Natyralizmi dramatik tek
Nudoja e Madhe e Bajos

Natyralizmi dramatik tek<br />Nudoja e Madhe e Bajos<br>
Në shumëdimensionin e vet, karriera e Bajos ngrihet në kohë mbi tema të përzgjedhura në formë ciklesh. Dallohen mes tyre portretet, nudot e raftet si memorie figurative, si dhe kafshët në versione të ndryshme. Stacioni tjetër janë instalacionet, ku sipërfaqet eksperimentale shënohen nga objekte rrethanore në kërkim të ndjesive të reja. Për Bajon, rikthimi periodik tek disa prej tyre, si portretet a nudot, duket se përbën në esencë, nevojën për të thelluar kërkimin e tij mbi dimensionin ekzistencial të figurës njerëzore. Edhe në ekspozitën e nëntë personale theksohet pikërisht raporti mes trupit dhe sensualitetit, ndërsa ripropozimi shton në galerinë e tij imazhe e karaktere, ku gjuha plastike shënon natyrshëm sipërfaqet e tyre.

Në këtë ekspozitë të fundme, ky kërkim shumëvjeçar, reduktohet në pak personazhe, aq sa dhe tema, duke u fokusuar në vetëm tri syresh. Në mes të saj qëndron e ulur Nudoja e madhe, esencialisht krijimi i fundit dhe më i rëndësishëm i autorit. E mbajtur në dorë gjatë, si një shenjë ku duket se artisti gjen mirë vetveten, vepra përbën sintezën e kërkimit të tij mbi natyrën njerëzore, marrëdhënien e tij me trupin dhe me tjetrin. Pikërisht trupi kthehet në testamentin e tij estetik, me dimensionet imponente përmbi natyralen, linjën sensuale, e psikologjinë e zhveshur nga droja.

Si manifest i botëkuptimit të tij mbi moralin, sa dhe mbi botën, trupi i zhveshur, përhumbur në dimensionin e vet mbi karrige, e përkufizon atë çka artisti në disa dekada kërkon në morfologjinë femërore. E trajtuar pak, në të tilla dimensione, Nudoja e madhe e Bajos hap një kapitull tjetër për artin vendas. Ajo njëherazi pozicionohet mbi temën e mediumin në një ballafaqim të ri, si manifest maksimal i forcës së vet krijuese, gjuhës plastike, natyralizmit dramatik, por dhe cenues të moralit konservator nostrom.

Në sallën ngjitur, figura femërore në dimensione më të vogla shumëfishohet vallëzuese me një copë të stërmadhe. Huazuar e përzgjedhur nga personazhet e atelierit të tekstilit, figurat zgjaten me shije, sensuale e romantike, ndërsa shkëlqimi metalik, ngase të realizuara në alumin, i vendos ato më afër gjuhës post-industriale të artit bashkëkohor.

Në sallën djathtas, autori propozon një medium tjetër, atë të instalacionit. Shpërndarë në hapësirë, ai ndërtohet nga kallëpet e skulpturave që flenë në studio. Me dimensione e formë të çrregullt, kallëpet e allçisë, si mitra ku skulptura dekantohet, janë pjesë normale e rekuizitës së çdo skulptori, ndërsa artisti i propozon ato si një riprojektim i ndryshëm i vetvetes.

I propozuar si format edhe më parë në cikle si Lost time, apo Raftet, Bajo nuk i ripropozon veprat e tij si obelisqe të një kohe të kaluar, porse si pjesë e procesit të punës së skulptorit, të cilat në një kontekst tjetër ofrojnë një ndjesi të re formale. Përveç se si biblioteka personale e autorit, kallëpet e skulpturave, të hapura e jo, tregojnë shtresat e veta, në negativ a pozitiv, çka synojnë qëllim tjetër, atë didaktik. Për të përforcuar këtë, Bajo ofron tek salla e Nudos së madhe, në qiri, copëza të formës nga procesi para derdhjes në metal. Këto momente, propozuar nga autori në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, si skulptor e pedagog, marrin një rëndësi të veçantë sa për studentët, aq sa dhe për artdashësit.

Skulptura e Bajos e nisi rrugëtimin e vet në fillim-vitet ’90, kohë kur ndryshimet politike i imponoheshin realitetit duke tronditur nga themelet të gjithë shoqërinë shqiptare. Për të, diskutimi i ri estetik mbi mediumin mund të zhvillohej vetëm mbi trupin e njeriut, ndërsa gjuha plastike manifestohej me shtrembërime atipike, gërvishtje, a gropëzime. Në ekspozitën e tij të nëntë personale, pas rreth tri dekadash karriere tejet dinamike, ky “konflikt” ekzistencial mbi figurën njerëzore duket se përbën ende epiqendrën e kërkimit të autorit.

E dëshmon këtë, dimensioni imponues i Nudos së madhe në sallën qendrore, aq sa vallëzimi shkëlqyes e i ftohtë i figurës në sallën tjetër. Si një nga zërat më të rëndësishëm të skulpturës vendase, ai mbetet gjithnjë besnik dhe shijues i formës nga natyra, ndërsa hetimi mbi figurën e njeriut është sintezë e këtij kërkimi. Raporti që ai ka me realitetin, kalon pikërisht prej kësaj marrëdhënieje, ndërsa gjuha e tij synon dimensionin ekzistencial të saj, sa edhe pozicionin me artin pamor bashkëkohor.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari