Propozimet e reja ligjore të mazhorancës për të ndryshuar sërish ligjin e Komisioneve Hetimore e kanë shqetësuar opozitën.

Debatin në komisionin e ligjeve e provokuan ndryshimet në nenin 5 të këtij ligji për ngritjen e komisioneve hetimore që e detyrojnë opozitën të gjejë me patjetër gjuhën me shumicën për një formulim konsensual në objektin e hetimit.

“Vendosja e një dispozite të tillë do të japë argument për debate jo konstruktive në parlament, ku njëra palë që nuk do ta miratojë kërkesën do kapet tek ky ligj. Ne e kemi në kushtetutë të drejtën e pakicës për krijimin e një komisioni. Kërkon t’ia pamundësosh opozitës duke i kërkuar të bien dakord”, tha deputeti Arjan Ndoja.

“Ligji po pëson një denatyrim të fundit me votën e një anshme të mazhorancës. Me këto ndryshime krijon garanci për mazhorancën, jo opozitën”, shtroi Gent Strazimiri.

Në rast se opozita do të kërkojë pyetjen e të tjerë dëshmitarëve, apo marrjen e provave të reja gjatë punimeve të komisionit, mazhoranca do të ketë të drejtën të refuzojë, por vetëm duke arsyetuar vendimin. Madje opozita paralajmëron se këto ndryshime, nëse miratohen do t’i çojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

“Do e çojmë prapë në Gjykatë Kushtetuese që e paragjykoj se do jetë në favorin tonë, të opozitës”, - paralajmëroi Ndoja.

Për mazhorancën këto ndryshime që janë propozuar nga dy deputetët socialistë Taulant Balla dhe Aulona Bylykbashi janë thjesht reflektim i vendimit të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese korrikun e 2024-ës.

 “Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në këtë ligj.  Nuk thotë asgjë më shumë nga ajo që thotë Gjykata Kushtetuese. Formulimi konsensual.”, u shpreh Ulsi Manja, kreu i komisionit të Ligjeve.

“Formulimi alternativ krijon një mekanizëm në favor të pakicës që bën propozimin. Ligji thotë se kur shumica mendon se objekti është në kundërshtim me kushtetutën, nuk i jep të drejtën për refuzim por për formalim alternativ”, tha zonja Bylykbashi.

Në dhjetor të vitit 2023, mazhoranca miratoi me votat e saja ndryshimet në ligjin e komisioneve hetimore duke vështirësuar ngritjen dhe funksionimin e tyre nga opozita e cila kërkoi shfuqizimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Në korrik 2024, Kushtetuesja vendosi në mënyrë unanime pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar nenin 9 që parashikon marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve. Në lidhje me objektin Gjykata vendosi që është në detyrim të mazhorancës që të propozojë ose t’i lejojë hapësira propozuesve për një formulim alternativ të objektit të hetimit.