Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Sali Shijakut "Piktor i Popullit". Ngushëllimet tona shkojnë për familjen Shijaku, komunitetin e artistëve pamorë si dhe miqtë dhe dashamirësit e shumtë të trashëgimisë së Tij pamore.
Artisti Sali SHIJAKU është pionieri i pikturës aktive, figurative, kontrastuese e plot nerv ndaj dekorit historik shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XX. Piktura e tij, në ditët e sotme është pasuri e fryteve koloristike e ngazëllyese të dekorit të jetës së përditshme shqiptare.
Në fushën e arteve pamore personaliteti i tij artistik është i veçantë dhe i dallueshëm. Ai përfaqësohet me një krijimtari të pasur me inteligjencë figurative e shprehur përmes stilit, temave dhe ideve.
Sali Shijaku, në artet figurative ka kërkuar vazhdimisht të trupëzojë zbulime ideo-artistike dhe, pikturës së tij të shek. XX i dha formë monumentale, duke vlerësuar personazhet, fenomenet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Pas viteve 90 – të vijoi të jetë ngulmues duke trajtuar dhe zgjidhur fenomene estetike gjatë procesit të pikturimit.
Ai krijoi një pikturë të kompozimit frontal dhe pasqyroi personazhin historik e luftarak, social dhe atë të punës, mitologjik dhe legjendar, si dhe heroin epik dhe lirik.
Në artet figurative dhjetëra vepra në pikturë të artistit Sali Shijaku janë pika kyçe të zhvillimit të strukturës së pikturës dhe historisë së artit në vendin tonë. Veprat e tij, të ekspozuara kohë pas kohe bëhen promotor frymëzimi mbi procesin e edukimit me artin ndaj brezave të rinj.
Cilësitë e mirëfillta të artit të piktorit Sali Shijaku u shfaqën gjatë kohës së studime jashtë vendit dhe talenti i tij tejkaloi të zakonshmen. Ai u shqua për thellësinë dhe gjërësinë e përfytyrimit figurativ, të cilat morën trajtë në realizimet krijues, pikturë pas pikture. Fondi i pasur i përfytyrimeve figurative të artistit filloi të krijohet nga viti 1952, me ekspozimin e pikturës së tij të parë,
“Vajza me kostum kombëtar”, pronë e GKA, Tiranë. Në vazhdim realizoi kompozime të përzgjedhura me një figurë apo dhjetra figura, skenografi të peizazhit natyror, ikonografi portretesh, nodo ekspresive dhe pikturoi sipërfaqe me tekstura moderne nën parimet e realizmit, impresionizmit, ekspresivizmit dhe lojës së ngjyrave të pastra si: e kuqja, okrat e shumëllojshme, e kaltërta, e bardha, e zeza dhe gri.
Gjuha figurative e Sali Shijakut, hershëm dhe në ditët e sotme, ruan cilësitë vetjake, që përcaktojnë lirinë e tij krijuese, duke theksuar elementet thelbësor të formës, e cila i dha përmbajtje stilit të tij. Studimet shqiptari mbi artin e përcaktojnë besnik ndaj individualitetit dhe identitetit të vet artistik; fanatik ndaj imagjinatës dhe fantazisë mbi idetë; mbrojtës kalorsik të paletës së vet të ngjyrave të zbuluara prej përvojave të mundimshme gjatë një jete prej gati një shekulli.
Disa fakte biografike:
Sali Shijaku u lind në një familje të njohur tiranase. Nënë Deja kujdesej për shtëpinë - konak të familjes Shijaku, puna e përditshme e së cilës ishte tregtia, që e drejtonte baba Abdyli. Sali Shijaku e nisi udhën e dijes në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” dhe më pas mori mësime në Medresenë e kryeqytetit. Në vitet 1948 -1952 ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku studioi pikturë me pedagogët dhe artistët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi.
Pas disa vitesh pune fitoi të drejtën e studimit për pikturë në Bashkimin Sovjetik, Rusia e ditëve tona. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve - Ilia Efimioviç Rjepin, në Leningrad, Shën Pjetërburgu i ditëve të sotme. Gjatë periudhës 1956 - 1961 ishte student i ateljesë së piktorit dhe profesorit Boris Vladimiroviç Joganson. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmej PKSh-së dhe PKBS-së, u kthye në atdhe në vitin 1962. Ai u diplomua si një nga studentët e parë në ILA, Tiranë. Pas diplomimit punësohet pedagog në ILA dhe bëhet anëtar i LShASh-së.
Ai punoi si pedagog dhjetëra vite deri në 1991, si dhe ekspozoi në çdo ekspozitë kombëtare. Para viteve 90-të punimet e tij u ekspozuan në Egjipt, Francë, Algjeri, Rumani, Kosovë, Turqi, Itali dhe Kinë. Krijimtaria e Sali Shijakut është nderuar në vitet 1955, 1970 dhe 1984 me Çmimin e Republikës. Në vitin 1969 u nderua me titullin “Artist i Merituar’’. Në vitin 1976 emri i tij zë vend si artikull vetjak në edicionin e ribotuar të “Dictionnaire critique et documentaire des Peintres, Sculptuers, Desinnatuers et Graveurs”, me autori Emmanuel Benezit.
Sali Shijaku, në vitin 1979 u nderua me titullin “Piktor i Popullit’’. Në vitin 1988 nderohet me “Urdhërin e Flamurit”, në 2004 me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës’’, në vitin 2010 Akademia e Arteve, Sot Universiteti i Arteve, e nderoi me titullin simbolik “Mirënjohje””.
Pas viteve 90-të, veprat e tij kanë zënë vend në koleksione të ndodhura në Kosovë, ShBA, Itali, Turqi etj. Gjithashtu, janë koleksionuar dhe nga Trupi diplomatik akredituar në Tiranë. Sali Shijaku ka krijuar rreth 1500 vepra dhe vazhdon të krijojë. Pas viteve 90-të ka ekspozuar nga viti 1998 e në vijim me grup artistësh. Në GKA, Tiranë, në vitin 2015 u çel ekspozita retrospektive me veprat e tij përfaqësuese që nga 1952. Ndërsa në COD, Tiranë, në vitin 2021 u hap ekspozita në nder të 88 vjetorit të lindjes së artistit me titull: “88 dritëhije dhe ngjyra”.
Lajmi kryesor: