Ndryshimet në qeveri? Meta: I
bën Rama, të lexohet vota e LSI

Ndryshimet në qeveri? Meta: I<br />bën Rama, të lexohet vota e LSI
TIRANE- Numri dy i shtetit, dhe kreu i partisë së tretë, Ilir Meta ka lëshuar mesazhe indirekte për ta lexuar shumëfishimin e votës së LSI. “Duhet të lexojmë të gjitha mesazhet që vijnë nga kjo votë”, tha kreu i LSI që ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe ka falënderuar kryeministrin Rama që i dha mbështetje gjithë kandidatëve, veçanërisht atyre të propozuar nga LSI. “Çështja e qeverisë i takon kryeministrit, pavarësisht se kjo ishte një votë vendore.

Duhet të lexojmë të gjitha mesazhet që vijnë nga kjo votë. Për ne ishte një votë vendore, por duhet lexuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Di të lexoj vlerësimet e kritikat. Ne i kemi raportet mjaft konstruktive e bashkëpunuese me kryeministrin Rama dhe e falënderoj për mbështetjen që i ka dhënë të gjithë kandidatëve, veçanërisht për ata të propozuar nga LSI”, tha Meta. Pyetjeve nëse ka një ftohje mes tij dhe Ramës, Meta tha se me të u takua të mërkurën.

Meta e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm rezultatin LSI në disa qarqe të vendit. Ai veçoi rezultatin në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër. Duke uruar 61 kandidatët fitues të bashkive në vend, Meta cilësoi procesin si më të qetë e të lirë të është zhvilluar ndonjëherë në vend. “Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë shkëlqyer më 21 qershor duke marrë pjesë me shumë qetësi e kulturë. Zgjedhjet më të qeta dhe më të lira të zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë.

Uroj të gjithë fituesit e 61 kryetarët e bashkive të vendit”, tha Meta. “Nuk kemi realizuar çdo objektiv, por objektivi kryesor i standardeve të zgjedhjeve është i realizuar. Pavarësish se u punua në mënyrë sistematike për të dëmtuar imazhin e zgjedhje nga ata që kishin frikë nga rezultati, po pas 21 qershorit kemi vetëm të fituar se të gjithë kanë shpallur fitoren. Rezultati i kënaq të gjithë e kjo është shumë pozitive”, tha Meta. Që theksoi se nuk dëshiron të jetë i nxituar në analizën e rezultatit të këtyre zgjedhjeve.

“Do isha i nxituar të bëja një analizë pa lexuar rezultatet, pa bërë krahasimet nuk dua të nxitohem. LSI në gjithë qytetet kryesore të vendit e në qarqet kryesore të vendit ka treguar një rritje mjaft të shëndetshme pothuajse në çdo qendër votimi. Natyrisht kjo është një votë mjaft solide politike në bashkitë kryesore të vendit. Në bashki më të vogla vota është gjithnjë edhe më pak politike”, tha Meta. Por ai cilësoi si më të mirën në shkallë kombëtare rezultatin në Durrës, jo vetëm 13 këshilltarë, një më pak sesa forca e dytë PD, por ka arritur të ketë 30 mijë vota, që do thotë tri herë më shumë se më 2013.

Ndërsa në lidhje me Pogradecin dhe Vorën, Meta tha se ASHE s’ka pretenduar të fitojë 61 bashkitë, megjithëse analiza e plotë dhe të detajuar për çdo qendër votimi për të lexuar arsyet e mos realizimit të suksesit e për të reflektuar për të ardhmen do bëhet, si dhe rruga ligjore do të ndiqet nga ekspertët e LSI.


Urimi/Meta: Kosova, bëri fushatë më konstruktive së të tjerët
“Veliaj”, kreu i LSI: Vota jonë në drejtimin e duhur
 
Kreu i LSI në lidhje me 27 mijë votat më shumë që Halim Kosova mori se koalicioni i djathtë, ndërsa Veliaj mori më pak vota se koalicioni i majtë, dha argumentet e tij. “Të gjitha votat e LSI kanë shkuar në drejtimin e duhur. Një defekt në mospërputhjen e të gjitha votave të kandidatit me aleancën duhet ta gjejmë në faktin që të gjithë ne kemi përgjegjësi, se parashikoja një fitore më të thellë, por dhe elektorati i majtë kishte besim në një fitore mjaft bindëse të kandidatit tonë të përbashkët Erion Veliaj që dua ta përgëzoj për fushatën mjaft energjike.

Nëse ka probleme duhet t’i kërkojmë te një eufori për epërsinë që kishte mazhoranca jonë. Kosova, që me një sjellje shumë më konstruktive se kandidatët e tjerë arriti të merrte më shumë vota se forca e tij politike. Rezultati në gjithë Shqipërinë flet vet, dhe më e rëndësishme se rezultati është implementimi i reformës administrative -territoriale”, tha Meta. I pyetur se përse nuk ka bërë urim për kreun e ri të zgjedhur në Bashkinë Tiranë, ndërsa një gjë të tillë bëri për humbësin, Meta u përgjigj se, ai e ka uruar që kur është vendosur kandidat i ASHE.

“E kam uruar dhe publikisht në takimin e madh të organizuar në takimin me LRI dhe e kam uruar dhe pas zgjedhjeve. Pse urova Kosovën? E kam uruar se vlerësoj shumë kulturën e tij të pranimit të rezultatit të urimit të kundërshtarit, të dëshirës së tij që pavarësisht nga një zhgënjim për rezultati, kryetari bashkiak i ardhshëm të mbajë premtimet si dhe tregoi vullnetin i tij për të qenë bashkëpunues, s’para ndodh në vendin tonë që ai që s’fiton ta pranojë humbjen. Pavarësisht se në këtë rast s’kemi një humbje personale”, tha Meta.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)