BALLSH- Artan Voshtina, një nga punonjësit e rafinerisë së naftës, doli sot në protestë në mbështetje të kolegëve të tij që janë në grevë urie prej më se një jave. Pa e ditur, kjo do të ishte protesta e tij e fundit, pasi fatkeqësisht në mbrëmje zemra e la në balë. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e kësaj të diele si pasojë e një ataku në zemër, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Voshtina, për shkak të problemeve shëndetësore nuk ishte futur në grevë urie, por megjithatë nuk i braktisi shokët e tij. Artani ishte ndër të parët në tubimin e sotëm paqësor që u zhvillua në qendër të Ballshit, e më pas u kthye në shtëpi, ku fatkeqësisht zemra i ndaloi së punuari.

Lidhur me këtë ngjarje të trishtë, ka pasur edhe një reagim nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi. Ai shkruan se vdekja e punëtorit ka ardhur si pasojë e keqtrajtimit, nga mërzitja, stresi që puna e tij nuk është shpërblyer dhe bën fajtor kryesor qeverinë.

"Sapo mësova, për një lajm të trishtë. Ndahet nga jeta, një nga protestuesit e rafinerisë, naftëtari Artan Voshtina, banues në Fier.

Artani la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij i la në një kohë, që ata kanë shumë nevoëj për Artanin. Sot, pasi u kthye nga protesta, i trishtuar, i mërzitur i stresuar, zemra e tij nuk duroi më. Teknolog specialistë prej shume vitesh, në uzinë, i pa paguar dhe i keq trajtuar si shume kolegë të tij të punës. I përkushtuar për punën , shoqërinë dhe familjen e tij.

Ky shtet, kjo qeveri e korruptuar, këta bandite dhe hajdut, kontribuuan, shume fortë, për fatin e tij të trishtë. Ngushëllime të sinqerta dhe të ndjera familjes. Ngushëllime , edhe ju kolegë, të punës, të Artanit protestues dhe grevistë të urisë. Mos e harroni Artan Voshtinen, protestoni edhe për Artanin, protestoni pa u ndaluar për familjen dhe fëmijët e tij. Ata kanë shume nevojë sot, për ndihmën e të gjithëve", shkruan Baçi.

Postimi i plotë i ish-deputetit të PD-së, Luan Baçi

Ditën e sotme, rreth orës 10: 00 në qendër të Ballshit është zhvilluar një tubim paqësor ku ishin të pranishëm 800 punonjësit e rafinerisë së naftës, qytetarët, familjarë të protestuesve, teksa iu bashkuan edhe disa minatorë të ardhur nga Bulqiza si shenjë mbështetjeje. Kjo protestë, ku mori pjesë edhe i ndjeri Artan Voshtina, u bë në mbështetje të punëtorëve të rafinerisë që Ballshit të cilët pre më se një jave janë në grevë për shkak se kanë 27 muaj pa u paguar.