Ndryshimet në Policinë e Shtetit, 'Smart City' dhe ID digjitale! Tre prioritetet e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në vitin e parë

Ndryshimet në Policinë e Shtetit, 'Smart City' dhe ID digjitale! Tre prioritetet e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në vitin e parë

Ervin Hoxha

Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili është në detyrë prej gati 2 muajsh, ka vendosur disa qëllime, të cilat duhet të plotësohen në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, i cili kufirin e ka të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhëm. Projekte të planifikuara që më parë, por që jo vetëm nuk do të kenë pengesë, por do të jenë qëllim i të paktën vitit të parë në detyrë.

I pari, i cili tashmë ka nisur të jap frytet e para në mënyrë praktike ka të bëjë me ndryshimet në Policinë e Shtetit. Ligji i ri i bluve, i miratuar në seancën e fundit parlamentare të sesionit të shkuar, i jep mundësinë të gjithë të rinjve me ambicie për të pasur role drejtuese. Me gradat e reja në Policinë e Shtetit nuk priten vetëm rokada, siç ka ndodhur pothuajse në 20 vitet e fundit, por katapultim të një brezi të ri që mezi pret të kontribuoj në poste të larta. Gara për kryepolicin u hap këtë të hënë dhe kush e ka qëllim këtë post ka në dispozicion 7 ditë për të hedhur kandidaturën. Pas postit të drejtorit të përgjithshëm garë do të hapet për drejtuesit e qarqeve dhe departamenteve. Një pikë e fortë ku ministri Hoxha i kushton vëmendje është komunikimi me publikun. Drejtuesit e rinj pritet të testohen edhe në këtë drejtim, me synim transparencën. Nuk do të jetë habi që me emërimet e reja me konkurs, në mesin e drejtuesve të rinj të ketë edhe gra. Një grup elitash femra në Policinë e Shtetit kanë tashmë gradat e duhura dhe pritet të bëhen pjesë e aplikimeve.

I dyti, për ministrin Hoxha, është qëllim projekti i shumëpërfolur “Smart City”, i cili do të monitorojë 20 qytetet më të mëdha të vendit me kamera të cilësisë maksimale, i cili do t’i shërbejë sigurisë publike, sidomos në institucionet kyçe, sidomos pranë shkollave. Këto kamera, të cilat pritet të jenë të një teknologjie të lartë, do të lexojnë në kohë reale paligjshmëritë, duke orientuar siç duhet jo vetëm efektivët e Policisë Rrugore, por edhe asaj Kriminale.

I treti, por jo më pak i rëndësishmi për Hoxhën, është karta e identitetit digjitale, e cila pritet shumë shpejt të ofrohet si shërbim nga kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, “Identitek”. Përmes saj, qytetarët shqiptarë kanë në celularin e tyre një identifikim digjital, i cili u mundëson aplikimin me shumë lehtësi dhe që gjithë kohës e ka me vete, duke shmangur problemin e “harrova kartën në shtëpi”.

S.G/G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë