Edhe pse tashmë gati s’ka gjë që mund të na befasojë aq shumë, si lugati që shkund dheun tek del nga varri, këto ditë na la pa mend njëfarë nisme për një Jugosllavi të re. Kuptohet, pak e cunguar, pa Slloveninë e Kroacinë që na e lanë lamtumirën në rrugën për BE.

Por me një shtesë, me Shqipërinë si kompensim, dhe Kosovën, që do të formonin gjoja një G6-s siç e quajtën këtë ngrehinë të re me pjesëmarrje të Malit të Zi, që i paska rënë hise të marrë bajrakun, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë, të cilës i ofrohet sërish shansi të marrë rolin e xhandarit të rajonit edhe pse ende nuk ka dhënë as shenja se e ka kaluar lëngatën e imperializmit të vogël ballkanik.

Shqiptarët, sidomos këta në Kosovë, me të marrë të lajmit u gdhinë në pozitën e cjapit para ditës së Bajramit.

Reagimet, si edhe ndjenjat që mund t’u ndjellë vetë emri Jugosllavi apo Serbi, ishin të përziera. Çkado që ka të bëjë me çfarëdo Jugosllavie, të cunguar në G6 apo çkado tjetër, në sytë e kosovarëve që ende s’i kanë gjetur as eshtrat e familjarëve të vrarë në luftën që ka përfunduar jo më larg se dje, duket se ka pak gjasa të mbetet në jetë. Më në fund ata kanë përvojën me të dy Jugosllavitë, që përfunduan siç është më së keqi, në gjak e masakra.

Nisma e ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, vendit më të vogël që i paska marrë mundin të dalë me nisma të tilla të mëdha, u prit me një heshtje shqetësuese nga politikëbërësit në Tiranë e Prishtinë, që lë të kuptohet se paskan qenë së paku të informuar por nuk na e kishin thënë se diçka e tillë po përgatitet. As nga Beogradi zyrtar nuk erdhi ndonjë reagim, mbase për të lënë përshtypjen e të painteresuarit për projekte që mund ta rikthejnë në pozitën e liderit rajonal edhe pse as shqiptarëve nuk mund t’u mohohet një pretendim i tillë.

Vetë nismëtari, ministri i Jashtëm malazias, pas reagimeve me të cilat u prit ideja e tij për “gjashtëshen ballkanike“, u shfajësua duke thënë se nuk është nga jugonostalgjikët dhe se është keqkuptuar dhe është keqinterpretuar se gjoja po synon ringjalljen Jugosllavisë së re. Ai fjalën e paska pasur për një bashkim formal bashkëpunues mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se krejt kjo për qëllim kishte përgatitjen e këtyre vendeve për anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Se është diçka më serioze se një nismë e një ministri malazias u pa të nesërmen kur e bë e ditur se çështja ishte diskutuar dhe do të bisedohet mes ministrave të jashtëm të këtyre vendeve në Nju- Jork dhe se vetë Asambleja e Përgjithshme në OKB do të bisedojë formën e asamblesë parlamentare të Ballkanit Perëndimor. Pra, diçka shumë më serioze se që mund të ketë menduar dikush.

Ç’ është e vërteta, nismat e tilla mund të mos duken keq, madje mund të duken edhe bukur, e parë me sytë e Brukselit apo Nju Jorkut. Por, e parë me sytë e atyre që kanë parë tmerrin në këto hapësira ballkanike, kjo merr pamje tjetër.

Duket bukur kur thuhet se perspektiva e vendeve ballkanike është në bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në ekonomi, siguri, tregti, qarkullim të lirë etj, etj. Por, përvojat e fundit dhe historia e këtij rajoni është e tillë që të përkujton mundësinë reale që pas diçkaje të tillë më shumë të fshihet rreziku që përsëri të ngatërrohemi keq se sa të bëjmë ndonjë punë të mirë, në interes të përbashkët pasi s’është që kemi dëshmuar ndonjëherë se këtë mund ta bëjmë . Përkundrazi, kemi dëshmuar të kundërtën.

Më në fund, lufta kundër kriminalitetit, për shembull, dhe bashkëpunimi rajonal, mund të bëhet edhe pa bashkime të tilla në unione, ashtu siç veprohet në vendet normale të botës, edhe pa këso lidhjesh politike që u vjen era e së kaluarës së afërme. Gjasat për çfarëdo asociacioni të ri në këto hapësira, së paku tash për tash, nuk duken fort të mira.

Më në fund pse dikush do të pranonte të jetojë në një bashkësi të tillë me ndjenjën e cjapit para Bajramit!