Ndahet nga jeta ish-Sekretari i SHBA-së, zyrtari që qëndroi më gjatë në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore

Ndahet nga jeta ish-Sekretari i SHBA-së, zyrtari që qëndroi më gjatë në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit George P. Shultz me Presidentin Ronald Reagan dhe zëvendëspresidentin George Bush

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit George P. Shultz, një titan i jetës akademike, biznesit dhe diplomacisë amerikane i cili kaloi shumicën e viteve 80 duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik e duke krijuar një kurs paqeje për Lindjen e Mesme, u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare.

Zoti Schultz vdiq të shtunën në shtëpinë e tij e cila ndodhet në kampusin e Universitetit të Stanfordit. Ai ishte një bashkëpunëtor i shquar i Institutin kërkimor Hoover, e mbante titullin e profesorit në Shkollën Pasuniversitare të Biznesit në Stanford edhe pas daljes së tij në pension.

Instituti Hoover njoftoi vdekjen e zotit Schultz të dielën, por nuk bëri të ditur shkaqet e vdekjes.

Një republikan i përjetshëm, zoti Shultz mbajti tre poste të rëndësishme në kabinetet qeveritare gjatë administratave të drejtuara nga republikanët.

Ai ishte Sekretar i Punës, Sekretar i Thesari dhe drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit nën Presidentin Richard M. Nixon përpara se të shpenzonte më shumë se gjashtë vjet në detyrën e Sekretarit të Shtetit kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Presidenti Ronald Reagan.

Zoti Schultz ishte sekretari Shtetit me kohën më të gjatë të qëndrimit në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë jetës së tij, zoti Shultz pati suksese në pothuajse gjithçka që preku, përfshirë fushën akademike, mësimdhënien, shërbimet qeveritare dhe botën e korporatave. Ai u respektua gjerësisht nga kolegët e tij që i përkisnin të dy krahëve të politikës.

Pas hedhjes në erë në tetorit e vitit 1983 të kazermave ushtarake amerikane në Bejrut, ku si pasojë u vranë 241 ushtarë, zoti Shultz punoi pa u lodhur për t'i dhënë fund luftës brutale civile në Liban. Ai kaloi orë të panumërta duke shërbyer si ndërmjetës mes palëve në një përpjekje për të siguruar tërheqjen e forcave izraelite.

Përvoja e bëri atë të besonte se stabiliteti në rajon mund të sigurohej vetëm me një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Ai u nis për një mision ambicioz, por përfundimisht të pasuksesshëm për t’i ulur palët në tryezën e negociatave.

Megjithëse zoti Shultz nuk e arriti qëllimin e tij për ta futur Organizatën Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelin në një kurs drejt një marrëveshje paqeje, ai formësoi rrugën për përpjekjet e administratave të ardhshme në Lindjen e Mesme, duke legjitimuar palestinezët si një popull me aspirata e interesa të vlefshëm në përcaktimin e së ardhmes së tyre.

Si kryediplomat i kombit, zoti Shultz negocioi traktatin e parë për zvogëlimin e arsenalit bërthamor të Bashkimit Sovjetik, megjithë kundërshtimet e ashpra nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ndaj "Iniciativës Strategjike të Mbrojtjes" së Presidentit Reagan.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi i vitit 1987 ishte një përpjekje historike për të ndryshuar kursin e garës së armëve bërthamore, një qëllim të cilin ai nuk e braktisi kurrë në jetën private.

"Tashmë që dimë kaq shumë mbi këto armë dhe fuqinë e tyre", tha zoti Shultz në një intervistë në 2008 "ato janë pothuajse armë që nuk do t'i përdorim, kështu që mendoj se do të ishim më mirë pa to".

Ish-Sekretari i Shtetit Henry A. Kissinger, duke reflektuar në kujtimet e tij mbi atë që e ka cilësuar si "Shultzi shumë analitik, i qetë dhe altruist", i dedikoi atij një vlerësim të jashtëzakonshëm në ditarin e tij: "Nëse do të zgjidhja një amerikan, të cilit do t'i besoja fatin e kombit në krizë, do të ishte George Shultz”.

George Pratt Shultz lindi më 13 dhjetor 1920, në qytetin e Nju Jorkut dhe u rrit në Englewood të Nju Xhersit. Ai studioi ekonomi, çështje publike e ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it, ku dhe u diplomua në 1942.

Pas Princeton-it, zoti Shultz iu bashkua trupave të Marinës dhe u ngjit në gradën e kapitenit si oficer artilerie gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në 1949 ai morri gradën e doktorit në ekonomi në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit (MIT) dhe dha mësim aty dhe në Universitetin e Çikagos, ku shërbeu si dekan i shkollës së biznesit. Përvoja e tij në administratë përfshinte një post si një nga ekonomistët kryesor të Këshillit të Konsuletëve Ekonomikë të Presidentit Dwight D. Eisenhower dhe si drejtor i Zyrës për Menaxhimin dhe buxhetin gjatë administratës Nixon.

Zoti Shultz ishte president i kompanisë së ndërtimit dhe inxhinierisë Bechtel Group nga 1975-1982 dhe dha mësim me kohë të pjesshme në Universitetin Stanford përpara se t’i bashkohej administratës Reagan në 1982, duke zëvendësuar Alexander Haig-un, i cili dha dorëheqjen pas përplasjeve të shpeshta me anëtarët e tjerë të administratës.

Në 1985 u shënua një mosmarrëveshje e rrallë publike mes zotit Reagan dhe zotit Shultz, kur presidenti urdhëroi me mijëra punonjës të qeverisë federale me qasje tek informacionet e sekrete, që të kryenin një test me aparatin që identifikon gjënjeshtrat, kjo si një mënyrë për të bllokuar rrjedhjen e informacionit. Zoti Shultz u tha gazetarëve se në atë "moment që kjo qeveri e ka humbur besimin tek unë do të jetë dhe dita kur unë largohem". Shumë shpejt administrata e tërhoqi kërkesën. Një mosmarrëveshje më serioze ishte rreth shitjes sekrete të armëve Iranit në 1985 me shpresën për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane të mbajtur në Liban nga milicia e Hezbollahut.

Megjithëse zoti Shultz e kundërshtoi, zoti Reagan vazhdoi me marrëveshjen dhe miliona dollarë nga Irani shkuan tek guerilasit e krahut të djathtë Contra në Nikaragua.

Pasi Reagan u largua nga detyra, zoti Shultz u kthye tek kompania Bechtel.

Ai u tërhoq nga bordi i kompanisë në 2006 dhe u kthye në universitetin e Stanford-it dhe në Institutin Hoover.

Në vitin 2000, ai u shndërrua në një nga mbështetësit e hershëm të kandidimit për president të George W. Bush, babai i të cilit kishte qenë nënpresident ndërsa zoti Shultz shërbente si Sekretar Shteti. Zoti Schultz shërbeu si këshilltar jozyrtar i fushatës së tij.

Zoti Shultz mbeti një avokat i flaktë i kontrollit të armëve në vitet e tij të mëvonshme, duke folur kundër disa qëndrimeve kryesore të republikanëve. Ai shkaktoi polemika pasi e quajti luftën kundër drogës për qëllime argëtimi, të mbështetur nga zoti Reagan, një dështim dhe qortoi embargon e gjatë të Shteteve të Bashkuara mbi Kubën duke e cilësuar atë "të çmendur".

Ai ishte gjithashtu një ithtar i shquar i përpjekjeve për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se injorimi i rreziqeve ishte vetëvrasje.

Zoti Shultz, së bashku me ish-sekretarin republikan të Shtetit Henry Kissinger, tërhoqën vëmendjen e shtypit gjatë fushatës presidenciale të 2016, kur refuzoi të mbështesë kandidatin republikan Donald Trump. Ai u citua të thoshte "Zoti na ndihmoftë" kur u pyet mbi mundësitë e zotit Trump për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Shultz ka qenë i martuar me Helena "Obie" O'Brien, një infermiere e ushtrisë me të cilën u takua gjatë Luftën e Dytë Botërore dhe patën pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj, në 1995, ai u martua me Charlotte Maillard, në vitin 1997.

Në 1989 zotit Shultz i është dhënë titulli më i lartë civil i kombit, Medalja Presidenciale e Lirisë./ VOA

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar