I pranishëm në konferencën e OKB mbi ndryshimet klimatike COP26, mbajtur në Glasgou, Skoci, Kryeministri Rama ka mbajtur një fjalë të rastit ku ka thumbuar ato vende që ai i quan 'ndotës të mëdhenj'.  Rama u shpreh së është krenar që Shqipëria nuk është vend ndotës dhe që prodhimi ynë i energjisë mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike, zero për qind karburante fosile. Nga ana tjetër, kryeministri Rama shtroi një pyetje për vendet e fuqishme, kur tha se: ” ju dëgjova dhe mbajta shënim, por ende nuk kam marrë përgjigje për pyetjen me të cilën kam ardhur këtu. Ndoshta nuk i ka shkuar kujt në mend, kështu që po e them qartë: “Si mendojnë të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, që jemi jondotës?” Rama kërkoi mbështetjen e premtuar, e cila në këto krize energjetike bëhet shumë e rëndësishme. 

"Por ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm, kështu që na duhet të importojmë energji dhe, për pasojë, importojmë ndotje. Vendi ynë i vogël ju pyet: “Për sa kohë do të na duhet të vazhdojmë të bëjmë të vetëm gjënë e duhur? Për sa kohë do të na duhet të jemi të parët që paguajnë çmimin për kontributin tuaj në ndryshimin e klimës dhe, më tej, për mosndreqjen e pasojave të saj nga ana juaj? Ne mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat fitimprurëse që na janë bërë për vite me radhë për termocentrale me qymyr. Do të na kishin ndihmuar për të kompensuar sezonet tona të thatësirës, kur mungesa e reshjeve na detyron të dalim në treg dhe të blejmë energji me kosto shumë të lartë nga të mëdhenjtë. Jam krenar që nuk e kemi bërë, por, tani, vendi im i vogël sheh atë çfarë ndodh këtu, sesi ndotësit më të mëdhenj marrin racionet më të mëdha të parave, për të na ndihmuar ne të përballemi me ndryshimin klimës siç thonë", tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vendet e mëdha janë shkaktare për ndryshimin e klimës dhe se këtë pasojë e vuajnë vendet e vogla si Shqipëria. Teksa kërkoi që vendet e mëdha të mbanin premtimin për financimin për furnizimin me energji të pastër elektrike, Rama tha se kjo duhet të bëhet me grante dhe jo hua që i zë vendet e vogla në grackën e ciklit të borxhit.

"Ne nuk mund të rrimë pa bërë gjë e të presim nëse tregjet lëvizin me shpejtësi në drejtimin e duhur. Shpresoj që do t’i mbani premtimet për financim, për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; duke nisur nga modele të energjisë së pastër, siç është Shqipëria. Ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë vendet tona në grackën e ciklit të borxhit, por përmes granteve që na fuqizojnë të investojmë. Dhe shpresoj që mbështetja nuk do të vazhdojë të nënkuptojë studime e strategji pa fund, ndikimi i të cilave është shumë herë më i ulët sesa kostoja që duhet për të paguar njerëzit nga vendet e pasura që i hartojnë ato", ka thënë kryeministri. 

Glasgow i Skocisë ka hapur dyert më 31 tetor për Konferencën Botërore të Klimës së OKB-së, me pjesëmarrje të krerëve të lartë të politikës nga e gjithë bota, të deleguarve, ekspertëve e organizatave aktive në mbrojtje të klimës. Kryeministri Rama, i pranishëm në konferencë, ka zhvilluar takime me liderë të ndryshëm botërorë, europianë dhe rajonalë, ndër ta Angela Merkel, Emmanuel Macron, Ursula Von Der Leyen, Mark Rutte, Kyriakos Mitsotakis, Aleksandër Vuçiç etj.

Për dy javë të deleguarit, politikanët dhe ekspertët do të diskutojnë se si duhen zbatuar më tej objektivat për mbrojtjen e klimës, me qëllim që të arrihet synimi i kufizimit të ngrohjes globale deri në 1.5 gradë, arritja e të cilit po vihet fort në dyshim nga ekspertët. Në mbyllje të konferencës pritet të nënshkruhet zotimi për të ndaluar shpyllëzimin deri në vitin 2030.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:50
FOTOT/ Nga Trudeau tek Bennett i Izraelit, Rama tregon kë takoi në konferencën në Skoci

Në foto, duket se kreu i qeverisë është takuar edhe me ish-kryeministren e Britanisë së Madhe Theresa May teksa ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro. Po ashtu Rama ka pasur edhe një takim me homologun e tij kanadez Justin Trudeau, e kryeministrin e Izraelit, Naftali Bennett.

 

Ora 14:41
FOTOLAJM/ Rama 'kokë më kokë' me Leonardo Di Caprion: Na lidh mbrojtja e Vjosës

Kryeministri Rama ka qenë i pranishëm në konferencën e OKB mbi ndryshimet klimatike COP26, mbajtur në Glasgow, Skoci, pjesë e së cilës ishte edhe aktorin e Hollywood-it,  Leonardo DiCaprio, i cili është njëherësh edhe një ambasador i mbrojtjes së natyrës. Rama është takuar me DiCaprio duke e postuar në Instagram krahas së cilës shkruan "Kur je komshi me Leonardo DiCaprion dhe të lidh mbrojtja e Vjosës".

Aktori Di Caprio është mbrojtës i natyrës dhe postimet e tij për mbrojtjen e Vjosës kanë qenë të shumta. Po ashtu edhe qeveria Rama, para 1 viti është shprehur se nuk do të lejojë shkatërrimin e Vjosës.

“Qeveria jonë e ka shpallur park kombëtar Vjosën e sipërme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me parkun. Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë”, ka thënë Rama.

Kauza e Vjosës tashmë ka marrë zë jashtë Shqipërisë. Aktori i njohur Leonardi di Caprio ka mbështetur nismën për mbrojtjen e lumit të Vjosës në Shqipëri që nga viti 2019. Ai është shprehur kundër vendimit për të ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, që është edhe një nga lumenjtë e 'egër' në Evropë. Di Caprio ka qenë aktiv vazhdimisht për çështjen e Vjosës, i cili ka reaguar edhe vitin që lamë pas në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama më 25 shtator ku refuzoi zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme. Por, edhe këngëtarja Ellie Goulding i është bashkuar fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa nga HEC-et. Goulding është shprehur se  këto ndërtime do të dëmtonin kultura të shumta dhe të larmishme të rajonit duke nxitur edhe ndotjen e shkatërrimin e klimës.

Lumi i Vjosës në Shqipëri është një ndër lumenjtë e fundit të egër dhe të pa prekur nga dora e njeriut, që ekzistojnë në Europë. Me një gjatësi prej 270 km, i ndarë në kanione, lumenj të ndërthurur, ishuj dhe gjarpërime të rrëmbyeshme, Vjosa lidh shtetet e Europës së bashku.