Ndeshja Shqipëri-Serbi, ja truket
e (mos) shitjes online të biletave

Ndeshja Shqipëri-Serbi, ja truket<br />e (mos) shitjes online të biletave
Që në shpërndarjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi do të ketë kontroll të rreptë, kjo dihej. Po ashtu, që do të bëhej përzgjedhje e atyre që do të kishin fatin ta merrnin një të tillë, edhe kjo është mësuar ditët e fundit. Por që të përdoret një truk i FSHF-së, për “të larë duart” si Ponc Pilati në këtë çështje, duke thënë se hodhi për shitje biletat online, por ato “avulluan” për 3 orë, kjo nuk ka shumë hije në raportin me tifozët e kombëtares.

Këta të fundit, sikurse dihet, janë shpirti i kuqezinjve, nuk kanë ngurruar t’i mbështesin idhujt e tyre deri në fund të botës, ndërsa tani zëvendësohen me zyrtarë, miq, shokë e të afërm të drejtuesve të FSHF-së, qeveritarëve, deputetëve, avokatëve, gjyqtarëve e prokurorëve. Më konkretisht, dje pasdite u njoftua për daljen në shitje të biletave të kësaj ndeshjeje të shumëpritur. Vendi i blerjes, ai i zakonshmi: te faqja e FSHF-së, në mënyrë online.

Mirëpo, pas 3 orësh, biletat kanë mbaruar. Në vendin përkatës ka dalë shënimi “Unavailable on line”. Në fakt, në njoftimin e FSHF-së, se nisi shitja e biletave online, ditën e djeshme, 15 tetor 2015, shkruhet se ky proces do të përfundonte më 10.07.2015, ora 11:59, ndërsa si datë e nisjes së këtij procesi figuron 8 tetori 2015, ora 20:45 (????). E vërteta është krejt ndryshe dhe për këtë janë të gjithë koshientë. Biletat janë bërë të aksesueshme online, në faqen e federatës, vetëm dje, rreth orës 16:00. Pas tri orësh, ka dalë njoftimi “Unavailable on line”. Pra, biletat janë të padisponueshme online.


Mësohet se rreth 300 bileta janë shitur në këtë mënyrë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet “nën dorë” e me porosi nga vetë drejtuesit e FSHF-së. Shumë institucione shtetërore, ministra, qeveri e organe ligjzbatuese në vend kanë prenotuar numër të konsiderueshëm biletash, që do t’u shpërndahen më pas personave të interesuar, të cilët me siguri do të jenë spektatorë të “gdhendur” në stadium, vetëm për të parë, por për të bërë tifozllëk, kjo do të jetë shumë e vështirë.

Tifo-grupit “Tifozat Kuq e Zi”, si herët e tjera, do t’i dorëzohen biletat dorazi, rreth 1500 të tilla. Ato duhet të jenë të personalizuara, që korespondojnë me emra të përveçëm, së bashku me numrin e kartës së identitetit apo pasaportës. Blerësit e tyre do të kalojnë një “skanim” edhe nga SHISH e Policia Shqiptare, me qëllim që ata që paraqesin probleme të mos lejohen të hyjnë në stadium.

Në lidhje me këtë sjellje “dribluese” të FSHF-së kanë reaguar edhe tifozët në internet. Konkretisht, në “Faqja zyrtare e kombëtares shqiptare” në Facebook shkruhet: “Ajo që bën habi është fakti se faqja online e FSHF-së funksionon normalisht, ndërsa faqja e shitjes së biletave nuk funksionon, ndonëse të dyja ndodhen në njëjtin server. Dhe, nëse njëra prej tyre bie, duhet të bjerë dhe tjetra. Tifozët, ndonëse presin me padurim të blejnë biletat për ndeshjen Shqipëri-­Serbi, e kanë të pamundur ta bëjnë këtë online, ndaj shtrojnë pyetjen: Pse ndodh me faqen online të FSHF-së?

Ndërkohë, nëse qëllon ta hapësh atë, atëherë shihet se nuk ka bileta online, sepse ato janë shitur të gjitha! Jemi dakort të ketë kontroll dhe të hyjmë me pasaporta, por të mbushet stadiumi vetëm me ministra e fëmijët e tyre, që nuk shohin futboll kurrë, në një ndeshje me Serbinë, ky është turp. Ato mijëra supertifozë, që do të ishin të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha vetëm për të parë kombëtaren, që nga kosovarët deri tek ata jashtë shtetit, nuk mund ta ndjekin, sepse nuk të lënë tipa që s’dinë gjë çfarë do të thotë të mbështesësh kombëtaren.”


Njoftimi i FSHF-së – Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët dhe të interesuarit se ka filluar sot (të martën) shitja online e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Europian, “Euro 2016”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në datën 8 tetor, ora 20:45. Biletat mund të blihen në faqen zyrtare të FSHF-së.

Biletat për këtë event do të jenë të personalizuara dhe për asnjë arsye, asnjë person, i cili nuk do të mbajë një biletë me emrin e tij nuk do të lejohet të hyjë në stadium. Listat nominative të personave të pajisur me biletë do t’i komunikohen Policisë së Shtetit për të mundësuar identifikimin dhe ndalimin e të gjithë personave problematikë, apo të dyshuar si potencialisht të rrezikshëm për mbarëvajtjen dhe sigurinë e eventit.

Çmimet e biletave për këtë ndeshje janë si më poshtë:
Tribunat C2, G2 = 1.000 lekë
Tribunat C1, C3, G1  = 1.500 lekë
Tribunat D, F  =  2.000 lekë
Tribuna E   = 3.000 lekë
Tribunat B1, B5  =  6.000 lekë
Tribunat B2, B4, A1, A4  = 8.000 lekë
Tribuna A2, A3, B3  = 10.000 lekë

/Marrë nga Telesport/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim