Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është përgjigjur kërkesës së kryetarit të parlamentit, Niko Peleshit, për propozimet e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit brenda datës 3 prill 2026.

Përgjigja e grupit parlamentar të PL është e njëjtë me atë të PD, pasi janë kërkuar sqarime për llojin e procesit, kush e ka ndërmarrë dhe po e kryen, si edhe nga se ka lindur nevoja për ndryshimet.

Gjithashtu thekson se pritet ende zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e detyrueshme gjithashtu edhe për Peleshin.

“Sjellim në vëmendjen tuaj se Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit”, shkruhet në përgjigje.

Gjithashtu, Peleshit i kërkohet të tregojë maturi institucionale dhe të respektojë autoritetin e vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto të fundit duhet të kalojnë për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.

“Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vijon më tej përgjigjja.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, iu referua një ditë më parë draftit për ligjin organik të Kuvendit, duke u shprehur: “Mirë është të mos politizohet. Të mbesë një ligj shumë partizan dhe jo që e bën PS dhe prandaj nuk do të përfshihemi.”

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetutuese, Kuvendi nuk respektoi procedurat kur në nisje të legjislaturës së re në shtator të vitit të shkuar, rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11.

Megjithatë, Gjykata vendosi që t’i linte 30 ditë kohë Kuvendit për të bërë nga e para procedurën, por pa penguar punën.