Ndërroi jetë sot në Prishtinë akademiku 102-vjeçar Idriz Ajeti

Ndërroi jetë sot në Prishtinë akademiku 102-vjeçar Idriz Ajeti

Ka ndërruar jetë sot në Prishtinë akademiku Idriz Ajeti. Me profesion albanolog, gjuhëtar e pedagog, akademiku Idriz Ajeti shquhej për erudicionin e personalitetin e lartë shkencor pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot. “Akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Kosovës. “Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencore te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut. Ndërkohë që dhjetëra intelektualë të Kosovës kanë shprehur ngushëllimet duke e vlerësuar lart veprën e akademikut, gazetarja e njohur Evliana Berani e kujton përmes këtyre fjalëve: “Si filloriste i kisha të përditshme vizitat në Institutin Albanologjik. Aty më punonte babai, atëherë bashkëpunëtor i lartë shkencor. Çdo ditë në Institut mund të takoje personalitetet si Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Anton Ceta, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Idriz Ajeti, e shumë viganë të tjerë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin tonë. Derisa ngjitesha tek kati i fundit , tek zyra e babait, njerëzve që i takoja aty, më duhej të ua jepja të paktën tri përgjigje: a) sa faqe kam lexuar dje, b) përshtypjet e mija për librin dhe c) çka kam mësuar "sot" në shkollë !!! Si gjimnaziste, shpesh përfundoja në bibliotekën e Institutit, e cila më ngjallte atë ndjenjën e admirimit, të ngjashme me ndjenjën e fëmiut kur futet në një tempull adhurimi! Dhe, aty gjithmonë rastiste prof. Idriz Ajeti, i qetë , i buzëqeshur dhe pahetueshëm insistues në ate sa "çka duhet lexuar domosdoshmërisht". Më vonë si gazetare, sa herë nuk shihja qartë, sa herë humbisja fuqinë e gjykimit apo më pushtonte dëshpërimi, e dija se në Prishtinë ndodhet një tempull ku mund të mblidhja vetën dhe ta riktheja fuqinë për të ecur tutje. Në këtë tempull këto personalitete më ngjanin në shkëmbinj, të ngulitur aty për të qëndruar përjetësisht! Më krijonin ndjenjën e vogëlsisë, atë se kurrë nuk do të jem në gjendje të punojë e kontribuojë sa këta gjigantë! Pak nga ata janë gjallë dhe duhet t’i ruajmë si sytë ... Ty profesor të qoftë dheu i lehtë. Me shkuarjen tënde nga kjo botë, mua e besoj edhe shumë tjerëve si unë, sot iu shkëput një pjesë e fëmijërisë, por u thellua vetëdija se duhet të vazhdojmë, të ecim vertikalisht dhe pa e humbur qendrën e rëndesës. Lamtumirë doajen ...”, shkruan me dhembshuri zonja Berani.

Idriz Ajeti me një diplomë për shkrim shkencor kombëtar nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, ne 100-vjetorin e lindjes

Kush ishte Idriz Ajeti

Idriz Ajeti lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës.

Studimet i mbaroi pas Luftës së Dytë Botërore, më 1949, në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi si lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë si docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar.

Është marrë dhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe dhe ka organizuar takime e konsulta gjuhësore për të kërkuar zgjidhjet e përhershme rreth njësimit të gjuhës shqipe. Ai ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes.

Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: “Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX” (1960), “Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra” (1961), “Hymje në historinë e gjuhës shqipe” (1963), “Ortografia e gjuhës shqipe” (bashkautor) (1964), “Historia e gjuhës shqipe” (Morfologjia historike), (1969), “Probleme të historisë së gjuhës shqipe” (1971) (zgjodhi e mbarështroi), “Studije iz istorije albanskog jezika” (1982), “Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV” (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994).

Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1997-2002, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.

Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe, pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962), e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.

Anëtar i ASHAK-ut u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ismaili: 14/02/2019 09:41

    Akademik Idriz Ajeti, eshte themeli I gjuhesise,leteresise dhe cultures shqiptare ne kete hapesire(Kosove) kombetare.Ishte pedagugu me respektiv nder shhume breze qe ishin nxenes apo student,studius te Tija.Ishte personalitet kombetar I perkushtuar dhe I palekundur.Akadamiku yne monumental ishte pa asnje danke shkencore,politike,kombetare e njerezore.Akademiku yne I Madh,jetoi me dnerin e respektin e veçanteKishte respek nga sudentet,intelektualet madje edhe nga politikanet pas rennies se komunizmit Akademiku yne I madh, Ne Kuvendin e Republikes se Kosovesme 1998 u zgjodh Kryetar I pare I Kuvendit ne Kosoven ende te roberuar.Akademiku yne vazhdimisht u gjet aty ku e ekkronte koha,rrethanat dhe arsyeja per te qene aty ku e kerkonte dhe kishte vendin.Obligimet dhe detyrat qe ndershmerisht I kakryer jane te shumeta,aq sa edhe vjetet qe jetoi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë