Tutulani nuk janë korçarë e nuk banojnë aty. Këtyre pengesave u duhet shtuar se një pjesë e dëshmitarëve të mi të akuzës dhe ai i mbrojtjes kanë vdekur: Refat Kuçi, Nella Sinaeri, Kristo Kono, Aleko Skali, Emin Selenica.
Sidoqoftë bëni si ta gjeni të udhës. Për sa i takon Beratit, e vlen ta rishikoni sot këtë qytet ku krismat e të gjitha llojeve të armëve, vjedhjet, plaçkitjet, djegiet, “gjobat”, rrëmbimet e vajzave, pengjet, vrasjet, pastaj zvarritjet prapa karrocerisë së makinës të kufomave dhe më në fund djegia e tyre në mes të rrugës e në mes të ditës, në sy të sehirxhinjve, deri dje kanë qenë fare të zakonshme.
Ky është sot “populli mistrec i Beratit”. Po kanë filluar t’ia mbledhin rripat.

Shëndet
Gaqo S. Peci

jorgaqi
Fatos Peci

nasho jorgaqi

Nasho Jorgaqi

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit