Ndahet nga jeta Reshat Kripa! Basha: Humbje e madhe, ishte luftëtar i paepur kundër diktaturës

Ndahet nga jeta Reshat Kripa! Basha: Humbje e madhe, ishte luftëtar i paepur kundër diktaturës

Reshat Kripa dhe Lulzim Basha

Reshat Kripa, një nga figurat më të njohura antikomuniste në vend, ish-burgosur dhe i përndjekur politik, është ndarë nga jetë në moshën 83-vjeçare.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur dhimbjen për këtë humbje, e ndërsa ka treguar edhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgje të Reshat Kripës.

Postimi i Bashës:

Mësova me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të z. Reshat Kripa, pinjoll i një nga familjeve më të njohura të Vlorës dhe një luftëtar i paepur kundër diktaturës dhe për lirinë e individit.

Z. Kripa e njoha fillimisht nga librat që flisnin për rezistencën ndaj diktaturës komuniste, ku Reshati, që në moshën 15 vjeçare, bashkë me dy shokë të tij, shpërndante thirrje-trakte për rrëzimin e diktaturës. “Duke pasur flamurin kuq e zi të Skënderbeut të ngrihemi që të gjithë të luftojmë për lirinë e grabitur”, thuhej në njërin nga traktet e 15-vjeçarit Kripa. “Për Shqipëri, për liri, për flamurin kuq e zi”.

Firmosur nën pseudonimin “Atdhetari”, kjo veprimtari e hershme e Reshat Kripës do të shenjonte në fakt të gjithë jetën e tij. Në burgun e hershëm për minorenët, e më vonë në burgjet e gulagët e diktaturës, Reshati nuk e pranoi kurrë rreshtimin e Shqipërisë përkrah diktaturave komuniste.

Edhe pas rrëzimit të Perdes së Hekurt, Reshat Kripa mbeti Atdhetari që kish qenë, një luftëtar i rangut të parë kundër çfarëdolloj tentative për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës. Ai sëbashku me të motrën, aktoren e paharruar Drita Pelinku (Kripa), u angazhuan pa u lodhur në betejën e demokracisë së re të Shqipërisë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Reshat Kripa ishte themelues i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe një aktivist i pashoq në betejën për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e drejtë të ish-të përndjekurve politikë. Në këtë sfidë të dytë të jetës së tij pata fatin ta njoh personalisht Reshat Kripën dhe të ndaja me të energjinë e angazhimit për një kauzë të drejtë.

Me largimin e tij, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, por aktivizmi i tij politik, publicistik e shoqëror do të mbeten trashëgimia e tij më e vyer për bashkëvuajtësit, si dhe të gjithë shqiptarët që ndanin me të aspiratën për ta parë sa më shpejt Shqipërinë një anëtare të denjë të familjes europiane.
U prehtë në paqe!

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj