Ndarja e mandateve, Komisioni i
Ligjeve miraton: Skema si 2009

Ndarja e mandateve, Komisioni i<br />Ligjeve miraton: Skema si 2009
TIRANE - Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot me votat e shumicës relacionin e deputetit të PD-së Edi Paloka i cili i propozon Kuvendit të shpërndajë mandatet sipas skemës së vitit 2009.

Kundër relacionit votoi opozita. Propozimi, për të lënë në fuqi ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasi më parë KQZ kishte dështuar në marrjen e një vendimi për një ndarje të re të tyre, u miratua me 11 vota pro të maxhorancës dhe 10 vota kundër të opozitës.

Mbledhja u shoqërua me debate mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri theksoi se ndarja e mandateve sipas hartës së vitit 2009 nuk respekton kriterin e barazisë ndaj ligjit.

Mandatet nuk janë pazare politike dhe për ndarjen e tyre ka afat deri më 7 mars. Po kërkoni të bëni një lojë vetëm të një pale, por me këtë njëanshmëri po njollosni zgjedhjet. T'ia lëmë KQZ-së vendimin për ndarjen e mandateve, pasi Kuvendi ka hyrë në një procedurë të paligjshme. Kuvendi po luan si kasap politik i njërës palë."- tha Gjiknuri.

Nga ana e tij relatori Paloka tha se komisioni i ligjeve nuk po shkel ligjin duke shqyrtuar ndarjen e mandateve, pasi ky është një detyrim ligjor i tij. “Ne nuk po shkelim ligjin, është absurde, është detyrim i Parlamentit të bëjë ndarjen e mandateve. Në KQZ, pjesa e opozitës nuk ka pranuar ta bëjë këtë detyrë unë i propozova Kuvendit të shpërndajë mandatet sipas zgjedhjeve të vitit 2009”- tha Paloka.

Më përpara në komision raportuan Kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba në lidhje me  vendimin e KQZ-së për t'ia kaluar Kuvendit këtë kompetencë pasi vendimi nuk u votua me shumicë të cilësuar. Raportimi u kërkua nga socialistët, pikërisht dje nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj para se të merret një vendim për ndarjen e mandateve.  Maxhoranca në Komisionin e Ligjeve i propozoi Kuvendit të ndajë mandatet e deputetëve nëpër 12 qarqe sipas skemës së 2009-ës.

Kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi duke dhënë shpjegime tha se situata kishte mbërritur këtu pasi tre anëtarët e zgjedhur nga PS-së se nuk votuan ndarjen e mandateve. "KQZ ka kryer llogaritjen e mandateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme. KQZ nuk mundi t'i ndajë mandatet, pasi p/vendimi nuk u votua me shumicë të cilësuar", shpjegoi Lleshi.

Nga ana e tij nënkryetari i KQZ-së Biba sqaroi pse nuk votoi: "Nuk dyshuam në të dhënat e Ministrisë së Brendshme, por donim verifikim të tyre, pasi po hidhej dyshimi mbi integritetin e votës. Nuk erdhi informacioni që kërkuam nga Ministria e Brendshme, dhe KQZ nxitoi të votonte për mandatet. KQZ është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve", tha Biba.

JA SKEMA E 2009

Nëse miratohet kjo skemë atëherë qarku i Kukësit mbetet me 4 mandateve, për të cilin ka ndodhur dhe përplasja PD- PS. Madje dhe LSI bashkoi votat me PS për ngritjen e një komisioni hetimor për rritjen e popullsisë në këtë qark.  Në qarqet e  tjera kemi këtë ndarje mandatesh: Në Vlorë 12 mandate, në Tiranë 32 mandate, në Shkodër 11 mandate, në Lezhë 7 mandate, në Korçë 12 mandate,  në Gjirokastër 5 mandate, në Fier 16 mandate, në Elbasan 14 mandate në Durrës 13 mandate, në Dibër 6 mandate, dhe në Berat 6 mandate.

MBLEDHJA DJE NE KOMISION
Në raportin e përgartitur nga Edi Paloka, si relator i çështjes, krahas këtij prozimi dje hidheshin dhe akuza të forta për bllokim ndaj 3 anëtarëve të majtë të KQZ. "Biba na e bën të qartë me gojën e tij se si jurist, si profesionist njeh si legjitime dhe të vërtetë shkresën e Ministrisë së Brendëshme, por si militant politik është i detyruar të zbatoi shkresat dhe urdhërat të përfaqësuesit të PS në Komisionin Qëndrorë të Zgjedhjeve. KQZ-ja ezauroi plotësisht rrugën e saj administrative për të marrë në shqyrtim dhe vendosur për çështjen e caktimit të numrit të mandateve për zonat zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Kuvendi ka kompetecën e plotë ligjore të miratojë caktimin e mandateve të deputetëve të çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet që zhvillohen në 23 qershor 2013", tha Paloka.

Kjo hasi debate mes anëtarëve. Fatmir Xhafa i socialistëve kërkoi shtyrjen e vendimmarrjes për ditën e sotme, kur do të raportojnë përballë njëri-tjetri kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba. "Jemi duke e futur Kuvendin përmes këtij debati, në një precedent tejet të rrezikshëm, me pasoja të rëndësishme për proceset zgjedhore në Shqipëri.Në një precedent shumë të rrezikshëm për aftësinë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme. Do të ishte një barrë e madhe që kjo maxhorancë do të mbante mbi supe, një barrë që nuk do ta mbante dot për hirë të së vërtetës.

Sepse nuk bëhet fjalë për një vendimmarrje të zakonshme, bëhet fjalë për themelin, për votën e lirë, për procesin zgjedhor", deklaroi Xhafa. Ndërsa kryetari i komisionit, Ilir Rusmajli deklaroi dje : "3 anëtarë të KQZ-së patën frikë të respektojnë ligjin, u trembën, u tutën, iu nënshtruan presionit dhe diktatit politik. Nuk fitohen zgjedhjet duke bërë hile. Nuk fitohen zgjedhjet duke bllokuar. Nuk fitohen zgjedhjet duke shkelur ligjin. Nuk fitohen zgjedhjet duke mbjellur një klime frike dhe terrori për lirinë e votuesve. Të dashur kolegë, zgjedhjet fitohen me këllqet tuaja. Në doni t'i fitoni duhet të vishni këpucët e të bindni popullin",tha Rusmali.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

'Mirror': Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar me plazhet më të bukura në Evropë

'Mirror': Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar me plazhet më të bukura në Evropë