Kanë mbërritur në Turqi aktivistët e flotiljes 'Sumud', mes të cilëve edhe shqiptari Baki Goxhaj, të ndaluar pak ditë më parë nga Izrali teksa po dërgonin ndihma drejt Gazës.

Turqia u përfshi në operacione speciale për rikthimin e aktivistëve humanitarë të flotës Sumud, të cilët prej 48 orësh mbaheshin në Izrael nga forcat e sigurisë pasi u kapën 450 larg brigjeve të Gazës të Hënën, teksa i ishin drejtuar bllokadës detare për të dërguar ndihma humanitare.

3 avionë të Turkish Airlines morën nga porti Ramon i Izraelit qindra aktivistë dhe i dërguan drejt Turqisë, mes tyre edhe shqiptari Baki Goxhaj. Shqiptari do të pritet në Stamboll nga konsullata shqiptare atje dhe më pas do të përcillet për në Shqipëri. Ministria e Jashtme thotë për Report Tv se operacioni për kthimin e tij në atdhe ka qenë edhe nën kujdesin e përfaqësive tona diplomatike në Tel Aviv dhe Stamboll.

Lajmi për operacionin fillimisht u bë me dije nga Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan që saktësoi se operacioni erdhi pas asaj që e cilësoi ndërhyrje të paligjshme kundër Flotiljes Globale të Lirisë nga Izraeli.

"Si pasojë e ndërhyrjes së paligjshme ndaj Flotës Globale “Sumud”, po punojmë së bashku me të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë që po mbahen dhe kthimin e tyre të sigurt në vend. Me fluturimet e posaçme që do të organizohen sot, planifikojmë të sjellim në Turqi qytetarët tanë, si edhe aktivistë nga vende të treta. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë dhe të përmbushim përgjegjësinë tonë humanitare ndaj civilëve në Gaza, ndërsa do të vijojmë me vendosmëri mbështetjen për popullin palestinez", shkroi ai.

Izraeli ndaloi mbi 40 anije të hënën në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros dhe ndaloi të paktën 430 aktivistë në bordet e anijeve. Mes tyre ishte edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, për të cilin dha alarm në Report TV bashkëshortja e tij pas humbjes së kontakteve.

Ndalimi i aktivistëve të flotës humanitare global Sumud ngjalli indinjatë të thellë botërore sidomos pas të mërkurës kur Ministri izraelit për sigurinë kombëtare Ben Gvir shpërndau pamje skandaloze në rrjetet e tij sociale, ku dukeshin aktivistët e keqtrajtuar dhe ku vetë ministri tallej me ta.

Reagimet kundër sjelljes së MInistri izraelit ishin të shumta në të gjithë botën, përfshirë krerë shtetesh apo qeverish të cilët dënuan trajtimin ndaj aktivistëve dhe sjelljen e GVIR.

Spanja ishte e para që paralajmëroi hapa formalë për sanksionimin e tij nga BE. Ndërsa Italia ishte e para që formalizoi këtë hap. Lajmin e njoftoi zëvendëskryeministri Italian Antonio Tajani në rrjetet sociale ku tha se i ka kërkuar Komisionit evropian të sanksionojë Ministrin izraelit Ben Gvir për shkak të sjelljes së tij në shkelje të të drejtave të njeriut ndaj aktisvistëve të flotës Global Sumud.

Zyrtarë të tjerë të niveleve të larta dënuan më herët sjelljen e Gvir. Mes tyre ishte kryeministri kanadez Mark Carney, Presidenti i Italisë Sergio Mattarella, apo edhe presidenti I Këshillit Europian Antonio Costa.

Kryeministri izraelit Netanyahu e cilësoi të gabuar videon e Gvir me aktivistët por tha se Izraeli ka të drejtën të ruajë hapësirën e tij, ndërsa përgëzoi marinën ushtarake për punën e mirë që bënë me ndalimin e aktivistëve në det.