Komisioni i Ligjeve; Foto Arkive
TIRANË, 16 Mars/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve diskutoi të hënën, pa praninë e deputetëve të opozitës, dy drafte ligjore që propozojnë ndryshimet në kodin zgjedhor.
Shqyrtimi i dy projektligjeve u bë pas seancës dëgjimore me grupet e interesit, zhvilluar dy ditë më parë. Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj tha se ndryshimet po bëhen për shkak të emergjencës së hartës së re territoriale, ndërsa sqaroi se ato nuk prekin asnjë amendament që ka të bëjë me zgjedhjet e përgjithshme.
"Ne nuk mund të shtrihemi përtej zgjedhjeve vendore, pasi nuk e kemi këtë mandat dhe nuk duhet ta marrim përsipër këtë gjë në kushtet që nuk është emergjente. Po ashtu, në kushtet që opozita nuk është e pranishme, ne nuk mund të diskutojmë dhe për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj mbetemi vetëm tek zgjedhjet vendore", shpjegoi kryetari i komisionit.
Në fund u ra dakord që shqyrtimi i projektligjeve të vijojë në mbledhjet e ardhshme të komisionit. /a.s/ /a.g/