Ish-ministri Arben Malaj është shprehur në homazhet për Servet Pëllumbin si një njeri që e ka frymëzuar në jetë. Ai e cilësoi unik në jetë dhe në politikë e një model që frymëzon.

“Më ka promovuar dhe inspiruar në jetë me gjithë dashamirësinë e tij. Profesor Serveti lë një trashëgimi të pasur, e para nga pikëpamja njerëzore që ishte një lider politik me integritet të plotë, e dyta për thellësinë e mendimit për të majtën progresiste. Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë. Gjithnjë e më tepër na duhen modele që inspirojnë të rinjtë, zbusin krizat edhe për kompromise! I paharruar kujtimi i profesor Servetit!”, tha Malaj.

Ish-deputeti Musa Ulqini e quajti një shembull të parlamentarizmit dhe një njeri të mençur.

“Ishte shembulli i parlamentarit. Në kujtesën time në vitet e gjata si deputet, do të mbetet një nga kryetarët më të mençur, më seriozë dhe në fund të jetës së tij ai la një gjurmë sepse publikoi gati 20 vepra duke mbetur një nga njerëzit më të mençur, një profesor i vërtetë”, u shpreh Ulqini.


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Servet Pëllumbi! Krerët e shtetit dhe politika homazhe, Rama: Do të mbetet pikë referimi! I biri: Jam krenar për vlerat që na la