Përmes rishikimit të fundit të buxhetit të shtetit qeveria ka vendosur t’i akordojë më shumë fonde Albcontrol, në formën e transfertës kapitale, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive, për çështjen Becheti.
Me Aktin Normativ, që rishikoi buxhetin në muajin tetor, kur u ndanë fondet për shpërblimin e pensionistëve për fundvit, u dhanë edhe 30 milionë euro për kompaninë e Albcontrol që është ofruesi i Shërbimeve të Navigimit Ajror për hapësirën ajrore shqiptare.
Vetëm gjatë këtij viti, financimi i Albcontrol nga buxheti i shtetit ka arritur në 7 miliardë lekë ose rreth 70 milionë euro.
Ministri i Financave Petrit Malaj ka sqaruar më herët në komisionet parlamentare se mbështetja për Albcontrol do të vazhdojë derisa të zgjidhet çështja gjyqësore, prej së cilës janë bllokuar edhe llogaritë që kjo shoqëri ka në Eurocontrol.
“Çështja e Albcontrol po trajtohet në arbitrazh, ndërsa Albcontrol të ardhurat e saj i merr përmes një llogarie që është jashtë territorit të Shqipërisë, nga Eurocontrol, duke qenë se kjo llogari është përkohësisht e bllokuar për shkak të proceseve gjyqësore që po bëhen, qeveria edhe për shkak të rëndësisë kombëtare të Albcontrol, e mbështet në aspektin buxhetor dhe kur të ketë një zgjidhje për atë çështje do na kthehen paratë që i kemi dhënë kësaj shoqërie”, është shprehur ministri Petrit Malaj më 3 nëntor 2025.
Nga ana tjetër, ndryshimet në buxhet vijuan gjithashtu përmes aktit të fundit normativ të 19 dhjetorit, kur qeveria i ka shtuar 5.2 milionë euro buxhet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që do të përdoret për blerjen godinës në Londër ku do të vendoset ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa 8 milionë euro shtohen në programin “Zhvillimi i sportit”, nga të cilat 2.8 milionë euro shkojnë për projektin “Ekipet sportive në shkolla” të KOKSH-it, 3 milionë euro për FSHF-në për shpenzimet në kuadër të UEFA U-17 e U-21 European Championship dhe 2.2 milionë euro për kuota ndërkombëtare në kuadër të eventit Padel “Cupra FIP Tour Platinum”.
Përmes këtij akti të katërt normativ i vendos të jepet shpërblime dhe për 148.500 persona me aftësi ndryshe dhe për ata që trajtohen me ndihmë ekonomike në masën 150 euro, ndërsa 150 milionë euro të pashpenzuara gjatë vitit nga institucionet kalojnë në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Shtesë me 18 milionë euro mori edhe shëndetësia për furnizimin e spitaleve me medikamente.
Kurse Ministria e Bujqësisë përfitoi 20 milionë euro për të likuiduara fermerët që kanë përfituar nga Skemat Kombëtare të mbështetjes.
Komente











