Edhe nëse nuk e kishe njohur nga afër, Namir Lapardhjaja ishte një prani e vazhdueshme në jetën publike përmes shkrimeve të tij. Ai ishte nga ata autorë që nuk kalojnë pa u vënë re, sepse nuk shkruajnë për të mbushur hapësirë, por për të trazuar ndërgjegje.
Vdekja e tij e parakohshme nuk është vetëm një humbje familjare. Është një humbje për gazetarinë, për publicistikën dhe mbi të gjitha për një kulturë debati që sot ka më shumë nevojë se kurrë për zëra të sinqertë dhe të pakompromis.
Lapardhjaja ishte një publicist i mprehtë dhe një analist i realitetit shqiptar, që nuk e shihte vendin e tij me cinizëm, por me një dashuri të vështirë, me atë lloj dashurie që të detyron të flasësh, të kritikosh dhe të mos heshtësh përballë asaj që nuk shkon. Ai e njihte Shqipërinë e tranzicionit në thelb, me gjithë kontradiktat, zhgënjimet dhe shpresat e saj të papërmbushura.
Në një kohë kur shumëkush zgjedh kompromisin, ai zgjodhi koston. Të ndjekësh pasionin dhe të mbrosh bindjet në një realitet të brishtë institucionalisht dhe moralisht ka çmim, dhe ai e pagoi këtë çmim pa hezitim. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me letrat, me kërkimin dhe me përpjekjen për t’i rikthyer shoqërisë një sens reflektimi që shpesh mungon.
Një nga dimensionet më të forta të mendimit të tij ishte raporti kritik me të djathtën shqiptare. Si një i përndjekur nga sistemi i kaluar, ai iu bashkua asaj me besimin se do të përfaqësonte vlerat e lirisë dhe dinjitetit. Por zhgënjimi që pasoi ishte i thellë. Për të, kjo nuk ishte thjesht një zhgënjim politik, por një plagë personale, një ndjenjë braktisjeje që rëndonte mbi një histori tashmë të mbushur me dhimbje.
Pikërisht ky dimension e bënte zërin e tij të veçantë, sepse ai nuk fliste nga distanca, por nga përvoja. Nuk kritikonte për efekt retorik, por sepse kishte besuar. Dhe kur një zë që ka besuar flet për zhgënjimin, ai meriton të dëgjohet më shumë se kushdo tjetër.
Sot, përballë largimit të tij, tundimi është të rikthehemi te temat që ai vetë ngrinte me aq këmbëngulje. Por ndoshta sot nuk është dita për këtë. Sot është dita për të kuptuar boshllëkun që lë pas një njeri që jetoi me integritet intelektual dhe pasion të rrallë për fjalën.
Sepse në fund, humbja e Namir Lapardhjasë nuk është vetëm një penë më pak. Është një zë më pak , dhe zërat si i tij nuk zëvendësohen lehtë.
Komente











