Ndryshimi që na nevojitet

Ndryshimi që na nevojitet
Rreth 50 mijë qytetarë firmosën vitin 2012 kërkesën për referendum popullor për çështjen e importit të plehrave. Referendumi ende nuk është bërë, ndërkohë që disa kompani, përfshirë një serbe dhe një peruane, janë favorizuar dhe instaluar në Shqipëri në biznesin e plehrave. Nisma për një referendum lokal në Vlorë, nisma e minatorëve për një ligj
integral, apo nismat e shoqërisë civile për kuota zgjedhore dhe transparencë financimi të partive/fushatave elektorale, përfunduan ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri, me refuzim zyrtar. Sistemi elektoral nuk ndryshoi duke lënë pa përfaqësim politik emigracionin e ri dhe të vjetër, duke penalizuar partitë politike të treta, duke i përkthyer në vota pro edhe votat kundër partive të vjetra si dhe duke imponuar koalicione të mëdha në forcat politike të qeverisë dhe të opozitës. Premtimet për ndarje të re administrative, ndryshimin e sistemit zgjedhor, hapjen e dosjeve apo nisma të tjera me rëndësi politike, - mbeten si përherë, oratori elektorale. Asnjë hap ligjor, asnjë nismë politike, asnjë bisedim dhe asnjë produkt konkret. Mbështetur në këto fakte disa raporte ndërkombëtare të sponsorizuara nga BE dhe SHBA theksuan edhe më 2012 problemet e mëdha të funksionimit të demokracisë shqiptare, si demokraci e pakicës, dhe sidomos faktin se qytetarët nuk kanë mjete në dispozicion për të ndryshuar qeverinë e tyre.
Kur shqiptarët shohin sesi populli amerikan zgjedh Presidentin e tyre, sesi landet gjermane ndëshkojnë me një votë të vetme qeverinë qendrore, sesi në Slloveni apo Izrael një parti e re politike ndryshon tërësisht skenën politike, sesi në Bullgari zhvillohet referendum popullor për ndërtimin e impianteve energjetikë, sesi në Rumani krizat politike zgjidhen me referendume apo zgjedhje të parakohshme apo sesi në Itali çdo parti zgjedh kandidatin e saj për kryeministër përmes rivalitetit të ashpër 1 anëtar - 1 votë, dhe njëherësh, sesi në Shqipëri ekzekutohen nga garda qeveritare në mes të ditës dhe përpara dhjetëra kamerave televizive katër qytetarë të pafajshëm apo sesi ish të përndjekurit politikë vetëvriten me kërkesën e refuzuar për respekt, ligj e dialog, ata me të drejtë e ndjejnë veten të pafuqishëm, të fyer, të denigruar dhe të zhgënjyer. Kur mijëra familje shqiptare ngrysin ditën pa ushqim të bollshëm për fëmijët, mbushin blloqet e dyqaneve me lista borxhesh, kalojnë ditët në përpjekje pafund për një vend pune, qëndrojnë gjatë në radhë për të marrë pensionin minimal mujor apo paguajnë kudo nën dorë për shëndetin, arsimin, punën, vërtetimet, lejet, e gjithçka tjetër, ndërkohë që në TV shohin një kryeministër e qeveri që përpiqet t'i bindë se janë më të lumturit në Evropë, shohin politikanë që i numërojnë vilat e milionat e euro-ve njëri tjetrit, shohin zyrtarë që e trajtojnë shtetin si pronë private apo politikanë arrogantë që urdhërojnë gjykata, polici e shërbim sekret, - shumica qytetare e këtij vendi vë në dilemë vlerat e demokracisë, shanset që ajo ofron dhe vetë sistemin politik që u krijua 22 vjet më parë.
Në dhjetor 1990 apo mars 1992 politika shihej si shpresë dhe burim energjish pozitive për ndryshim. Miliona votues iu bashkuan premtimit për ndryshim politik me pritshmëri e aspirata të mëdha. Sot ata në shumicë ndjehen të tradhtuar e të zhgënjyer. Modeli i ri që duhej të zëvendësonte modelin e vjetër të partisë shtet, shtetit të dhunshëm apo bllokut arrogant - ka bërë të kundërtën; po imiton të vjetrin, madje po vijon të funksionojë si shtojcë e tij në mentalitet dhe në sjellje. Partitë demokratike premtuan programe, alternativa dhe gara konkurruese; liderit e tyre premtuan rotacion dhe respekt për votën e fshehtë; qytetarët paralajmëruan partitë se do t'i ndëshkojnë me votë nëse ato abuzojnë me pushtetin dhe përfaqësimin. Pas 22 vitesh ka ndodhur e kundërta; partitë tradicionale nuk kanë programe, nuk kanë ideologji, nuk kanë dallime, nuk kanë alternativa, nuk kanë rotacion, nuk lejojnë votën e mendimin kundër, nuk përfillin qytetarët dhe as nuk lejojnë numërimin e votës së tyre ndëshkuese. Përkundrazi. Nga premtimi për një politikë të hapur ku politikanët janë nën kontroll të qytetarëve dhe produkt i vendimeve të tyre, kemi kaluar në një politikë të mbyllur, virtuale, simbolike, në të cilën qytetarët janë viktimë e produkt i politikanëve.
2013 e konfirmoi këtë bilanc negativ: dy partitë tradicionale politike, pas një vonese të gjatë mblodhën kryesitë dhe shpallën të drejtën pakufi të kryetarit për të caktuar listën e kandidatëve për deputetë. Ato nisën bisedime për zgjerim të aleancave politike parazgjedhore, secila, pa marrë ndonjë vendim politik përmes strukturave, por thjesht e vetëm mbështetur nga vullneti dhe nisma personale e kryetarit. Ato hoqën dorë nga ndarjet ideologjike e programore dhe shpallën synim kryesor mbledhjen e çdo vote, majtas e djathtas, lart e poshtë, pavarësisht dallimeve në programe, identitet dhe vizion. Partia dhe vullneti i saj i njëanshëm vendosi të marrë atributet e KQZ, të gjykatës, të Kolegjit, dhe bashkë me to, të menaxhojë sipas dëshirës së saj sovranitetin popullor. Politika partiake ka bllokuar administratën e shtetin, ka hequr kufijtë midis institucioneve të pavarura dhe seksioneve militante partiake, ka braktisur kërkesat qytetare dhe agjendën integruese duke ia besuar gjithçka vullneti personal të liderit, interesit të tij elektoral dhe oreksit të tij për të imponuar tematikën e debatit politik.
Rrethi i mbyllur dhe abuzues i politikës ka ndikim në çdo fushë shoqërore, përfshirë ekonominë. Prej kohësh, pas çdo vendimi qeveritar fshihet një kompani apo person privat me lidhje të forta në qeveri; pas çdo privatizimi fshihet një skenar pastrimi parash ose financimi elektoral; pas çdo nisme ligjore fshihet një privilegj shtetëror për kompani e biznesmenë afër qeverisë, pas çdo retorike ekonomike fshihen interesa të ngushta që lidhen me lobet ekonomike të pushtetit. Ndaj publiku jeton çdo ditë me skandale financiare në privatizime dhe arsim, në shëndetësi e polici, në mbrojtje e diplomaci, në kulturë dhe në sport, - secila me burim nivelet e larta ekzekutive dhe secila si produkt i klimës antitreg që pushteti ka imponuar prej vitesh. Duke imponuar tezën e gabuar se partitë e vjetra e të reja janë njësoj, se gjithçka është e baltosur, se nuk ka zgjidhje as shpëtim. Teza kryesore e pushtetit është se oferta e kritikëve dhe çdo opozite mbetet po aq e keqe sa edhe e saj, dhe kështu, midis dy të këqijave publiku të kursejë rotacionin dhe të zgjedhë vazhdimin. Teza të tilla të papranueshme për një vend të civilizuar e demokratik gjenden vetëm në fazat dekadente të çdo regjimi, p.sh, nga Alia më 1987-1990 apo nga regjimet e korruptuara e antidemokratike të Mubarak apo Gadafit, në Egjipt e Libi.
2013 ofron shansin e madh të ecjes drejt ndryshimit. Zgjedhjet janë rast i mirë, për të hedhur hapa konkretë në çlirimin e politikës, daljen e saj nga rrethi vicioz dhe kthimin e saj në politikë qytetare për qytetarët dhe me qytetarët. Kjo arrihet përmes një reflektimi dhe reagimi publik. SHBA këshillon reagimin civil, dhe fton qytetarët të ndjehen, të flasin, të dëgjohen. Sistemi kërkon ndryshim dhe kjo arrihet me një shoqëri të lirë jashtë bunkerit ku e ka mbyllur politika e vjetër, një shoqëri rrit pjesëmarrjen politike dhe fjalën qytetare, që voton masivisht, që imponon garanci për votën dhe produktin e saj, që refuzon të jetë skllave e politikës dhe e bën politikën pasqyrë të aspiratave të saj. Nëse kjo ndodh, pavarësisht rezultatit dhe konfigurimit parlamentar, 2013 mund të jetë një vit kthese dhe potencial të madh ndryshimi. Nëse gjithçka mbetet në modelet e vjetra, me zgjedhje formale e politikë me rreth të mbyllur, 2013 do jetë i destinuar të bëhet shans i humbur, një vit më pak për demokracinë dhe një vit më shumë për oligarkinë. Në politikë thuhet se qytetarët vendosin, ata e bëjnë zgjedhjen. Kjo vlen për modelet perëndimore të demokracisë, kjo duhet të vlejë më në fund edhe për Shqipërinë.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Atentat mafioz në Selanik/ Autorët qëllojnë 3 herë nga makina në lëvizje 41-vjeçarin, vdes pas eci disa metra

Atentat mafioz në Selanik/ Autorët qëllojnë 3 herë nga makina në lëvizje 41-vjeçarin, vdes pas eci disa metra