/ATSH-AFP/ -  Terroristët dhe xhihadistët mund të fshihen mes imigrantëve që përpiqen të kalojnë Mesdheun që prej brigjeve libiane, paralajmëroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

"Kjo është një tragjedi njerëzore, njerëzit humbin jetën në përpjekje për të kaluar Mesdheun. Është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të reagojë", deklaroi Jens Stoltenberg, duke përshëndetur ngritjen e një operacioni detar evropian për të penguar aktivitetin e trafikantëve të imigrantëve në Mesdhe.

"Një prej problemeve është se në këto barka mund të ketë luftëtarë të huaj, që mund të jenë terroristë që fshihen, që bashkohen me imigrantët", shtoi ai pas mbërritjes në një takim të përbashkët të ministrave evropianë të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme në Bruksel. Ministrat do të vendosin zyrtarisht për nisjen e këtij misioni.

"Kjo nënvizon rëndësinë për t'iu përgjigjur këtyre trazirave, këtij kërcënimi në mënyra të ndryshme", shtoi Stoltenberg duke shtuar se NATO punon mbi rrënjët e problemit duke bashkëpunuar me partnerët si në Lindjen e Mesme ashtu edhe Afrikën e Veriut për t'i ndihmuar të rrisin kapacitetet e tyre dhe për krijimin e stabilitetit./