Legjenda e basketbollit shqiptar, Arben Fagu ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 65-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Profesor Arben Fagu njihet për karrierën e tij të suksesshme në drejtimin e ekipit të meshkujve të Dinamos, por edhe Partizanit. Arben Fagu ishte i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani, vëllai i legjendës së ‘koshit’ Agim Fagu.
Arben Fagu mbaroi Institutin e larte ILKF “Vojo Kushi” dhe pasi la karrierën e tij si basketbollist u bë trajner dhe deri në momentin e fundit drejtonte ekipin e meshkujve të Partizanit.
Ngushëllimet për Arben Fagun janë shprehur edhe basketbollistët në rrjetet sociale.
“Mengjesi sot erdhi me nje lajm te trishte e te kobshem e te pabesueshem. Nje nga ikonat e Partizanit por edhe basketbollit shqiptar si sportist por sidomos si trajner mjeshtri i madh Arben Fagu ka ndërruar jete pas nje semundje qe erdhi pa pritur per ta ndare profesorin nga ne e per te na lene keshtu pa fjale e zemerthyer te qofte dheu i lehte prof Beni, boshlleku qe na le nuk do mbushet kurre. E paharuar puna dhe vepra jote përjetë”, shkruan Tirana Eagles Basket.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të basketbollistit Arben Fagu, ndarje të cilën e quan një humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin.
Në vijim të mesazhit të tij ngushëllues Meta shkruan se të gjithë ata që e njohën nga afër, humbëm një mik të sinqertë.
“Ndarja e parakoshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij. Lojtar virtuoz i “Dinamos”, “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve.
Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm. Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij. Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar! Lamtumirë Kampion”, shkruan Meta.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të basketbollistit Arben Fagu.
Si ish-basketbollist, kreu i qeverisë ka kujtuar më mallëngjim veprën dhe figurën e Ben Fagut, siç edhe e quan.
'Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.
Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve shqiptare dhe magjepsi çdo kundërshtar e trainer të huaj, që vinte nga bota tjetër për t'u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës. Hija e Gimit qe shtypëse për këdo që luante në kampionatin e basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm. Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha dhe duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, në kohën kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi!
Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit - çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër. Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.
Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s'është më!
As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm!
Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!'- shkruan Rama.
Kreu i FSHF-së, Armando Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arben Fagut duke thënë se sporti ka humbur një mjeshtër dhe ikonë, që i ka dhënë shumë basketbollit
“I tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Arben Fagut. Sporti shqiptar humbi një ikonë dhe një mjeshtër, që ka dhënë shumë ndër vite qoftë si basketbollist e më pas si trajner e pedagog, duke edukuar sa e sa breza. ArbenFagu ishte pinjoll i një familjeje të madhe të sportit shqiptar, që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj. Përveçse një personalitet, Beni ishte edhe një mik i mirë e njeri i dashur. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fagu për këtë humbje të madhe. Do të na mungojë të gjithëve! U prehtë në paqe!”, shkruan Duka.