Nga Strasburgu Sali Berisha i kishte bërë një analizë të hollësishme, ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të prezantuar nga shefi i qeverisë Edi Rama një ditë më parë. Për të, këto propozime nuk janë as më pak e as më shumë veçse një përpjekje për të kthyer në ligj, pengesat që drejtësisë nuk iu bënë dot përmes presioneve.

“Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në, në vende të ndryshme. Pra, atë që, atë që s'arritën ta bëjnë me presione mbi drejtësinë, tani kërkojnë ta bëjnë me ligj”, tha Berisha.

Duke paralajmëruar votën kundër të demokratëve, Berisha thotë se së pari për paketën ligjore çështje duhet të merret mendimi i Komisionit të Venecias:

“Unë kërkova që kjo paketë të mos votohet në asnjë mënyrë, kërkova që kjo paketë t’i kalojë për ekspertizë Komisionit të Venecias. Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë. Përveç kësaj, theksova se paketa amniston pothuaj de facto të gjitha krimet elektorale”, tha Berisha.  

Berisha thotë se as Këshilli i Europës nuk i mbështet këto ndryshime në kodin e procedurës penale:

“Kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, vijon Berisha.

Komentet, Berisha i bëri pas takimit me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:14
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ Bardhi: Synimi është ta bëjnë SPAK-un 'steril', t’i ngushtojnë hapësirën për hetimin e korrupsionit (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë ta bëjnë SPAK-un “steril”, duke i ngushtuar hapësirën hetimore dhe duke i shtuar pengesa procedurale në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Bardhit, shqetësimi i Ramës për paraburgimin lidhet me çështjet penale që kanë prekur zyrtarë të lartë të mazhorancës.

“Po, ne kemi bërë një analizë paraprake të atyre ndryshimeve, të hartuara për hall të Edi Ramës. Pra, trokiti drejtësia në paradhomën e zotit Rama, në zyrën e ngjitur, pra në zyrën e zëvendëskryeministres. Kanë zyra të ngjitura dhe, nga frika se mos radhën e ka zyra tjetër, pra ajo e Kryeministrit, Edi Rama na ka prezantuar rreth 106 ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, i shqetësuar shumë që qytetarët vuajnë në paraburgim. Ndërkohë që Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë që ka kërcënuar gjyqtarë me prerje këmbësh e duarsh që të mbanin qytetarët në burg. E mbani mend historinë e denoncuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, gjatë një aksioni që zoti Rama e urdhëroi, e udhëhoqi, për të burgosur cilindo që nuk paguante energjinë elektrike dhe kërcënonte gjyqtarë e prokurorë që qytetarët e zakonshëm të qëndronin në burg, në paraburgim, se kështu donte Edi Rama. Dhe këtë model e ka bërë në 13 vite të qeverisjes së tij.

Kur i ra në burg kryetari i Bashkisë së Tiranës, po i shkon në burg zëvendëskryeministrja e po ndien që po i vjen radha Kryeministrit, është shqetësuar shumë për paraburgimin. Paraburgimi ekziston në gjithë botën për personat që kanë rrezikshmëri, dyshohet se kanë kryer krime dhe është një fazë që i paraprin dënimit të tyre. Në gjykimin tim, ndryshimet e prezantuara kanë vetëm një qëllim, si të ngushtojnë hapësirën hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Pra, ta bëjmë SPAK-un steril, është pak a shumë thelbi i ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale. T’i vendosim sa më shumë pengesa, ta hallakatim sa më shumë në procedura, që SPAK të mos ketë mundësi të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Bardhi.

Ora 12:56
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ Ivi Kaso: Rama kërkon të paralizojë hetimet dhe të bllokojë SPAK, grusht shteti institucional

1790069237_ivikaso.JPG

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, kundërshtoi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke i cilësuar si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të kufizuar hetimet penale dhe SPAK-un. Sipas Kasos, me propozimet e reja për masat e sigurisë dhe hetimin penal, qeveria po ndryshon rregullat për t’i vendosur pengesa drejtësisë dhe e quajti lëvizjen një grusht shteti institucional.

“Për hallin e Erjonit, Belës, Gysit dhe Vlorës sot, por mbi të gjitha për hallin e tij nesër Rama vendos t'i vërë zjarrin shtetit. Me ndryshime e propozuara dje në Kodin e Procedurës Penale, një iniciativë e pakonsultuar me asnjë nga partnerët, Rama personalisht propozon të paralizohet hetimi penal në çdo prokurori të vendit dhe jo vetëm në SPAK ku i ka dhe do t'i ketë hallet.

Do t'i kishte rënë më shkurt t'i mbyllte fare prokuroritë dhe në fakt do të kishte qenë më e ndershme! Jo vetëm i kërkon drejtësisë që tani të luajë me rregullat e përcaktuara nga ai vetë, në konflikt madhor interesi, por as që e fsheh më që është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm që drejtësia as të mos guxojë t'i afrohet vetë atij.

Sa për ta kuptuar qytetarët - një grabitës që vjedh shtëpinë tuaj në mes të ditës ose dikush që me qëllim të shkatërron pronën tënde me zjarr tashmë nuk përfundon më në burg me ndryshimet e Ramës! E njëjta gjë vlen edhe për një zyrtar që shpërdoron kompetencat, falsifikon dokumentat, fsheh të ardhurat, manipulon tenderat, korrupton në mënyrë aktive zyrtarë të tjerë.... e kështu pa fund...

Kjo nuk është Reformë. Ky është grusht shteti institucional nga një bandit ende me pushtet! Deri në këtë derexhe është gati t'a katandisë shtetin vetëm që të bllokojë SPAKUN”, shkruan Kaso.

U.D/E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Laçjani: 01/10/2026 13:13

    Ordiner anti Shqiptarë faqeziu Berrisha!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02

    Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?