Irani ka lëshuar raketa drejt Kuvajtit dhe Bahreinit duke shënuar përshkallëzim të luftës, ndërsa SHBA-të kryen sulme të reja ndaj ishullit iranian Qeshm. Më herët, ushtria amerikane deklaroi se kishte “çaktivizuar” një cisternë nafte që po lundronte drejt një porti iranian, duke e goditur me një raketë AGM-114 Hellfire.
Aeroporti në Kuvajt është goditur nga dronë dhe raportohet se ka disa të plagosur. Fluturimet janë pezulluar. Autoritetet kanë deklaruar se është aktivizuar një plan emergjence pasi terminali T1 u godit nga dronë dhe raketa iraniane.
Ministria e Brendshme e Bahreinit deklaroi se janë aktivizuar sirenat e alarmit dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt. Edhe në Kuvajt, mbrojtja ajrore ka shkatërruar raketa dhe dronë. Irani po sulmon bazën amerikane të Arifjanit dhe bazën ajrore Ali Al-Salem në Kuvajt.
“Pas veprimeve armiqësore të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, në Ngushticën e Hormuzit dhe në ishullin Qeshm, bazat amerikane në Kuvajt janë goditur”, thotë IRIB. Më tej, transmetuesi iranian publikoi atë që pretendon të jetë “një raketë e mbrojtjes amerikane në Kuvajt, e cila pasi s’ia doli të shkatërronte raketat e lëshuara, u rrëzua në një zonë joushtarake”.
Shpërthime janë dëgjuar në Erbil të Irakut dhe në Arabinë Saudite.
Mediat iraniane kanë sinjalizuar se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-ve janë në vazhdim, një ditë pasi u raportua se Irani i kishte pezulluar ato. Megjithatë, negociatori kryesor iranian ka kërcënuar me përshkallëzim të mëtejshëm nëse vazhdojnë sulmet izraelite ndaj Libanit.
Një raund tjetër negociatash midis Libanit dhe Izraelit do të mbahet sot në Uashington. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “përparimi po vazhdon në frontin politik dhe të sigurisë, ndërsa po lëmë pas dështimet e njëzet viteve të fundit dhe po ecim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që synon rikthimin e sovranitetit të Libanit dhe garantimin e sigurisë së Izraelit”. Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të lehtësuar këto negociata historike”.
Lajm në përditësim…
Komente





