/ATSH-Z.Tosku/-Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me fondacionin "Tradita Veshje Popullore", organizuan aktivitetin "Tradita Vazhdon" me rastin e Natës dhe Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Në natën e 17 majit, Natën e Muzeve, në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar, u mbajt edhe ceremonia e hapjes, ku foles te ndryshem e vunë theksin mbi rëndësinë që ka vazhdimi i respektimit të traditave nga brezi i ri. Me pas ceremonia vazhdoi me një sfilatë me veshje popullore nga të gjitha krahinat shqiptare.

Gjithashtu pati valle folklorike me koreografi nga Arjan Plaku. Ceremoninë e përshëndeti edhe grupi i Kasharit, fitues në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës këtë edicion.

Sakaq, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u çel panairi dhe një ekspozitë, ku paraqitej një odë miqsh dhe një odë nuseje me pajën e saj, si dhe manekinë me veshje popullore tradicionale. Krahas objekteve etnografike dhe veshjeve popullore të vjetra, u pasqyruan dhe krijimet e artizanëve të rinj për të treguar se si ruhet tradita.

Një kënd iu kushtua edhe Minimuzeut në familje, me objekte familjare me vlera artistike e kulturore të nxënësve të shkollave. Ndërsa një vend i veçantë iu rezervua shkollave të Yrshekut dhe Shijakut, të cilat prezantuan kulinarin tradicionale me receta dhe me një historik të shkurtër.