Ndryshimet në PD, nis verifikimi
i të punësuarve dhe anëtarëve

Ndryshimet në PD, nis verifikimi<br />i të punësuarve dhe anëtarëve
Element thelbësor ky që sipas demokratëve mund të kushtëzojë aktivizimin e mëtejshëm të tyre me PD-në. Por, në lupë do të kalojnë edhe punësimet në 15 bashkitë e fituara nga demokratët në 21 qershor, sesa prej të punësuarve janë anëtarë të Partisë Demokratike. 
 
Verifikimi
Një grup pune i ngritur në PD, i cili kryesohet nga Sekretari Organizativ Eno Bozdo dhe deputetët e angazhuar si kryesues të fushatave të zgjedhjeve në 12 qarqet e vendit, do të mbledhin të gjithë informacionin për anëtarësinë, aktivët dhe fiktivët si dhe pozicionet e tyre aktuale siç janë punësimet në bashki apo nivelet e tjera të administratës publike. Anëtarësia do të kalojë në sitë me qëllim evidentimin e asaj pjese që mund të kontribuojë në PD për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Aktivët e PD-së cilësohen të gjithë anëtarët të cilët përmbushin detyrat e ngarkuara nga degët përkatëse si dhe paguajnë rregullisht kuotën e anëtarësisë.

Shqetësimi në PD lidhet me faktin se ka të dhëna për demokratë të punësuar në nivele të administratës publike dhe në bashkitë e fituara nga PS. Këta i shtohen listës së fiktivëve, listë e cila nuk do të llogaritet më nga Partia Demokratike. Këtij qëllimi i shërben edhe verifikimi në terren i pjesës së të “ikurve” dhe çregjistrimi i tyre nga lista e anëtarësisë.
 
Fiktivët 
Partia Demokratike u përfshi nga një debat i ashpër dy vite më parë, gjatë zgjedhjeve për kryetarin e PD dhe drejtuesit e degëve lokale, lidhur me shtimin fiktiv të anëtarësisë. Polemika pati kryesisht për të shndërruarit në “demokratë” rishtas, në prag të zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD, të cilët ndryshe nga anëtarësia fiktive, nuk kishin një historik të pasur kontributi me Partinë Demokratike. E njëjta gjë u vërejt edhe në degët lokale të PD, ku nuk munguan as akuzat se kryetarë seksionesh të PS u përdorën si “anëtarë” të PD, gjatë zgjedhjeve për kryetarët e degëve.

Gjithashtu, edhe sot e kësaj dite në Partinë Demokratike, ka mosmarrëveshje sa i takon “anëtarëve të ngrirë” të PD, të cilët edhe sot e kësaj dite figurojnë të regjistruar në listën e anëtarësisë, por për ta s’ka asnjë të dhënë, madje nuk dihet nëse jetojnë në Shqipëri apo jo.  
 
Basha rikthen në kryesinë e PD Imamin e Gjanën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vendosi dje zyrtarisht të riorganizojë opozitën, pas humbjes së zgjedhjeve të 21 qershorit. Mbledhja e djeshme e kryesisë së demokratëve vendosi ngritjen e një Grupi të Punës “Ad Hoc” i cili do të përgatisë propozimet për çdo degë. Grupi i punës do të kryesohet nga Sekretariati i Partisë Demokratike si dhe do të ketë në përbërje edhe krerët e departamenteve dhe deputetët e zonës. Do të jenë këta të fundit që do të konsultohen me bazën e Partisë Demokratike, për formatin e riorganizimit të strukturave, ku nuk përjashtohen edhe zgjedhjet në degë të caktuara.

Konkluzionet grupit të punës do të jenë fryt i konsultave me bazën demokrate. Gjithashtu, pjesë e vendimeve të djeshme ka qenë edhe kooptimi në kryesinë e demokratëve të anëtarëve të rinj. Kështu, anëtarët e rinj që i shtohen kësaj kryesia do të jenë, Arben Imami, me cilësinë e drejtuesit të Bordit “për Liri dhe Demokraci”, Halim Kosova, me cilësinë e kryetarit të Komisionit të “Pastërtisë së Figurës dhe Dekriminalizimit”, dy shefat e rinj të departamenteve, atij të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj dhe atij për Pushtetin Vendor, Ardian Turku si dhe tre kryetarët e bashkive qendër, Voltana Ademi, kryetare e bashkisë së Shkodrës, Fran Frrokaj, kryetari i Bashkisë së Lezhës dhe Bashkim Shehu, kryetar i Bashkisë së Kukësit.

Gjithashtu, në kuadrin e ristrukturimit të PD-së, kryesia ka miratuar edhe ngritjen e departamentit për “Kontribute Historike”, kryetar i të cilit do të jetë Jemin Gjana.
Megjithatë, mbledhja e djeshme e kryesisë së PD nuk vuri pikat mbi “i”, pasi edhe vetë kryetari Basha foli për riorganizim, por as në deklaratën e tij dhe as në raportin e analizës, nuk thuhet se deri ku do të shkojë dhe cilat do të jenë përgjegjësitë që do të mbahen për humbjen. Siç duket, fokusi i Partisë Demokratike nuk është më gjetja e fajtorëve, siç edhe ka deklaruar më herët Basha se nuk do të bëjë “koka turku”, por ripërtëritja dhe riaktivizimi i strukturave të partisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, ato parlamentare. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Clapper alternativa e TikTok, po aq e rrezikshme? Ministrja Muzhaqi: Kemi ndërmarrë nisma në shkolla që fëmijët të kalojnë kohë produktive

Clapper alternativa e TikTok, po aq e rrezikshme? Ministrja Muzhaqi: Kemi ndërmarrë nisma në shkolla që fëmijët të kalojnë kohë produktive