Vetëm gjatë vitit 2025, nga prokuroritë e rretheve u përgjuan 1642 persona në 356 hetime të ndryshme. Në raportin vjetor të depozituar në Kuvend Prokuroria e Përgjithshme thotë se pjesa dërrmuese e përgjimeve, 822 u lejuan me vendim gjykate, ndërsa 406 janë kryer me urdhër prokurori.

Përgjimet siguruan prova për të çuar në arrestimin e 236 personave të dyshuar për krime të rënda, deri edhe në korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash apo trafik droge.

Numri më i madh i të përgjuarve është mes trafikantëve të drogës, me 29%, dhe pasohen nga krimet kundër personit me 23% apo korrupsioni me 14%.

Sa i përket korrupsionit, Prokuroria e Përgjithshme thotë se rastet e hetuara nga prokuroritë e rretheve kanë pësuar një rënie në vitin 2025, krahasuar me vitin paraardhës.

“Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2025 është 5,46, ndërsa në vitin 2024 ka qenë 5,95. Sikurse vihet re edhe nga grafiku, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2025 ka një ulje 9,79 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit dhe rritje 18,39 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2024”, thuhet në raport

Tirana dhe Durrësi përbëjnë 70% të rasteve të korrupsionit të hetuara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe jo në SPAK, për shkak të vlerës së vogël.  Në SPAK thotë Prokuroria e Përgjithshme ka referuar gjatë vitit 2025 gjithsej 56 dosje kur është hasur përballë korrupsionit të nivelit të lartë por edhe krimit të organizuar.

“Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë transferuar 56 procedime/referime penale, prej të cilave në Prokurorinë e Posaçme janë pranuar 41 procedime/referime ose 73,21 % e procedimeve të transferuara, për grupvepra kundër krimit të organizuar dhe të lidhura me korrupsionin apo detyrën në kompetencë lëndore të asaj prokurorie”, thekson Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor dorëzuar në Kuvend.

Në raportin e prokurorisë, të depozituar në Kuvend, thuhet se 13 prokuroritë e rretheve kanë kryer hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të posaçme të hetimit në dosje penale, duke parandaluar e goditur vepra kriminale, dhe duke çuar në pranga 260 persona.