Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë ta bëjnë SPAK-un “steril”, duke i ngushtuar hapësirën hetimore dhe duke i shtuar pengesa procedurale në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Bardhit, shqetësimi i Ramës për paraburgimin lidhet me çështjet penale që kanë prekur zyrtarë të lartë të mazhorancës.
“Po, ne kemi bërë një analizë paraprake të atyre ndryshimeve, të hartuara për hall të Edi Ramës. Pra, trokiti drejtësia në paradhomën e zotit Rama, në zyrën e ngjitur, pra në zyrën e zëvendëskryeministres. Kanë zyra të ngjitura dhe, nga frika se mos radhën e ka zyra tjetër, pra ajo e Kryeministrit, Edi Rama na ka prezantuar rreth 106 ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, i shqetësuar shumë që qytetarët vuajnë në paraburgim. Ndërkohë që Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë që ka kërcënuar gjyqtarë me prerje këmbësh e duarsh që të mbanin qytetarët në burg. E mbani mend historinë e denoncuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, gjatë një aksioni që zoti Rama e urdhëroi, e udhëhoqi, për të burgosur cilindo që nuk paguante energjinë elektrike dhe kërcënonte gjyqtarë e prokurorë që qytetarët e zakonshëm të qëndronin në burg, në paraburgim, se kështu donte Edi Rama. Dhe këtë model e ka bërë në 13 vite të qeverisjes së tij.
Kur i ra në burg kryetari i Bashkisë së Tiranës, po i shkon në burg zëvendëskryeministrja e po ndien që po i vjen radha Kryeministrit, është shqetësuar shumë për paraburgimin. Paraburgimi ekziston në gjithë botën për personat që kanë rrezikshmëri, dyshohet se kanë kryer krime dhe është një fazë që i paraprin dënimit të tyre. Në gjykimin tim, ndryshimet e prezantuara kanë vetëm një qëllim, si të ngushtojnë hapësirën hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Pra, ta bëjmë SPAK-un steril, është pak a shumë thelbi i ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale. T’i vendosim sa më shumë pengesa, ta hallakatim sa më shumë në procedura, që SPAK të mos ketë mundësi të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Berisha: Mburojë për Ramën, drafti të mos kalojë pa miratimin e Venecias, KiE s'e ka mbështetur








