Ndërroi jetë studiuesi i pasionuar
i shqipes Shaban Demiraj

Ndërroi jetë studiuesi i pasionuar<br />i shqipes Shaban Demiraj
Ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare studiuesi i pasionuar i shqipes, pedagogu e intelektuali i shquar, prof.dr. Shaban Demiraj. Vdekja e tij erdhi rreth orës 14:00 si pasojë e vuajtjeve përgjatë një viti nga pasojat e një hemorragjie cerebrale. Akademik Shaban Demiraj është një personaliteti i shquar i shkencës, arsimit e kulturës shqiptare. Ai ka bërë një punë të madhe shkencore të pasqyruar në botime të shumta brenda e jashtë vendit, sidomos në fushën e albanologjisë. 


Profesor Shaban Demiraj lindi në Vlorë, më 11 janar 1920. Pas çlirimit të vendit, punoi ca kohë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Në vazhdim të studimeve të tij, në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Si nxënës i gjuhëtarëve të shquar, Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, duke parë aftësitë e tij, që nga kjo kohë u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik, ndërsa më 1957 në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapokrijuar në Tiranë.

Dëshmi e qartë e përgatitjes së tij shkencore e pedagogjike ishte titulli “Profesor”, të cilin e meritoi më 1972. Pas krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1989 prof. Sh.Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj. Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Më 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”. U nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, më 1979 dhe me “Çmimin e Republikës” të klasit I, më 1989. Ai njihet autor i shumë veprave shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë. Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953).

Ndër këto, përmendim edhe: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980), “Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), “Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989). Studime të tij me interes të veçantë janë ato për filologjinë e arbëreshëve.

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma