Kryeministri Edi Rama tha se paketa e re e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale synon t’i japë më shumë ekuilibër sistemit të drejtësisë dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë.

“10 vjet më parë ne i dorëzuam pushtetit gjyqësor shpatën e ndëshkimit, e cila për 100 vjet kishte qëndruar në dorën e pushtetit politik. Sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa, por jo më pak kuptimplotë në qëllim. Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë asnjëherë ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë gjithnjë fuqia e barazisë së të gjithëve përpara ligjit. Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot publikisht dhe që vetë bashkautorët e saj shumë të nderuar e kanë quajtur “Paketa e Garancive Procedurale”.

Pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në vitin 1995 dhe ndryshimeve që shoqëruan reformën në drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë kaq të plotë dhe organike prezumimin e pafajësisë në procesin penal. E thënë me fjalët e mia, kjo do të thotë se, nëse deri tani e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live