Të premten e kaluar u njoftua se oferta fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës kryesohet nga Mabetex Group, në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova Behgjet Pacolli.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook", vetë Pacolli ka shkruar sot detaje në lidhje me projektin. Ai ka thënë se ky është një projekt madhështor. Pacolli ka sqaruar se në fazën e parë në periudhën 2-vjeçare do ndërtohet godina e Aeroportit dhe pista që kapin vlerën mbi 103 milionë e 500 mijë dollarë. Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra miliona € . Ndër të tjera, ai thotë se ky projekt konsiderohet si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon.

"Sot është një ditë e rëndësishme për kompaninë që unë themelova gati 30 vjet më parë. Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për mijëra njerëz që do të përfitojnë nga ky investim. Kompania “Mabetex International” ka fituar (për herë të parë në tokat shqiptare) një projekt madhështor në Shqipëri.

Është një nder dhe privilegj i madh për mua dhe kompaninë time, që më në fund të ngremë flamurin e Mabetexit në tokën shqiptare.

Në fakt, Mabetex International, me investimet e sajë do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës. Projekti i Mabetexit u zgjodh si projekti më i mirë nga të gjithë ofertuesit. Unë jam mirënjohës për të gjithë ata që punuan shumë për të fituar këtë projekt dhe gjithashtu falënderoj Qeverinë Shqiptare për veprim të drejtë për të krijuar këtë mundësi.

Vlera e investimit është e madhe. Në fazën e parë (në periudhën dy-vjeçare) do të ndërtohet ndërtesa e Aeroportit dhe pista që kapin vlerën e Investimeve mbi 103,500,000 € dhe në fazën e dytë (në 4 vitet e para) do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra miliona €. Ky investim konsiderohet si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon në kohërat e fundit", ka shkruar Pacolli.